Arifaj fiton çmim me ‘llajka’ në Itali

Fotografinë e ka bërë në Bergamo të Italisë. Është e realizuar me detaje, dy duar, njëra e bardhë e tjetra e zezë.

“Është fotografi e realizuar për temën ‘Dashuria që na bashkon’”, thotë Lumturije Arifi. Kjo e fundit, me fotografinë e saj, ka fituar një konkurs fotografie në Festivalin ‘Social World Film’, i cili mbahet në Itali nga 1 deri më 9 qershor. Ky festival fillimisht i përzgjedh pesë fotografi, pastaj të njëjtat publikohen në ‘facebook’ të cilat votohen nga njerëzit nëpërmjet opsionit ‘Like’. Ajo fotografi që merr më së shumti pëlqime, e fiton konkursin. Në këtë rast, fotografia e Arifajt, ka marrë pak më shumë se 750 pëlqime. Arifaj, artiste me profesion, thotë se ky konkurs ka rëndësi për të si fotografe e re.

“Ka një rëndësi të veçantë, së pari duke e zbulua talentin e fotografisë dhe duke e zhvillua edhe si talent të dytë. Po ashtu është një mundësi më e lehtë dhe më e përshtatshme për inkuadrim dhe prezantim timin në arenën ndërkombëtare si artiste”, vlerëson Arifaj. Më 7 qershor ajo do të marrë pjesë në festival për ta pranuar çmimin. Ndërkaq, ditë më parë tri fotografi të Arifajt janë përzgjedhur për t’u ekspozuar në Festivalin ‘ArtShot’ në Crema të Italisë, i cili mbahet nga 28 qershori deri më 5 korrik.

Lajme të ngjashme

Back to top button