A do të shpëtojë Kosova nga bosnjizimi?

Tema e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë fitoi në peshë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Shpresat për përfundimin e kësaj odisejade të lodhshme i ka ngjallur së fundmi përpjekja e Gjermanisë dhe Francës për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që ka pak gjasa të kurorëzohet me njohjen reciproke të dy shteteve fqinje.

Për mendjen e shëndoshë me kujtesë të esëllt  kjo çështje është dashur të mbyllet që në vitin 2007, kur i dërguari special i OKB-së për Kosovën, ish kryetari finlandez Martti Ahtisaari pranoi detyrën e drejtuesit të procesit për arritjen e marrëveshjes për statusin e Kosovës së çliruar nga kthetrat serbe. 12 anekset e Planit të Ahtisaarit kishin të bëjnë me: themelimin e shtetit të Kosovës, Kushtetën e saj, shtyllat e pushtetit shtetëror, përbërjen e qeverisë dhe kuvendit, sistemin e drejtësisë, liritë dhe të drejtat e njeriut, të drejtat e komuniteteve pakicë që favorizonin komunitetin serb, decentralizimin dhe mënyrën e qeverisjes lokale, sistemin gjyqësor, trashëgiminë fetare dhe kulturore, që gjithashtu favorizoi pakicën serbe, sektorin e sigurisë, prezencën ndërkombëtare në fushën e drejtësisë dhe atë ushtarake etj.

Plani në fjalë synoi kënaqjen e oreksit të të dy palëve, pa çka se njëra palë qe pushtuesi dhe persekutori i shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm, kurse pala tjetër viktima shekullore e albanofobëve serbë. Kështu, sado që Pakoja e diplomatit të njohur hapi udhën e statusit përfundimtar të Kosovës dhe atë të shfuqizimit të Rezolutës 1244, forrmimit të ushtrisë kosovare dhe disa favoreve të tjera, parë në tërësi e dëmtoi rëndë Kosovën, sepse nuk e përkufizoi qartë statusin e saj si shtet të pavarur; privilegjoi tej çdo mase pakicën serbe; krijoi zonat e mbrojtura; la mundësinë e decentralizimit sipas qejfeve serbe…, duke e cunguar kësisoj Kosovën dhe duke e shndërruar në shtet që nuk mund të konsolidohet e të forcohet mirëfilli në asnjë aspekt.

Megjithatë edhe kjo ishte pak për Serbinë e cila përdori lloj-lloj kleçkash për të penguar zbatimin e Planit të Ahtisaarit në komunat me shumicë serbe të veriut të Kosovës. Ajo nuk u kënaq me privilegjet e pashembullta të pakicës serbe në Kosovë: me të drejtën e lidhjes së vazhdueshme të serbëve me shtetin amë, me vetësundimin e tyre në fushat e rëndësishme të jetës, si: arsimi, shëndetësia, financimet nga Beogradi, mundësia e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, por nën kupolen e shtetit të Kosovës, mundësia e jetës pa e ndier fare mungesën e shtetit amë etj. Ajo kërkoi dhe vazhdon të kërkojë një Asociacion me ingerenca shteti, një pavarësi të plotë të pakicës serbe, sipas modelit të Republikës serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Sipas Serbisë gjithçka në Veriun e Kosovës: gjyqet, policia, kompetencat komunale, financat, bashkëpunimi me Serbinë, doganat, energjia, telekomet dhe veçmas Trepça dhe Gazivoda të mos kenë asnjë lidhje me Kosovën shtet të pavarur.

Mjerisht, synimeve të këtilla nuk ua vari veshin parësia e Kosovës, ndaj më 2013 nënshkroi  marrëveshjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që u shfuqizua nga Gjykata kushtetuese e Kosovës, por që, pavarësisht kësaj të dhëne, vazhdoi të përkrahet nga krerët e BE-së, që sot kërkojnë me ngulm formimin e saj, pa u lodhur me faktin se Serbia nuk ka respektuar pothuajse asnjë marrëveshje të nënshkruar me Kosovën, të cilën nuk e ka ndërmend ta pranojë për asnjë Asociacion, sepse ëndrra e saj është Kosova pa shqiptarë, Kosova e ngjashme me Mollën e Kuqe, pas gjenocidit të vitit 1877.

Ajo që shqetëson më së shumti shqiptarët është e dhëna se mosformimi i Asociacionit ka përskequr së fundmi raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, aq sa aktualisht parësia kosovare gati ndodhet para një akti të kryer. I vetmi diplomat që kërkon zëshëm që formimi i Asociacionit duhet të bëhet në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, është i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobari. Por, për paradoks, qëndrimi i z. Eskobar bie ndesh edhe me qëndrimin tejet servil të kryeministrit të Shqipërisë, që është poshtërrues për gjithë shqiptarët. Katandisjen e tij në telall të Vuçiqit sigurisht nuk arrijnë ta kuptojnë aleatët tanë të dëshmuar, sepse Zeusi me kule përpiqet mëkot të shpëlajë mëkatet e Sebisë, të vetmes aleate dhe adhuruese të krimeve ruse në Ukrainë. Rama i shkretë shkon aq larg sa u mbyt duke lutur diplomacinë evropiane që ta mirëkuptojë pinjollin e Kasapit famëkeq të Ballkanit, sepse është gjynah të prishësh dashninë e tij të vjetër me Putinin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button