PK “Mali Sharr” ende nuk funksionon, qytetarët ankohen për kërcënimet ndaj “Sharrit” (Video)

Draft-Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar Mali Sharr për periudhën 2022 – 2031 ka keqkuptime në interpretim. Ishte kjo një problemet që dolën në pah nga debati publik për Malin Sharr, për të cilin Ministria e Mjedisit dhe Daniel Bogner, ekspert për menaxhimin e zonave të mbrojtura u zotuan se do e rregullojnë në periudhën në vijim. Qytetarët shpalosën brenda dhe sugjerimet e tyre për menaxhimin e Parkut Kombëtar Mali Sharr. Institucioni i ri publik “PK Mali Sharr” ende nuk funksionon, shkruan Portalb.mk.

Për menaxhimin e këtij parku kombëtar, të pranishmit nga autoritetet theksuan se ka shumë punë për t’u bërë. Për këtë qëllim sot në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës dhe Ligjit për Mjedisin Jetësor u mbajtën dy debate për informim dhe diskutim në Universitetin e Tetovës.

Qytetarët mes tjerash theksuan problemin me hidrocentralet, fondet e parkut, raportet me pushtetin lokal për turizmin dhe urbanizmin, menaxhimin me mbeturina me të cilat sipas Ministrit të Mjedisit përgjegjëse mbeten komunat, problemi me prerjen e drunjve dhe nevoja për të njëjtat nga banorët e malësisë, sëmundja e gështenjës që thanë drunjtë, mbrojtja e bimëve të rralla, subvencionimi i banorëve lokalë, mbrojtja e bletëve nga arinjtë, menaxhimi më efikas me Kodrën e Diellit, si vënia në funksion e teleferikut, parkingjet, transporti, shtigjet e skijimit të jenë edhe në zonën aktive dhe të qëndrueshme.

Kur jemi te shtigjet e skijimeve, pikërisht doli në pah se kishte keqkuptim në interpretim në draft versionet pasi kishte mospërputhje të elementeve aty, për të njëjtën u premtua se do të zgjidhet.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qytetarët thonë se përveç bukurive, Mali Sharr ka edhe kërcënime si vërshimet. E për këtë, ministri i Mjedisit Naser Nuredini tha kjo vjen si rezultat i keqmenaxhimit.

Qytetarët madje edhe kritikuan pasi kjo nismë rrënjët i ka që në vitin 1997 dhe siç tha një qytetar, nëse do ishte marrë kjo seriozisht sot nuk do kishte hidrocentrale.

Për sa u përket hidrocentraleve në zonën e mbrojtur të parkut, Nuredini tha se do të ndalohet ndërtimi i të njëjtëve ndërsa ata që janë në proces për tu ndërtuar, si Ministri do të prishin mbi pesë deri gjashtë prej marrëveshjeve dhe do paguajnë dëmshpërblimin që të njëjtat mos të ndërtohen. Kurse sa u përket atyre ekzistuese ministri tha se do të ketë inspektime më të shpeshta.

U përmend edhe ndërtimi i tunelit Tetovë-Prizren, ku drejtori i IPPK Mali Sharr Ibrahim Dehari tha se Ministrisë së Transportit i kanë dhënë mendim negative për shkak që demit që mund t’i shkaktohet parkut dhe natyrës.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Përkundër faktit se kanë kaluar më tepër se një vit që kur Mali Sharr u shpall si park kombëtar, i njëjti ende nuk funksionon. Ende nuk funksionojnë zyrat, nuk ka punësime të stafit dhe punë të tjera.

Ministri i Mjedisit theksoi se më mirë është të vonohen pak procedurat por të jenë të suksesshme në fund, në vend se të shpejtohet dhe të gabohet.

“Nuk duam të krijojmë një muze, por dëshirojmë të krijojmë një ekonomi të re të qëndrueshme në zonën e parkut kombëtar”, tha Nuredini.

Zyrat e Parkut Kombëtar do të jenë në Tetovë te qendra e Gondolës për në Kodrën e Diellit dhe pritet që së shpejti të hapen.

Mirëpo tani për tani aty është vetëm drejtori i punësuar. Për PK “Mali Sharr”, nevojiten afërsisht 80 të punësuar ndërsa nga Parku Nacional për këtë vit kanë paraparë vetëm 15, ndërsa tjerat për vitet në vijim.

Mes tjerash, Nuredini theksoi se janë në bisedime me investitor potencial për në Kodrën e Diellit, ai tha se ka diçka konkrete ku punojnë grupet punuese, por që pritet të informojnë muajt e ardhshëm.

Draft-Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar Mali Sharr për periudhën 2022 – 2031 është i disponueshëm në ueb faqen e MMJPH-së në linqet vijuese:

Draft-Raporti i Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Draft-Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar Mali Sharr për periudhën 2022 – 2031 është i disponueshëm në ueb faqen e MMJPH-së në linqet vijuese:

Vërejtjet dhe propozimet mund te paraqiten edhe 10 ditë nga sot në adresat e mëposhtme të kontaktit:

Instituti Publik Parku Kombëtar Mali Sharr Rr. Njegosheva, nr.3, 1200 Tetovë, Republika e Maqedonisë së Veriut ose në adresën elektronike: [email protected] dhe kopje deri te Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sheshi “Presveta Bogorodica” nr.3, 1000 Shkup adresa elektronike: [email protected]

Kujtojmë që një pjesë e Malit Sharr si park Nacional u shpall qershorin e vitit 2021

Mali Sharr është një vend ideal ku vizitorët mund të shijojnë eko-turizmin që zhvillohet në një mjedis të shëndetshëm. Plani parashikon zhvillimin e aktiviteteve turistike në harmoni me objektivat e ruajtjes së vlerave natyrore dhe ngritjen e një marke të re turistike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Mali Sharr është një pikë e nxehtë evropiane e biodiversitetit dhe një zonë e karakterizuar nga vlera të jashtëzakonshme natyrore. Ka florë dhe faunë të pasur dhe njihet më së shumti si shtëpia e rrëqebullit ballkanik. Ka 128 lloje zogjsh, 51 lloje gjitarësh dhe mbi 1000 lloje bimësh.

Me Malin Sharr u rrumbullakua rajoni i mbrojtur që shtrihet në tre shtete dhe e mbulon një zonë të mbrojtur ndërkufitare me një sipërfaqe totale prej 244.617 hektarë. Parku kombëtar në Kosovë është që nga viti 1986, ndërsa në Shqipëri ekziston zonë e mbrojtur Korabi në kategorinë e parkut natyror që nga viti 2011. Parku Kombëtar i Mavrovës dhe parku i sapo shpallur i Malit Sharr u shtohen atyre zonave, ashtu që e gjithë zona me vlera të jashtëzakonshme biologjike dhe estetike fitojnë mbrojtje integrale. Zona e re e mbrojtur mbulon 62,705 hektarë dhe sipas kritereve të IUCN të kategorisë II – Park Kombëtar, më shumë se 75 për qind e territorit është nën një shkallë të lartë mbrojtjeje.

Institucioni i ri publik “PK Mali Sharr” do të ketë për obligim të ndalojë dhe kontrollojë këto procese, ndërsa nga ana tjetër të edukojë popullatën dhe të promovojë mënyra pozitive dhe të qëndrueshme për zhvillim të rajonit.

Në zonën e Parkut të ri hyjnë 30 fshatra me pak më shumë se 26.000 banorë, të cilët do të jenë në gjendje të zhvillojnë eko-turizmin rural, mënyra tradicionale të përgatitjes së ushqimit, krijimin e markave lokale të ushqimit, hapjen e restoranteve ose rritjen e produkteve bujqësore, të gjitha këto në kuadër të ruajtjes së vlerave të burimeve natyrore të Sharrit. Me pak fjalë, pritet një numër përfitimesh, jo vetëm në ruajtjen e natyrës, por edhe përfitime socio-ekonomike si dhe demografike.

Në të gjithë territorin e Parkut Kombëtar “Mali Sharr” nuk do të lejohen të ndërtohen hidrocentrale të reja, miniera dhe të gërmohen miniera, nuk do të bëhen hulumtime gjeologjike e as instalim të infrastrukturës së gazsjellësit. Në të gjitha zonat e menaxhimit do të ndalohet kultivimi i bimëve dhe kafshëve aloktone (jovendase) dhe pushtuese, parashihet në Projektplanin për Menaxhim me Parkun Kombëtar, i cili u prezantua në nëntor të vitit të kaluar.

Në zonën rreptësishtë të mbrojtur të Sharrit nuk do të guxon të ndërtohen shtëpi apo rrugë, të qarkullojnë automjete, as të ndërtohet infrastrukturë, të mos korren bimë apo të hapen pishina për kultivim të peshkut.

Në Projektplanin për Menaxhim të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, krahas zonave të mbrojtura dhe aktiviteteve që do të lejohen, rregullohen edhe potencialet dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm të zonës. Më shumë se njëqind aktivitete janë planifikuar në disa fusha që mund të realizohen.

Buxheti për financimin e parkut, sipas Projekt versionit të planit për menaxhim, është një milion euro për funksionimin e parkut dhe dy milionë euro për realizimin e aktiviteteve nga programet dhe kërkime shkencore.

Ndër kërcënimet më të mëdha për natyrën dhe biodiversitetin e Sharrit janë prerja e pyjeve, mbetjet, frekuenca e lartë e mjeteve motorike në të gjitha zonat, grumbullimi i produkteve pyjore, si dhe shfaqja e fierit si pasojë e neglizhencës dhe mbulimi i zonave të braktisura bujqësore.

Kufijtë e parkut kombëtar janë të ndarë në katër zona, mbrojtje e rreptë, menaxhim aktiv, zhvillim të qëndrueshëm dhe zonë e rripit të mbrojtur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button