Nuk do të ketë mungesë ushqimesh, por askush nuk mund të garantojë çmimet në Maqedoninë e Veriut

Aktorët në degët e industrisë nuk presin mungesa të produkteve të ushqimeve bazë këtë dimër, megjithëse kërkesa po rritet mes spekulimeve se disa do të harxhohen rezervat e disa artikujve. Por ata thonë se çmimet do të jenë sfidë e madhe. Institucionet pohojnë se situata është nën kontroll, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Raftet me sheqer në Serbi janë gjysmë bosh, ndaj banorët presin me ditë dërgesa të reja, ose ata që janë më afër vijnë për ta blerë në Maqedoni. Problem të ngjashëm ka edhe në Kroaci pasi shteti e kufizoi çmimin e produkteve ushqimore bazë. Në vendin tonë, nëpër dyqane, kishte rafte bosh në fund të dimrit, kur vaji i gatimit nuk gjendej as për ilaç, si dhe kur krijoheshin rezerva edhe me ushqime bazë, si mielli e sheqeri.

Në kulmin e krizës energjetike, ndërkohë që të gjitha institucionet paralajmërojnë se na pret një nga dimrat më të vështirë, shumë pyesin se çfarë do të hamë këtë dimër, nëse do të ketë mungesë të produkteve bazë dhe cilat do të jenë çmimet e tyre.

Çmimet kanë shkuar deri në tavan, por bukë do të ketë

Tavolina në Maqedoni është e vështirë të imagjinohet pa bukë, por çmimi i saj është rritur për 44 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Buka bëhet nga mielli, kurse mielli kryesisht nga gruri, korrja e të cilit këtë vit ishte e mirë, por ende e pamjaftueshme për të plotësuar plotësisht nevojat e Maqedonisë. Siç shpjegon pronari i mullirit Ramadan Vejseli, anëtar i Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe Odës së Maqedonisë Veriperëndimore, pjesa tjetër do të importohet nga Serbia “si më parë”, prandaj nuk pret probleme të mëdha.

“Nuk do të ketë mungesë, Maqedonia gjithmonë ka pasur mjaft grurë, por nëse shfaqet mungesë, shteti ka rezerva shtetërore që ne mund t’i shfrytëzojmë deri në korrjen e ardhshme pa problem. Prandaj nuk ka nevojë për panik e as për shqetësim”, qetëson Veseli.

Ndërsa në lidhje me çmimet e bukës, thotë se për momentin janë të qëndrueshme, por nuk e përjashton mundësinë që çmimet e reja të rriten, nëse çmimet e energjisë elektrike dhe karburanteve rriten më tej.

Vitin e kaluar mullixhinjtë e blenë grurin vendor për rreth 10 denarë për kilogram, këtë vit mbi 20. Ndërkohë prodhimi i bukës është shtrenjtuar për më shumë se 100 për qind, nëse shikohet çmimi i energjisë.

Rritja e çmimeve të ushqimeve gusht 2021 / gusht 2022

Spekulimet i zbrazin raftet e qumështit

Çmimi i qumështit dhe produkteve të qumështit këtë vit u rrit për 27 për qind, ndërsa thatësira dhe rritja e çmimit të ushqimit të kafshëve e uli prodhimin e tij këtë vit. Megjithatë, përpunuesit sigurojnë se nuk do të ketë mungesë të përhershme dhe se nuk ka vend për frikë.

Sipas Gjorgi Petrushev, nga Grupi për prodhimin, blerjen dhe përpunimin e qumështit, sfidat në industrinë e qumështit në Maqedoni nuk janë asgjë e re. Ai paralajmëron se si industria përpunuese ashtu edhe prodhuesit janë përballur me rritje enorme të shpenzimeve, kryesisht për shkak të rritjes së çmimit të lëndëve energjetike.

“Megjithatë, mund të thuhet se nuk bëhet fjalë për mungesë të përhershme të qumështit, nuk ka arsye për frikë të tillë. Duhet thënë gjithashtu se në perceptimin e mungesës kontribuon edhe rritja kërkesës dhe blerjes për shkak të spekulimeve se nuk do të ketë qumësht”, thotë Petrushevski.

Ndërkohë është rritur edhe çmimi i blerjes së qumështit, kështu që krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje prej rreth 40 për qind. Maqedonia ka prodhuar pak më shumë se 320 milionë litra qumësht vitin e kaluar, që është prodhimi më i keq në dhjetë vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, janë importuar gati 60 milionë kilogramë qumësht dhe produkte qumështi, ose gati gjysma më shumë se sa kemi importuar një dekadë më parë.

Vaj për gatim ka, çmimet janë të pasigurta

Nëse disa muaj më parë në rafte nuk kishte vaj të lulediellit, nuk ka asnjë shenjë se kjo mund të ndodhë këtë dimër. Kjo industri është pothuajse tërësisht e varur nga importi, por situata është stabilizuar, thotë Orde Georgieski nga fabrika “Vitaminka”, një nga tre prodhuesit më të mëdhenj të vajit për gatim në vend.

“Është avantazh që Serbia e lejoi eksportin e vajit, sepse e kishin ndaluar për të mbrojtur prodhimtarinë e tyre. Sasitë e rëna dakord të vajit si lëndë e parë rrjedhin pa probleme nga atje, ndërsa ne e rafinojmë atë, si ka edhe disa korridore të lira nga Ukraina. Kini parasysh se Ukraina dhe Rusia kanë rreth 55 për qind të prodhimtarisë botërore të vajit dhe për këtë ka pasur krizë”, sqaron Georgieski.

Çmimet e vajit të lulediellit shkaun në tavan menjëherë pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë, më pas kësaj kishte një periudhë qetësie në treg, pasi rezervat e vjetra të vajit filluan të shiteshin para fillimit të revoltës së re. Megjithatë, çmimet në bursa luhaten, kështu që nga kjo varet se sa do të kushtojë vaji në dyqan.

“Tashmë nuk kemi asnjë pengesë në aspektin e prodhimtarisë, importi po shkon ashtu siç duhet, kemi sasi për muajt në vijim, e çfarë do të ndodhë me çmimet mbetet për t’u parë, ne jemi duke e monitoruar vazhdimisht dhe kështu i lidhim kontratat”, përfundon Georgieski.

Përpunuesit e mishit janë skeptikë

Në anën tjetër, situata me industrinë e mishit nuk është rozë, të paktën sipas deklaratave të Goce Trajçevit, kryetar i Grupit për prodhimin e mishit dhe përpunimit të mishit.

Si arsye për këtë ai përmend krizën energjetike dhe rrymën e shtrenjtë. Maqedonia është vend që varet nga importi edhe për sa i përket mishit, ndërsa kriza i ka detyruar kompanitë të mos mbajnë rezerva të mëdha të mishit. Prandaj, ai konsideron se ka mundësi të ketë mungesë, por vetëm të disa kategorive specifike të mishit që importohet.

“Në pjesën e përpunimit ka ndërprerje të dërgesave, e kam fjalën për lëndën e parë të importuar. Qeveria nuk e ka parë të arsyeshme të zgjerojë masën për heqjen e taksës doganore për përpunimin e mishit të derrit për kompanitë, që është një barrë shtesë, prandaj janë faktorë ku mund të ketë ndikim”, thotë Trajçev.

Prodhimi i mishit të derrit është i pamjaftueshëm për të plotësuar as nevojat e tregut për mish të freskët, për këtë arsye prodhuesit vendas janë të detyruar të importojnë mish të freskët si lëndë të parë. Vetëm për importin e mishit të pulës, p.sh., shpenzohen pesëdhjetë milionë euro në vit. Në gjysmën e parë të vitit 2022, vendi kishte deficit tregtar prej 246 milionë eurosh, për ushqim dhe kafshë.

Do të ketë sheqer, rezervat janë plot

Kur bëhet fjala për sheqerin, nga ana tjetër, Maqedonia e merr atë ekskluzivisht nga importi; edhe si lëndë të parë dhe si produkt final. Kompanitë thonë se rezervat e tyre janë përplot dhe se kanë sasi deri në fund të dimrit.

Prandaj, në tregun e Maqedonisë nuk ka mungesë sheqeri dhe nuk pritet të ketë. Problemi është kryesisht në rritjen e çmimeve e sheqerit si lëndë e parë, që u dyfishua vitin e kaluar. Ndërsa sa do të kushtojë sheqeri i prodhuar, varet drejtpërdrejt nga çmimi i lëndës së parë në bursat botërore, e me këtë edhe çmimi përfundimtar, ai në raftet e dyqaneve.

Dikur në vend prodhohej panxhari i sheqerit, i cili i shitej blerësit të vetëm, fabrikës së sheqerit në Manastir “4 Nëntori”. Por pasi fabrikën e sheqerit e bleu një kompani bullgare, ajo përdori lëndë të parë nga importi, kështu që blerja e panxharit në vend u ndërpre në vitin 2008.

Ndryshe, për të parandaluar goditjen e çmimeve, Qeveria ka kufizuar marzhën tregtare të produkteve ushqimore bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Kjo vlen për bukën e bardhë, sheqerin si dhe për vajin e lulediellit të rafinuar dhe është deri në 5 për qind në tregtinë me shumicë dhe deri në 5 për qind në tregtinë me pakicë.

Marzha tregtare deri në 10 për qind është vendosur për miellin e grurit, makaronat, orizin e bardhë Maqedonas, qumështin e përhershëm të lopës dhe vezët e pulës. Masa, siç është paraparë, është e vlefshme deri në fund të këtij muaji.

Sa i përket dispozicionit të produkteve, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, Ljupço Nikollovski, disa ditë më parë theksoi se do të sigurohen produkte të mjaftueshme ushqimore.

“Në kuadër të marrëveshjes për sigurimin e sasive me ushqim që kemi lidhur në Samitin e fundit të Ballkani i Hapur u formuar një Komision që i analizon të gjitha kapacitetet për magazinim në të tre shteteve për t’iu ofruar qytetarëve produktet bazë. Ne propozojmë rritje prej 30 për qind të subvencioneve bazë për kokë në sektorin e blegtorisë, i eliminojmë të gjitha masat që janë abuzuar deri më tani në bazë të të gjitha analizave dhe besoj se ky koncept do të japë mbështetje serioze në sektorin e blegtorisë si dhe masat tjera nga Programi për zhvillim rural”, theksoi Nikollovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button