Eurobasketi 2022 (I)

“Në Europë ndeshjet i fitojnë ekipet më të mira, kurse në NBA ekipet që kanë individët më të mirë”
David Blatt

Sporti si një formë specifike e aktivitetit fizik luan një rol me peshë në zhvillimin kulturor, ekonomik dhe politik të shoqërisë globale. Në esencë ka rrjedhime pozitive si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Si fenomen, ai është pjesë e rëndësishme e jetës tonë që nga fëmijëria. Dikur ëndërronim të bëheshim futbollist dhe një ndërhyrje kirurgjike kah fundi i shkollimit fillor mbylli kapitullin e fantazisë sonë. Vazhduam me hobi-tenisin në Sarajevë, me një kolegë student nga Vishegradi, dhe sot, qe shtatë vjet merremi me hiking, bjeshkatari (ditën e djeshme rekordi: 2747 m, Maja e Titos/Turku i Madh), nganjëherë edhe me not. Ndërkohë vazhdimisht duke ndjekur sportin si një dukuri që krijon ndjesi, mobilizon miliarda njerëz anekënd botës. Futbollin e ndjekim si sport dominant gjithandej, por basketbollin më aktivisht, dikur në kohën e Magic Johnson dhe Jordan intensivisht, sot në veçanti Euroleague-ën, dhe Eurobasket-in. Sa ishim në kryeqytetin boshnjak më 1991, në Skenderija, patëm rastin të ndjekim edhe AllStar-in madhështor të ish-Jugosllavisë (Kukoç, Gjorgjeviq, Saviq, Komazec…), basketbolli i të cilës dominonte pa konkurrencë nivelin amator botëror.

Këtë vit eventi i kampionatit europian të basketbollit hyri me shumë bujë e pompozitet, si më atraktivi deri tani, me yje të mëdha të NBA si Jokiq, Donçiq, Antetokumpo, por edhe lojtarë të tjerë si MVP europian 2021/22 Miciq, të mirënjohurit  Gober, Dragiq, Larkin… I veçantë ky kampionat, por sipas autoriteteve, nuk duhet harruar kampionatin e vitit 2007 kur luajtën mega-yje si Gasol, Nowitzki dhe Parker.

Dikur basketbolli europian ishte kryesisht vendor, shumë tradicional, pa atë dinamizmin marramendës të profesionalizmit amerikan. Por nga koha e Sabonis, Petroviq, Kukoç, Divac e këndej, në veçanti dhjetë vitet e fundit, edhe kultura europiane e këtij sporti ka ndryshuar shumë. Në saje të lojtarëve me karrierë që nisën të vijnë dhe të atyre që ndërtuan imazhin e yjeve europiane në NBA, basketbolli europian bëri kërcime revolucionare. Sot flitet për përafrim mes ligës europiane dhe asaj amerikane, por në fakt hendeku është ende i madh. Në aspekt të kombëtareve, vetëm Rusia (olimpike, 1988), ish-Jugosllavia (botërori 2002), Franca (Tokio 2021) dhe Serbia e Turqia (botërori 2019) kanë arritur ta mundin apo ta djersitin kombëtaren e SHBA-ve në këtë sport.

Dhe ç’solli Eurobasketi 2022 shumë i përfolur? Flitej që kampionë potencialë janë Serbia, Sllovenia, dhe Greqia, por e para ra në 16-ën e finales, kurse dy të fundit në çerekfinale. Evidente ishte se Sllovenia kishte vetëm dy lojtarë të veçantë, një star dhe të rikthyer në kombëtare, Serbia me dy MVP dhe lojtarë të tjerë pak mbi mesataren, ndërsa Greqia dukej si ekip i ndërtuar mbi nigerianin e jashtëzakonshëm të natyralizuar. Te Serbia para kampionatit ndodhi një surprizë e madhe. Një lojtar si Bogdanoviq mbeti jashtë kampionatit për shkak të lëndimit, ndërsa “magjistari” Teodosiq nuk u përfshi në ekip nga traineri Peshiq, që shkaktoi kritika të mëdha në opinionin publik, duke pasur parasysh performancën e tij në fitimin e EuroCup-it 2021/2022. Miciqi nuk ishte ai Anadolu Efesit që (tre) dy vite me radhë bëhet kampion europian, të tjerët pa performancën e pritur. Pa point-guard apo playmaker që shënon nuk mund të fitohet kampionati. Meqë edhe atje ka zëra për naturalizim të një të tilli, të një “amerikani”, mësojmë se basketbolli serb është në krizë dhe kërkon gjak nga jashtë, ngjashëm siç bëri Spanja me Brown, Gjermania me Schröder. Sllovenia, kampion i deritanishëm, pa traditë të madhe, me ekip shumë koherent eci derisa Donçiq ishte 100% i shëndoshë, kur u lëndua, u eliminua nga një kombëtare mesatare si Polonia. Megjithatë tregoi atraktivitetin që basketbolli i trojeve ish-jugosllave e ruan, siç pamë edhe nga Bosnja që arriti të ngadhënjejë ndaj Francës që doli e dyta në këtë kapmionat. Nga këto hapësira vetëm Kroacia me vite të tëra numëron në vend dhe s’arrin të lançojë lojtarë me famë si dikur vëllezërit Petroviq, (Cibona), Radja, Kukoç, Perasoviq (nga ekipi legjendar Jugoplastika alias Pop-84).

Lexo pjesën e dytë: Eurobasket 2022 (II)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button