Drejtori i ELEM: Kufizimet e energjisë elektrike nuk janë opsion

Drejtori i Përgjithshëm i Elektranave të Maqedonisë së Veriut (ELEM), Vasko Kovaçevski, në emisionin “360 Shkallë” duke folur për krizën energjetike dhe mundësinë e kufizimeve të energjisë elektrike, tha se kjo nuk është një opsion për ELEM-in dhe Qeverinë, transmeton Portalb.mk.

Sipas Vasko Kovaçevskit, ELEMI është duke u përgatitur intensivisht për rritjen e prodhimit vendor, i cili do të mbulonte sasitë e nevojshme për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.

Vasko Kovaçevski, foto: Qeveria e RMV-së
Vasko Kovaçevski, foto: Qeveria e RMV-së

“Për kufizimet që janë shpallur edhe vitin e kaluar, por nuk ka pasur, edhe pse pjesë e të ashtuquajturit ekspertët e energjisë dhe disa parti politike parashikuan skenarë të errët, më në fund ne e përballuam me sukses krizën energjetike sezonin e kaluar të ngrohjes. Tani po përgatitemi edhe më tej, sepse të gjitha njoftimet, deklaratat e të gjithë liderëve në Evropë dhe në botë, parashikojnë se dimri i ardhshëm do të jetë një nga më të vështirët në 70 vitet e fundit”, tha Vasko Kovaçevski.

Ai shtoi se motiv shtesë për ta në ELEM dhe për kompanitë e tjera energjetike, por mbi të gjitha për Qeverinë, është, së pari, sigurimi i burimeve të mjaftueshme për prodhimin e energjisë elektrike, së dyti – të kemi një sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike pa kufizime, por gjithashtu i kushtohet vëmendje çmimit.

Ai theksoi se kemi çmim të rregulluar deri në fund të vitit dhe çmimi për gjashtë muajt e ardhshëm duhet të përcaktohet në dhjetor”.

Vasko Kovaçevski nënvizoi se ELEM është duke bërë përgatitje për të sjellë sasi shtesë të energjisë elektrike dhe për tregun e lirë ku institucionet publike dhe një pjesë e ekonomisë blejnë energji elektrike.

I pyetur për rifillimin e njësisë së tretë në QRE “Manastir”, i cili është jashtë funksionit pas djegies së transformatorit në nëntor të vitit të kaluar, Vasko  Kovaçevski u përgjigj se planet janë që nga 1 nëntori i këtij viti të rifillojë.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Ditë më parë nga Qeveria njoftuan se do të zvogëlohet marzha e furnizuesit me energji elektrike nga 50 në 20 për qind.

Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button