“Zhan Mitrev” pa mjek të licencuar kryen operacione në zemër te foshnjat

Me bujë të madhe, disa vite më parë, u paralajmërua partneriteti publiko-privat i Ministrisë së Shëndetësisë me spitalin “Zhan Mitrev” për operacionet e fëmijëve deri në një vjeç me pengesat më të rënda në zemër. Për këtë, ekipi i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve i udhëhequr nga dr. Vladimir Çadikovski kaloi në spitalin privat. Por bashkëpunimi, i pari i këtij lloji, nuk zgjati shumë. Vetëm pas gjashtë muajsh, Çadikovski dha dorëheqje nga spitali “Zhan Mitrev” dhe në gusht të vitit 2019 kaloi në Sistina, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Çadikovski është i vetmi mjek në vend, i cili ka licencë për kardiokirurgji pediatrike dhe çështja se a lejohet spitali “Zhan Mitrev” të kryejë operacione të tilla ka mbetur e hapur.

Në shkurt të vitit 2019, Çadikovski dhe ekipi i tij kaluan nga shëndetësia publike në atë private në “Zhan Mitrev”. Më 1 mars të të njëjtit vit, Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar vendim për vazhdimin e lejes së punës në “Zhan Mitrev”, ku thuhet se spitali i plotëson kërkesat për pajisje, hapësirë ​​dhe personel për të gjitha aktivitetet që kryen, përfshirë këtu edhe kardiokirurgjinë e fëmijëve, për të cilën është lidhur marrëveshje me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore-FSSH. Në pjesën e kuadrit profesional, në dokumentin e siguruar nga REL, ku janë shkruar të gjithë emrat, vetëm Çadikovski figuron si specialist i kirurgjisë pediatrike dhe subspecialist i kardiokirurgjisë pediatrike.

“Kishim koncepte të ndryshme se si duhet të funksionojë kardiokirurgjia pediatrike. Nuk kishte absolutisht asnjë armiqësi personale. Pra, nuk ka asnjë arsye personale. Është vetëm për shkak të idesë dhe konceptit se si duhet të funksionojë departamenti”, thotë Çadikovski për arsyet e largimit të tij.

Zhan Mitrev, foto IRL
Zhan Mitrev, foto IRL
Ligji ka paqartësi

Ligji për kujdesin shëndetësor i përcakton kushtet për themelimin, fillimin e punës, kryerjen e veprimtarive të kujdesit shëndetësor dhe zgjerimin e veprimtarisë së institucionit shëndetësor. Sa i përket personelit që kërkohet, vetëm thuhet se institucioni shëndetësor duhet të ketë një numër të caktuar të punëtorëve shëndetësorë varësisht nga lloji i aktivitetit shëndetësor, përkatësisht specialitetit. Askund në ligj nuk përmendet termi subspecialitet.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit-KSHPK me iniciativë të vet pas largimit të Çadikovskit hapi lëndë për këtë rast. Ata përcaktuan se ligji mundëson që në rrjetin e institucioneve shëndetësore të funksionojnë edhe aso që kanë vetëm leje pune, por jo licencë, si dhe për hapjen e ndonjë spitali klinik në kushtet e nevojshme, nuk janë parashikuar licenca për mjekë të specializuar. Efekti i kësaj, sipas KSHPK-së, është funksionimi i ndonjë klinike pa licencë dhe pa mjekë të licencuar.

“Pra mjafton që të plotësohen kërkesat për hapësirë, pajisje dhe staf për kirurgjinë e përgjithshme, pavarësisht se për cilin operacion bëhet fjalë”, thonë nga KSHPK, nga ku kanë dhënë rekomandimin për rishqyrtimin e zgjidhjes ligjore për licencat.

Duhet të kesh licencë për çdo gjë, jo vetëm për kardiokirurgjinë e fëmijëve, thotë Çadikovski.

Komisioni i Antikorrupsionit, foto: Borçe Popovski
Komisioni i Antikorrupsionit, foto: Borçe Popovski

“Sipas asaj logjike, unë jam kirurg pediatër dhe mund të operoj trurin e fëmijëve”. Kështu që unë operoj fëmijët, por nuk mund të operoj trurin, sepse ka licencë në neurokirurgji për fëmijë. Mendoj se secili të duhet të ketë licencë për punën që e bën. Por, nëse është e nevojshme apo jo, duhet t’i pyetni institucionet përgjegjëse”, thekson Çadikovski.

Sipas tij, në vend, brenda një viti lindin mesatarisht njëqind fëmijë me pengesa në zemër.

Çfarë thotë komuniteti

Edhe pse ligji nuk është konkret, ish-kryetari i Odës së Mjekëve, kardiologu në pension dhe profesori i Fakultetit të Mjekësisë, Vladimir Borozanov, thotë se ekipi operativ duhet të ketë një mjek të licencuar për kardiokirurgji pediatrike.

“Zhan Mitrev nuk guxon të operojë nëse nuk ka licencë për kirurg pediatër”, është i prerë Borozanov.

Nga Shoqata për Kardiokirurgji thonë se askund në botë nuk ekziston praktikë e këtillë.

“Në kurrikulën evropiane, angleze dhe të Amerikës Veriore, pas përfundimit të kardiokirurgjisë vazhdohet subspecializimi në qendra me qarkullim të lartë të rasteve të kardiokirurgjisë pediatrike, i cili zgjat tre vjet, pas së cilës merret licenca. Pra askund kardiokirurg i drejtpërdrejtë nuk kryen operacione”, thonë nga Shoqata për Kardiokirurgji, Torakale, Vaskulare dhe Endovaskulare, e cila është themeluar në vitin 2018, kurse kryetar është profesori doktor Sashko Jovev, një nga kardiokirurgët më të njohur në vend.

Në pyetjen e njëjtë nga Oda e mjekëve janë përgjigjur me dispozitat e ligjit dhe se Ministria e Shëndetësisë është kompetente për të vlerësuar përmbushjen e kushteve të institucioneve shëndetësore. Sipas atij ligji, Oda e Mjekëve, siç thonë ata, ka kompetencë për të mbajtur regjistrin e licencave të lëshuara.

“Oda e Mjekëve angazhohet për avancimin e ekspertizës së profesionit mjekësor, duke arritur kështu vazhdimësi në ngritjen e nivelit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe i nxit të gjitha institucionet, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, si dhe shoqatat profesionale që përfaqësojnë interesa profesionale në përputhje me ligjin të ndërmarrin masa dhe aktivitete në drejtim të arritjes së këtij qëllimi”, shtojnë nga kjo shoqatë.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka qëndrim

Edhe pas një viti KSHPK nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë nëse një kirurg i licencuar për të rritur mund të kryejë operacion të subspecializuar tek fëmijët nën një vjeç.

Edhe REL e parashtroi pyetjen e njëjtë në adresën e njëjtë.

“Ministria e Shëndetësisë ka një lëndë nga KSHPK në lidhje me pyetjen nëse një kirurg për të rritur mund të operojë fëmijët nën 1 vjeç dhe nga sektori kompetent do të përgjigjen në mënyrë përkatëse nga këndvështrimi profesional në përputhje me rregulloret ligjore, dhe pas kësaj do të pranoni informacione plotësuese”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mirëpo, ndonëse ministria është ende në konsultime, kjo nuk ka qenë pengesë që spitalit “Zhan Mitrev” t’i jepet leje për të kryer operacione edhe pas largimit të Çadikovskit.

Spitali “Zhan Mitrev” më 14 gusht 2019 ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për dërgimin e listës së shërbimeve shëndetësore, ndër të tjera, për kirurgji kardiovaskulare pediatrike për persona të siguruar deri në 18 vjeç.

Ilustrim

Komision i autorizuar nga ministria, pas inspektimit të gjendjes faktike në “Zhan Mitrev”, më 16 dhjetor të po atij viti, siç thuhet në dokumentin e siguruar nga REL, ka konstatuar se hapësira është identike, pajisjet janë të njëjta dhe se është dorëzuar lista e kirurgëve kardiovaskular dhe stafi mbështetës.

“Në formë të konkluzionit, në procesverbal thuhet se institucioni i plotëson kushtet për sa i përket hapësirës, ​​pajisjeve dhe personelit profesional që nevojitet për kryerjen e shërbimeve nga lista e shërbimeve që është pjesë përbërëse e procesverbalit”, thuhet në dokument.

Në fakt, në të nuk shënohet se spitali nuk e ka të njëjtin staf profesional që e kishte kur ishte lëshuar vendimi për vazhdimin e punës në “Zhan Mitrev”, as edhe që nuk ka më kardiokirurg pediatrik të licencuar.

Në pyetjen e REL se si ministria ka lejuar që në “Zhan Mitrev të vazhdojnë me operacionet e fëmijëve”, nëse ata ende nuk kanë qëndrim se a mund mjeku i cili nuk ka licencë për kardiokirurgji pediatrike të operojë, nuk morëm përgjigje.

Fakti që Çadikovski aktualisht është i vetmi kardiokirurg pediatrik i licencuar në asnjë mënyrë nuk do të thotë se vetëm ai mund të kryejë intervenime kardiokirurgjike te fëmijët, aq më tepër që këtë subspecializimin dhe licencën e ka marrë në vitin 2018, ndërsa klinika në vazhdimësi kryen ndërhyrje kardiokirurgjike te personat nën 18 vjeç, duke filluar nga viti 2002 e deri më sot, thonë nga spitali “Zhan Mitrev”.

“Prandaj, mungesa e dr. Vladimir Çadikovskit në klinikën tonë në asnjë mënyrë nuk paraqet handikap ose pengesë për kryerjen e rregullt të intervenimeve kardiokirurgjike te fëmijët, duke qenë se spitali ka ekip profesional dhe me përvojë, të cilët tashmë 17 vite në vazhdimësi realizojnë me sukses të jashtëzakonshëm këso lloj intervenimesh”, thonë nga “Zhan Mitrev”.

Klinika “Zhan Mitrev”

Licenca e punës e doktorit Zhan Mitrev, për kryerjen e operacioneve kardiovaskulare (nuk ka ndarje të moshës për fëmijë dhe të rritur) e lëshuar nga Oda e Mjekëve është e vlefshme deri në vitin 2025, thonë nga spitali.

Pas largimit të Çadikovskit, siç theksojnë ata, është kryer një nga operacionet më të vështira dhe më komplekse të zemrës tek fëmijët, të cilën e ka bërë doktor Zhan Mitrev, i cili është edhe pronar i spitalit që mban emrin e tij.

Deri tani, siç theksojnë ata, në “Zhan Mitrev” janë kryer 192 operacione të defekteve të lindura të zemrës tek fëmijët deri në 18 vjeç nga mjekët Ivan Milev dhe Zhan Mitrev individualisht ose së bashku.

Që kur ekziston spitali dikush e bën aminin për punën e tij, thotë Borozanov për faktin se me vite në “Zhan Mitrev” janë kryer operacione te fëmijët.

“Të gjithë po bëhen budallenj dhe kjo nuk është asgjë e re”, thotë Borozanov.

Sa para ka arkëtuar Zhan Mitrev nga FSSH?

Buxheti i përcaktuar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, për shërbimet shëndetësore në Klinikën “Zhan Mitrev” për ndërhyrje kardiake për foshnjat dhe fëmijët deri në 18 vjeç, ishte rreth 1 milion euro në vit.

Çmimi për operacione në institucion shëndetësor private për fëmijët nga 1 muaj deri në 18 muaj është rreth 16.200 euro. Ndërsa për foshnjat deri në 28 ditë është rreth 2.000 euro më e lartë.

Analiza ekonomike, ekonomi, para, denarë, maqedoni, varferi, page, rroge, buxhet
Denarë

Në “Zhan Mitrev” në tre vitet e fundit, sipas të dhënave nga FSSH, janë kryer 77 procedura kardiovaskulare te fëmijët nën një vjeç.

Kjo do të thotë se spitali privat ka arkëtuar të paktën 1 milion e 240 mijë euro nga të siguruarit për këtë periudhë, vetëm për ato operacione.

Zhan Mitrev ka bërë përpjekje ta mashtrojë FSSH

Në raportet e auditimit, si një nga dobësitë më të theksuara, thuhet se FSSH-ja kontrollonte nëse participimi është mbledhur në mënyrë korrekte dhe nëse janë arkëtuar mjetet shtesë nga pacientët.

Nga ana tjetër, KSHPK i rekomanduan FSSH-së që të kryejë kontrolle rregullisht në pjesën e konfirmimit të besueshmërisë së llojit dhe vëllimit të shërbimeve shëndetësore të ofruara nga institucionet shëndetësore private.

Nga FSSH thonë se pikërisht spitali “Zhan Mitrev” ka pasur përpjekje për mashtrim dhe se është dënuar për këtë.

“Me vetë faktin se gjatë një kontrolli të rregullt në IPSH “Zhan Mitrev” është konstatuar përpjekje për arkëtim të parregullt të mjeteve nga FSSH ashtu që ato mjete nuk u janë paguar, madje u është shqiptuar dënim me gjob të cilën Zhan Mitrev tashmë e ka paguar, flet shumë për cilësinë e kontrolleve nga FSSH”, thonë nga fondi.

“Zhan Mitrev” është dënuar me 25 mijë euro gjobë. Në të njëjtën kohë, FSSH në vitin 2019 dhe 2020 e ka reduktuar buxhetin e miratuar për klinikën private për rreth 631 mijë euro.

Marrëveshja për partneritet publik privat, e cila ishte iniciativë për largimin e Çadikovskit dhe ekipit të tij nga Klinika e Kirurgjisë për Fëmijë, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe “Zhan Mitrev” nuk është nënshkruar fare dhe një gjë e tillë nuk ekziston.

Foshnje, të porsalindur, foto: Christian Bowen/Unsplash
Foshnje, të porsalindur, foto: Christian Bowen/Unsplash

Që atëherë, Klinika për Kirurgjinë e Fëmijëve nuk ka kryer operacione të zemrës së fëmijëve, ndonëse janë investuar mjete për trajnim dhe edukim, ndër të tjera, për Çadikovskin dhe ekipin e tij.

“Unë dhe ekipi im jemi në vend dhe operacionet mbulohen nga fondi dhe kemi kushte më të mira pune”, thotë Çadikovski, i cili shton se ata vetëm kanë kaluar nga një institucion në tjetër.

LEXO: Prokuroria filloi procedurë hetimore ndaj Zhan Mitrev

Ndërkohë në prokurori po vijojnë hetimet ndaj mjekut Zhan Mitrev për shkak të dyshimit për mashtrim të pacientëve“. Sipas prokurorisë, Mitrev dyshohet se ka mashtruar pacientët e trajtuar me Covid-19 me metodën e hemofiltrimit, me qëllim që spitali i tij të realizojë përfitime pasurore të kundërligjshme duke paraqitur fakte të rreme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button