Një prokuror nga PThP e Ohrit akuzohet se ka ruajtur lëndë në sirtar

Prokuroria Themelore Publike Strugë ka ngritur kallëzim kundër një ish-prokurori të Prokurorisë Publike të Ohrit, i cili akuzohet se gjatë kohës sa ka qenë aktiv në shërbim, i ka mbajtur lëndët në sirtar, gjegjësisht nuk ka vepruar ndaj tyre dhe në këtë mënyrë ka mundëasuar që veprat e paraqitura penale të vjetërohen, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi sot Prokuroria Publike, ish-prokurorja akuzohet për vepër penale të tejzgjatur të pakujdesisë në shërbim.

Gjatë procedurës penale kundër prokurorit publik është konstatuar se për shkak të mbajtjes së lëndëve në sirtar, janë vjetërsuar gjithsej 14 lëndë në PThP Ohër.

“I akuzuari në periudhën prej 19.11.2013 deri më 25.11.2021, derisa ende ishte duke ushtruar pozitën e prokurorit publik në Prokurorinë Themelore Publike Ohër, në mënyrë të qartë ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme në ushtrimin e kompetencave dhe detyrave të tij lidhur me ndërmarrjen ose mos ndërmarrjen e veprimeve në raste të veçanta . Në atë mënyrë ka mundësuar që veprat e paraqitura penale të vjetërohen absolutisht për ndjekje, dhe me këtë, më rëndë ka shkelur të drejtat e të tjerëve – parashtruesve të kallëzimit penal dhe të dëmtuarve, pasi, ata para skadimit të afatit për vjetërsim absolut të ndjekjes pas veprave të denoncuara penale, nuk kanë marrë vendim as për ndjekje të personave të denoncuar -me çka u është mohuar të ushtrojnë të drejtat e tyre si palë të dëmtuara në procedurë gjyqësore dhe as nuk kanë marrë vendim – zgjidhje për refuzimin e kallëzimit penal të paraqitur, me të cilin të dëmtuarit do të kishin të drejtë ankese me qëllim të realizimit të të drejtave të tyre në procedurë paraprake”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.

Puna e pakujdesshme e prokurorit është zbuluar pasi Prokuroria e lartë Publike Manastir ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme në punën e prokurorit, gjatë së cilës janë konstatuar lëshimet. Ai ka qenë i ngarkuar për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në lëndët, por pavarësisht kësaj, situata me ta ka mbetur identike.

“Për ato arsye kundër prokurorit është iniciuar procedurë disiplinore, me të cilën Komisioni disiplinor ka marrë vendim me të cilin ka shqiptuar masë disiplinore për shkeljet e rënda disiplinore të kryera – propozim për shkarkimin e prokurorit publik. Në rrjedhën e procedurës penale kundër prokurorit publik është konstatuar se në këtë mënyrë janë vjetërsuar gjithsej 14 lëndë në Prokurorinë Themelore Publike Ohër”, thuhet në njoftim.

Pjesa më e madhe e lëndëve të mbajtura nga prokurori i referohen veprave penale vjedhje, më pas vjedhjes së energjisë elektrike dhe peshkimit të paligjshëm.

Siç sqarojnë nga Prokuroria publike, procedurën në këtë lëndë e udhëheq Prokuroria Themelore Publike Strugë, për shkak se Prokuroria Themelore Publike Ohër ka kërkuar përjashtim për shkak se i akuzuari veprën penale e ka kryer në cilësinë e prokurorit publik në atë prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button