Vazhdoi gjykimi për rastin “Softuerët” i Rashkovskit

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup vazhdoi gjykimi për rastin “Softuerët” në të cilin i akuzuar i parë është ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, raporton MIA. Në seancën e sotme gjyqësore ishin prezantuar provat të cilat kanë të bëjnë me analizat nga ekspertiza e transaksioneve në lidhje me furnizimet publike nga i akuzuari i parë Rashkovski.

Sipas ekspertes Biljana Kiseliçki, 6.455.816 denarë i ishin paguar “Digital media lab” për softuer për përcaktimin e shpejtësisë mesatare, 4.168.050 denarë ishin paguar për sisteme GVC, përderisa 2.130.975 denarë Fakultetit të Shoqërisë Informatike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë Rashkovski nuk i kishte kryer detyrat zyrtare gjatë zbatimit të katër procedurave për furnizim publik të sistemit për identifikim biometrik, furnizim publik të softuerit për përcaktimin e shpejtësisë mesatare të veturave në komunikacion dhe shqiptimin e gjobave, furnizim të kamerave ANPR për njohjen e targave të automjeteve dhe furnizim publik të kabinave metalike për nevojat e sistemit të identifikimit biometrik për njohje automatike të targave.

Rashkovski akuzohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “pastrim i parave dhe të ardhurave të tjera nga veprat penale”. Personat I.D., I.H., D.S., I.I. dhe M.S. akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”.

Ndryshe, tre muaj më herët në seancën gjyqësore në rastin “Softuerët”, i akuzuari i parë dhe ish sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski kërkoi t’i kthehet pasaporta, pasi paraprakisht i’u hoq masa e paraburgimit.

Rashkovski akuzohet për keqpërdorim me furnizmin të softuerit për shkelje në trafik, ndërsa në shkurt i’u ndërpre fillimish paraburgimi dhe më pas edhe paraburgimi shtëpiak, pasi Apeli e pranoi garancinë prej 192 mijë euro.

Aktakuza për rastin “Softuerët” përfshin blerjen e dy softuerëve për kundërvajtje në komunikacion dhe për identifikim biometrik, të cilat sipas Prokurorisë nuk janë kërkuar dhe përdorur nga askush. Aktakuza përfshin edhe pagesën e tarifave nga e cila sipas prokurorisë ka marrë pjesë edhe ish-sekretari i përgjithshëm. Rashkovski ndiqet penalisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe larje parash. Me të akuzohen edhe gjashtë persona të tjerë: Ivica Dimitrovski, Igor Hristov, Daniel Stançev, Irena Ivanovska, Igor Ivanovski dhe Maja Siljanovska.

Ndryshe, Rashkovskit pas hapjes së hetimeve më 16 prill të vitit të kaluar i është caktua masa e arrestit shtëpiak, por pas ankesës së Prokurorisë vendimi u pezullua dhe pesë ditë më vonë mori paraburgim efektiv në burgun e Shkupit në Shuto Orizarë. Megjithatë aty qëndroi rreth një muaj e gjysmë pasi më 4 qershor 2021, me vendim të Apelit, masa e paraburgimit efektiv i është zëvendësuar me arrest shtëpiak. Rashkovski edhe atëherë ofroi garanci për t’u mbrojtur në liri, por rreth 500.000 euro, por u refuzua. Në arrest shtëpiak ai ka qëndruar deri me dy mars.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button