Osmani konfirmoi: Ka njohuri për ndikim rus në jetën politike në vend nëpërmjet burimeve të caktuara të financimit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media konfirmoi se ka njohuri dhe indikacione për ndikim rus në jetën politike në vend nëpërmjet burimeve të caktuara të financimit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ai tha se nuk kishte informacion të mëtejshëm lidhur me informacionet e Departamentit të Shtetit se Rusia, nga viti 2014, ka dhënë fshehtas më shumë se 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, duke përfshirë politikanë nga Ballkani Perëndimor, por vuri në dukje se nga analizat  e institucioneve tona del se një gjë e tillë ekziston dhe është komunikuar dhe konstatuar disa herë.

“Ka përpjekje për ndërhyrje të tilla në jetën partiake-politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por këto pyetje do të marrin përgjigje nga institucionet përgjegjëse për këtë”, tha Osmani.

Shefi i Diplomacisë, duke iu përgjigjur pyetjes rreth njoftimeve të Levicës për shpalljen e nismës së re për referendum, tha se qëndrimi i tij personal është që ata nuk janë parti maqedonase, por parti në funksion të propagandës ruse për ta kthyer Populli maqedonas kundër BE-së dhe SHBA-së”.

Sipas raportit të inteligjencës amerikane, të cilin e kanë raportuar edhe mediat kroate Jutarnji.hr, Rusia në vitin 2017 i ka dhënë Partisë Demokratike të Shqipërisë gjysmë milioni dollarë përmes kompanive fantazmë. Dhe kjo e dhënë përkon me hetimet që u hapën atëherë në Shqipëri ndaj Partisë Demokratike, në opozitë, bazuar në deklaratat se firma lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” ka raportuar se i kishte marrë paratë për Partinë Demokratike. Gjegjësisht, në vitin 2018, lobistët kanë raportuar në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së se për punën e tyre në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017, kanë marrë tre pagesa në shumën totale prej 675.000 dollarë.

Përveç Shqipërisë, në raport përmenden edhe Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi. Bëhet fjalë për financimin e fushatës së liderit serb të Bosnjës Millorad Dodik për zgjedhjet e vitit 2018, si dhe paratë për partinë pro-ruse në Mal të Zi, Frontin Demokratik.

Siç shkruan Jutarnji, informacionet për vendet e tjera të rajonit mbahen të fshehura nga publiku, por në Slloveni, Janez Jansha mund të llogarisë në mbështetje financiare të Viktor Orbanit, gjë që e lidh atë indirekt me burime ruse.

Sipas Jutarnjit, janë dy çështje thelbësore për të cilat do të ishte mirë të publikohej informacioni i inteligjencës amerikane. E para është se për kë pagoi Moska gjatë zgjedhjeve në Bullgari (2 tetor do të jenë zgjedhjet e katërta në dy vitet e fundit).

“Përfitues i sigurt është Partia Socialiste, por do të ishte e vlefshme të dihej nëse në “librin e zi” të Kremlinit është i përfshirë edhe Sllavi Trifonov, këngëtari i cili u bë politikan dhe e rrëzoi qeverinë pro-perëndimore të kryeministrit Kirill Petkov”, ka theksuar media kroate.

Një çështje tjetër, sipas Jutarnji, është Maqedonia e Veriut, ku Rusia ka shpenzuar shumë para dhe ka investuar shumë energji për të ndalur Marrëveshjen e Prespës, e cila e zgjidhi çështjen e emrit me Greqinë dhe e hapi rrugën për anëtarësim në NATO.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button