RMV, po rritet kërkesa për dru për ngrohje, interesohen edhe ata që ngrohen me energji elektrike

Kërkesa e drunjve për ngrohje  është rritur këtë vit, megjithatë shumica e nevojave të konsumatorëve janë plotësuar. Kjo është përgjigja që Meta.mk e pranoi nga NP “Pyjet Kombëtare” në pyetjen për interesimin e qytetarëve të Maqedonisë për dru zjarri para sezonit të ardhshëm të ngrohjes. Sipas Programit për punë të NP “Pyjet Kombëtare” për vitin 2022, këtë vit do të prodhohen 516.032 metër kub dru zjarri, krahasuar me vitet e kaluara kur janë dorëzuar rreth 400.000 metër kub, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga Ndërmarrja Publike thonë se interesi për blerjen e druve të zjarrit vazhdimisht po rritet duke qenë se çmimi i tij për metër kub është më i ulët në krahasim me magazinat e tjera private në vend.

Në pyetjen se a presin që para sezonit të ardhshëm të ngrohjes të rritet konsumi i druve të zjarrit për shkak të krizës energjetike, nga NP “Pyjet Kombëtare” thonë:

“Vlerësojmë se një numër i caktuar i amvisërive, të cilat kanë përdorur burime të tjera të energjisë për ngrohje, si p.sh. energji elektrike, çmimi i së cilës po rritet vazhdimisht, janë riorientuar në dru zjarri si lëndë energjetike.

Deri në fund të gushtit, drutë e zjarrit shiteshin me çmimet e vitit të kaluar, por pas miratimit të Vendimit për dhënien e pëlqimit për Çmimoren për përcaktimin e çmimeve të produkteve kryesore pyjore të NP “Pyjet Kombëtare” njësia Shkup nr.02- 540/2 të datës 21.07.2022 nga Qeveria, aktualisht drutë e zjarrit po shiten me çmime të reja që janë 20 për qind më të larta se vitin e kaluar, njofton kjo kompani publike.

Përveç që informojnë se këtë vit prodhimi i druve të zjarrit do të rritet me mbi 110 mijë metër kub, nga NP “Pyjet Kombëtare” për momentin nuk japin informacione të detajuara nëse do të mund të sigurohen sasi intervenimi të drurëve të zjarrit për sezonin e ardhshëm të ngrohjes, në rast se shfaqen eventualisht probleme në furnizimin me energji elektrike në vend ose ngrohje qendrore në Shkup.

Ndryshe, interesimi i shtuar për shfrytëzimin e druve të zjarrit për ngrohjen e shtëpive vjen në kohën kur çmimi i ngrohjes në Shkup është rritur nga 14.18 në 16.31 për qind në sezonin e ardhshëm të ngrohjes, duke filluar nga llogaritë e muajit gusht. Një muaj më parë, Komisioni Rregullator për Energjetikë paralajmëroi rritje të çmimit të energjisë elektrike, me ç’rast mbi 98 për qind e familjeve që nga 1 korriku i këtij viti ka pasur rritje të faturave të energjisë elektrike nga gjashtë deri në tetë për qind, ose mesatarisht 7.4 për qind. Edhe tani nga pushteti ekzekutiv vijnë njoftime për rritje të çmimit të energjisë elektrike për fillimin e vitit 2023.

Brenda vetëm një vit, çmimi i një qeseje me 15 kg peleta pothuajse është dyfishuar. Këtë verë thesi i njëjtë shitej më shtrenjtë se 350 denarë, ndonëse verën e kaluar ka kushtuar nga 180 deri në 190 denarë. Rritje të madhe ka edhe çmimi i vajit ekstra të lehtë për ngrohje të amvisërive EL-1, çmimi i të cilit në pompat e benzinës për një kohë të gjatë është mbi 90 denarë për litër. Pikërisht për shkak të çmimeve kaq të larta dhe pasigurisë së ofertës të shkaktuar nga kriza energjetike, kërkesa për dru zjarri për sezonin e ardhshëm të ngrohjes është rritur.

Ndonëse të dhënat për vitin e kaluar ende nuk janë publikuar, shifrat e fundit të publikuara tregojnë se gjysma e amvisërive në vend deri tani janë ngrohur me dru zjarri. Rreth 49.18 për qind e familjeve në vitin 2019 i kanë ngrohur shtëpitë e tyre me dru zjarri ose dru prej pemishteve, thuhet në publikimin “Konsumi i energjisë në familje, 2019” i Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS).

Në të njëjtën kohë, hulumtimet e mëparshme thonë se dru të zjarrit në vend përdorin rreth 40 për qind të familjeve në qytete dhe 85 për qind në komunat rurale. Ajo që shqetëson më së shumti për rritjen e përdorimit të druve të zjarrit është niveli i lartë i ndotjes së ajrit në zonat e banuara, me të cilin ne si shoqëri përballemi çdo vit.

Vetëm për përkujtim, Studimi për proporcionimin e ndotësve në Shkup, i realizuar në periudhën nga tetori 2020 deri në dhjetor 2021, tregoi se biomasa, gjegjësisht ngrohja me dru, është burimi më i rëndësishëm i ndotjes së ajrit në Shkup gjatë muajve të dimrit.

Dejan Mirakovski, profesor në Universitetin “Goce Dellçev” nga Shtipi, gjatë prezantimit të hulumtimit në pranverë, sqaroi se djegia e biomasës është zhvillohet nga nëntori deri në mars, gjegjësisht vetëm në muajt e dimrit, ndërsa mungon verës. Pjesëmarrja e ngrohjes me dru dimrit, në ndotjen e ajrit, është nga 17 deri në 45 mikrogramë PM 2.5 për metër kub në Novo Lisiçe dhe nga 12 deri në 30 mikrogramë në Karposh. Kjo, sipas Mirakovskit, çon në përfundimin se vetëm ngrohja e kalon kufirin maksimal të lejuar prej 25 mikrogramë të grimcave PM 2.5. Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se Shkupi është i vetmi qytet në vend që ka ngrohje qendrore, me të cilin janë të lidhur mbi 60 mijë objekte nga kryeqyteti, prandaj edhe efektet e ndotjes së ajrit nga ngrohja janë më të vogla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button