A do ta pranojë Evropa recidivizmin tonë?

Në Maqedoninë e Veriut kryeparlamentari Xhaferi ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës maqedonase për referendum. Ndërsa opozita maqedonase e ka quajtur këtë veprim kundër kushtetues. Siç dihet në disa vende të Ballkanit Perëndimor, qytetarë dhe politikanë të kombeve rajonale kanë prirje historike që t’i shohin disa çështje gabim. Dalja në referendum për të testuar edhe ashtu emocionet e nxehta të qytetarëve maqedonas, dihet se nuk shkon në favor të perspektivës së Maqedonisë së Veriut që të anëtarësohet shpejt në BE.

Fundja, procesi i BE-së nuk është vetëm një anëtarësim procedural që kërkon vetëm hapjen dhe mbylljen e kapitujve, aty duhet të jetë dëshira dhe vendosmëria e qytetarëve për të punuar dhe vepruar si në BE. Dhe i gjithë ky vrull për të shkuar pas, lidhet me recidivizmim gjeografik, kulturor dhe historik të disa popujve të Ballkanit. Këtu konkretisht mund të flitet për një pjesë bukur të madhe të politikanëve maqedonas për të rrënuar gjithçka që është bërë gjatë këtyre viteve ose duke i parë gjërat nga këndi i rrethanave të shekullit të kaluar.

Në Maqedoninë e Veriut tek një shtresë e caktuar e qytetarëve kanë ndikuar disa faktorë që kanë çuar në kthim të kokës pas. Pra, për tu rritur veprimet dhe sjelljet recidiviste, kanë kontribuar disa faktorë, dhe më i rëndësishmi është ai ideologjik, plagët që ka lënë komunizmi sovjetik dhe ai jugosllav tek popujt e Ballkanit. Sipas fjalorit ”Webster” recidivizmi është një rikthim, dhe ka të bëjë me kthimin pas.

Recidivizmi është një tendencë për t’u rikthyer në një gjendje të mëhershme ose në veprime që shkaktojnë trazira qoftë në rrethe të ngushta apo të gjëra shoqërore. Është e njohur se recidivizmi shumë pak është luftuar në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet tjera të Ballkanit. Qeveria në Shkup sapo ka folur për kapitujt dhe është takuar me ekipin e BE-së. Ajo që duhet të bëjnë institucionet shtetërore dhe vetë politikanët, është largimi i veseve të këqija dhe të ndaluarit të vepruarit në politikë sipas dëshirës së grupeve oligarkike.

Ndërsa tek opozita nevoja për tu dukur më nacionale shpeshherë e ka nxjerrë në aksion që është interpretuar si recidivizëm. Nuk kemi nevojë për tu dukur si recidivista, mjafton që mendimet dhe aktivitetet politike me përmbajtje të kthimit prapa të mos i përfshijnë të gjitha shtresat e shoqërisë. Po a mund të bëhet kjo? Sigurisht se në kohën e sotme, të propagandës askush nuk mund të mbrohet nga idetë politike të së kaluarës. Tash është koha që qytetarët dhe qeveria në Shkup të japin shenja se e kaluara nuk do të kthehet më.

Dhe me hapjen e kapitujve të BE-së, çështjet do të ndryshojnë për të mirë. Pasi historia dhe emocionet nacionale luajnë rol të rëndësishëm për popujt e Ballkanit, duhet parë nëse kujtesa historike do të luajë rol edhe më tej në sjelljet recidiviste të popujve të caktuar të Ballkanit Perëndimor.

Çështja është që të mos shkohet në BE me një mentalitet të vjetër të drejtueseve dhe të shoqërisë. Kjo do të binte ndesh menjëherë me vlerat e BE-së dhe të drejtat themelore. Pasi që jemi ballkanas dhe të ndikuar nga historia e pushtimeve të huaja dhe të brendshme, do të jetë një proces i vështirë që recidivizmi të tejkalohet lehtë.

Tri dekada që kur komunizmi jugosllav mori fund, rrethanat politike dhe sociale treguan se ende jetojmë me të kaluarën e hidhur të përjetuar që nga Kongresi i Berlinit. Edhe pse është vështirë të mos shikojmë pas, qytetarët dhe politikanë të caktuar nga Maqedonia e Veriut dhe disa të tjerë radikal nga rajoni, duhet të kenë parasysh se koha e tyre po përfundon dhe një epokë tjetër po lind.

Nëse do të vazhdohet si deri më tash, standardet e BE-së do të vazhdojnë të dallohen edhe më shumë nga të tonat dhe ne si ballkanas asnjëherë nuk do të bëhemi BE. Që kur lufta në Ukrainë nisi, bota ka ndryshuar mjaft, dhe kjo detyrimisht kërkon që qeveritë dhe popujt të sillen në përputhje me trendet aktuale. Ndryshe do të vazhdojmë të qëndrojmë në një pozitë asnjë-anëse duke menduar çdoherë si recidivist dhe kombe që vazhdimisht e kanë pësuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button