Përmbytje në tri komuna të Kosovës, banorët vuajnë pasojat e shteti premton zgjidhje

Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar përmbytje, duke dëmtuar dhjetëra shtëpi në Gjakovë, Rahovec e Prizren. Banorët u detyruan që të qëndrojnë jashtë e në gjendje emergjente, përderisa niveli lokal e qendror u ka ofruar mbështetje duke u premtuar strehim e kompensim të dëmeve, shkruan Koha.net.

Mëngjesi i së shtunës, dhjetëra familje të lagjes “Berkoc” në qytetin e Gjakovës, i ka gjetur të vërshuar nga uji. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumit Erenik dhe përmbytjen e zonave përreth.

Banorët që evakuuan prej ekipeve të shpëtimit, u detyruan ta kalojnë ditën nën qiell të hapur, në tokën e baltosur e me ujë përreth. Ata kanë treguar se kjo nuk është hera e parë që uji hyn në çdo cep të shtëpive pas vërshimeve të mëdha.

Hallin se si do ta kalonin natën në këtë gjendje e ndanin me drejtorin për mbrojtje dhe shpëtim, i cili ishte i pari që i vizitoi me mëngjes. I kanë bërë thirrje atij për t’ju siguruar një strehim si dhe shqetësimin e tyre ta përcjellë te kryetari i Komunës, Ardin Gjini.

Vahide Ibrahimi, me dhjetë anëtarët e familjes së saj, ka treguar se shtëpinë e ka të mbushur me ujë dhe në një situatë të pabanueshme.

“Nuk mundemi këtu me qëndru jo vetëm dhjetë minuta, por hiç. Një strehim me na e ba me na lërgu nga këtu. Se nuk është hera e parë por për çdo herë. Na qeshtu po duhet me ndejt. Krejt jemi kanë në gjumë kur na ka hy uji, kojshia na ka shpëtu”, ka thënë Ibrahimi.

E drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Haxhi Sejdiu, teksa ka dëgjuar shqetësimet e banorëve, ka thënë se janë duke intervenuar në 35 lokacione të ndryshme për shpëtim.

“Ekipet tona janë duke reaguar, duke intervenuar. Këtu së pari kanë intervenuar për shpëtimin e jetëve në rend të parë, domethënë i kanë evakuuar këta banorë prej mbytjes së ujit, mandej janë duke punuar nëpër bodrumet e shtëpive dhe objekteve kështu që kemi ekipe me pompa për të intervenuar”, ka thënë Sejdiu pas bisedës që pati me banorët.

Ndërhyrje me zgjidhje emergjente

Pasdite banorët u vizituan edhe nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe Elbert Krasniqin, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal. Aty kanë qenë edhe disa deputetë. Gjini ka premtuar fillimisht zgjidhje emergjente e pastaj edhe të përhershme për këta banorë.

“Për momentin po këqyrim me zgjidh këtë situatë, kjo situatë zgjidhet duke i hjek familjet, nuk guxojmë me i lanë se është rrezik, larg qoftë me na ndodh edhe diçka tjetër, i strehojmë siç duhet, ua paguajmë qiranë dhe u japim pako për me mund me kalu këtë fazë e për zgjidhje të përhershme, thashë që e kemi nisur të ndërtojmë objekt të banimit social”, ka thënë Gjini.

Përveç rrugës “Shote Galica”, në Gjakovë uji vërshoi edhe dhjetëra kate përdhese të shtëpive te “Pika e Zezë”, duke shkaktuar dëme të mëdha brenda.

Banori Canë Deliaj ka treguar se gjendjen e ka rënduar edhe mosrregullimi me kohë i gypave, për të cilën gjë ka fajësuar Komunën, për, siç ka thënë, neglizhencë.

“Problemi qëndron te këta gypat këtu që ka filluar komuna dhe ia ka dhënë një firme projektin, prej vitit të ri punojnë dy ditë, dhjetë nuk punojnë dhe prej vitit të ri jemi kështu. Problemi është te kompania punëkryese. Kemi shku edhe në komunë jemi anku, nuk kanë ndërmarrë kurrgjë”, ka thënë Deliaj.

E kryetari Ardian Gjini i pyetur për banorët edhe të kësaj lagjeje ka thënë se do të vlerësojnë dëmet edhe në këtë pjesë.

“Te ‘Pika e Zezë’ kemi punuar në vitin e kaluar, sivjet nuk është përfunduar fatkeqësisht. Veç i lus ta sanojnë gjendjen që e kemi tash. Këqyrim me e sanu sa të mundemi. E ai kanalizim përfundon edhe te ‘Pika e Zezë’. E dimë që e kemi një problem edhe me pronë. Nuk e kemi pritur që kaq herët mund të na zë pa përfundu vera, po me të vërtetë ka pasur prurje jashtë normës”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjakovës.

Sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, ekipet e intervenimit nga Komuna e Gjakovës kanë evakuuar nëntë familje me së paku 80 anëtarë. AME ka bërë të ditur se pjesë më e rrezikuar nga vërshimet në Gjakovë ishte fshati Brekoc, i cila siç thuhet, është vërshuar në tërësi nga rritja e nivelit të lumit Erenik. AME-ja ka njoftuar se janë vërshuar edhe disa lagje të qytetit siç janë lagjja e “Qabratit”, lokacioni i quajtur Pika e Zezë, fshati Brodosan, Meje, Rugovë e Hasit, rruga “Ahmet Koronica”, pjesa e bllokut të ri tek ura e Moglicës dhe disa të tjera me intensitet më të vogël.

Rahoveci pret kompensim nga Qeveria

Mëngjesi i së shtunës i gjeti edhe banorët e fshatrave të Rahovecit dhe të Prizrenit, duke u marrë me pasojat e rrebeshit të shiut. Sipas banorëve, u janë shkaktuar dëme të mëdha, për çka kërkojnë zgjidhje nga institucionet komunale. Banori Adnan Kadiri, ka thënë se dëmet janë të papërshkrueshme.

“Sa herë që bie shi, ne vazhdimisht kemi probleme me ujërat. Në bodrum dhe makinat e barit, fleksa, nuk patëm as edhe një minutë kohë sepse erdhi lumi dhe shkatërroi çdo send. Kemi pasur disa pula sa munda disa i shpëtova, 20-30 sosh i barti uji, ku edhe mua ishte duke më bartur uji, edhe traktori është mbushur me ujë”, ka thënë Kadiri.

Në Komunën e Rahovecit kanë thënë se janë duke bërë përpjekje për ta rregulluar shtratin e lumit.

Sipas kryetarit Smajl Latifi, vërshimet kanë shkaktuar dëme edhe në Qendrën e mjekësisë familjare. Ai ka kërkuar që Qeveria t’i kompensojë dëmet.

“Ne nga pasmesnata jemi në terren gjatë gjithë kohës. Njerëzit janë të dëshpëruar dhe kanë vërejtjet e veta me të drejtë. Prurjet e shiut janë të mëdha dhe është problem për ta përballuar. Kemi kërkuar ndihmë emergjente nga Qeveria për t’i kompensuar dëmet, të cilat janë evidente edhe në amvisëri, infrastrukturë publike, por edhe në bujqësi”, ka thënë Latifi.

Reshjet e shumta të shiut kanë krijuar telashe edhe për banorët e fshatit Randobravë të Prizrenit. Ata janë mobilizuar për t’i pastruar rrugët, por edhe për t’i mbrojtur pronat e tyre nga vërshimet eventuale.

Rrahman Berisha ka thënë se të premten mbrëma ka pasur reshje të shumta dhe se ato kanë krijuar telashe, pasi uji ka depërtuar në një pjesë të shtëpisë së tij. Sipas tij, për çdo herë kanë probleme të kësaj natyre në këtë anë të Përdrinisë.

“Kur po vjen shumë, këta gypa janë të vogël, janë ngushtuar dhe po hyn tani, s’po ka kah të kalojë. Kanë qenë më herët, kush e kanë pasur nuk e di, për me ndreq, por nuk e di”, ka thënë Berisha.

Mbështetje për qytetarët e prekur nga vërshimet ka premtuar Qeveria. Duke shpalosur veprimet e ndërmarra deri më tani, në ekzekutiv kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të reagojnë, në rast nevoje.

“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellë njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. AME është duke e përcjellë gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komuna. Ministria e Punëve të Brendshme/Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim në lagjen ‘Shote Galica’ dhe në lagjet e tjera. Është ngritur niveli i gatishmërisë dhe nga Prishtina është nisur një njësi me pompa për tërheqje të ujit me kapacitet të madh. Një njësi e kërkim shpëtimit të AME-së është në gatishmëri, nëse duhet të shkojë për mbështetje, por aktualisht nuk ka nevojë për një veprim të tillë. Policia e Kosovës gjatë tërë kohës po u qëndron pranë qytetarëve në këto komuna”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Edhe në dy komunat më të prekura si pasojë e përmbytjeve të shiut, në Gjakovë e Rahovec, të shtunën qëndruan ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Krasniqi ka thënë se janë duke punuar së bashku me komunat për t’i vlerësuar dëmet e shkaktuara.

“Sigurisht si Qeveri do të shohim bashkë me Komunën e Gjakovës, por kemi edhe situatën me Komunën e Rahovecit që t’i vlerësojmë dëmet që janë bërë dhe të shohim se cilat janë mundësitë dhe përgjegjësitë edhe të nivelit lokal dhe qendror që ta tejkalojmë, por fatmirësisht që nuk ka dëme në njerëz edhe tash mundemi me menaxhu situatën më lehtë dhe më mirë”, ka thënë Krasniqi.

Ministri i Punëve të Brendshme është shprehur se bashkëndien me situatën e banorëve.

“E dimë që nuk e keni lehtë me i pa shtëpitë e juaja, pasurinë e juaj në këtë gjendje, por unë besoj që bashkë këto vështirësi kemi me i tejkalu, me i tejkalu një herë e përgjithmonë”, ka thënë Sfeçla.

Me situatën me të cilën janë duke u përballur qytetarët pas reshjeve të shiut, janë shprehur të shqetësuar krerët opozitarë. Ata kanë pasur kritika për ekzekutivin e kanë kërkuar intervenim emergjent nga niveli qendror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button