RMV, t’i ushqejmë ekonomitë jo deponitë, bankat e ushqimit ndihmojnë në luftimin e urisë (OTO)

Le t’i ushqejmë ekonomitë, jo deponitë. Kjo është motoja e Bankës së Maqedonisë për ushqim, e cila tashmë 12 vjet lufton pa ndërpre kundër hedhjes së ushqimit në vend dhe kundër urisë te qytetarët e Maqedonisë. Me themeluesin dhe drejtuesin e kësaj organizate, Dushko Hristov, biseduam në ambientet e tyre në Shkup derisa ata i përgatisnin pakot mujore, të cilat ua shpërndajnë personave të rrezikuar në aspektin social në komunën Qendër të Shkupit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Banka e Ushqimit Maqedoni aktivitetin kryesor e ka grumbullimin e ushqimit të tepërt nga të gjithë operatorët e ushqimit, si prodhuesit, distributorët, supermarketet dhe restorantet, si dhe ruajtjen, regjistrimin, klasifikimin dhe shpërndarjen e tij tek kategoritë e ndryshme të personave të rrezikuar social. Ata janë anëtarë të Federatës Evropiane të Bankave të Ushqimit, ku anëtare janë mbi 420 banka ushqimore.

“Për gati 12 vite si bankë ushqimore në fushën e aktivizmit qytetar në Maqedoni, kemi arritur të mbledhim dhe të ndajmë mbi 2000 tonelata ushqime”, thotë Dushko Hristov.

Nga fillimi i funksionimit të tyre e deri sot, si mbështetëse të bankës ushqimore, janë përfshirë mbi 22 kompani të ndryshme. Sot, Banka e Ushqimit Maqedoni ka shtatë mbështetës të përhershëm, të cilët në baza mujore e dëshmojnë humanizmin e tyre dhe dhurojnë produkte ushqimore që u shpërndahen qytetarëve të cilët janë në nevojë për ndihmë.

Dushko Hristov, Banka e Ushqimit Maqedoni; Foto: Meta.mk
Dushko Hristov, Banka e Ushqimit Maqedoni; Foto: Meta.mk

Hristov posaçërisht e vuri në pah se edhe vetë qytetarët e njohin Bankën e Ushqimit Maqedoni si organizatë, kështu që vetëm gjatë muajit të kaluar ka pasur mbi 20 telefonata nga qytetarët të cilët kanë vendosur të dhurojnë ushqimet që u kanë tepruar nga dasmat, festimet, funeralet, ndërsa organizata e tyre i ka marrë përsipër dhe menjëherë ua ka dorëzuar ato teprica përdoruesve fundorë.

Ndërsa në botë ushqimi  hidhet, ka individë të cilët jetojnë në uri

Sipas të dhënave nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), deri në 17 për qind e prodhimit të ushqimit në botë në vitin 2021 ka përfunduar nëpër deponi. Indeksi Global i mbetjeve ushqimore për vitin e kaluar tregon se 61 për qind e ushqimit të hedhur vjen nga familjet, 26 për qind nga shërbimet e prodhimit të ushqimit dhe 13 për qind nga qendrat e shitjes. Maqedonia nuk ka të dhëna të sakta statistikore për sasinë e ushqimeve që përfundojnë si mbeturina në baza vjetore, sepse Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) i llogarit ato në një kategori të vetme të “mbeturinave organike”, ku përfshihen edhe gjethet e grumbulluara dhe përbërës të tjerë për kompostim.

Megjithatë, shkalla e varfërisë në Maqedoni është tronditëse. Sipas të dhënave të fundit nga ESHS, shkalla e personave të varfër në vitin 2020 ishte 21,8 për qind, përkatësisht 451.900 njerëz jetojnë nën kufirin e varfërisë. Në vitin 2020, në vend ka pas 32.345 familje që ishin përdorues të ndihmës sociale. Numri i përfituesve të mitur të mbrojtjes sociale ishte 16.262 persona, së bashku me 49.263 përfitues madhorë të mbrojtjes sociale. Të dhënat e tilla kanë të bëjnë me periudhën para fillimit të krizës globale energjetike dhe ekonomike, e cila këtë vit shkaktoi rritje drastike të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, energjisë elektrike, derivateve të naftës dhe gazit.

Dushko Hristov thotë se gjendja me varfërinë dhe mungesa e ushqimit po përkeqësohet, në kushte kur vlera e shportës minimale të konsumit për një familje në korrik të vitit 2022 është rritur në 47.042 denarë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Kësaj krize i parapriu pandemia e kovid-19, kur brenda vetëm një vit Banka e Ushqimit ka shpërndarë 819 pako individuale ushqimore për familjet dhe individët që humbën punën në vend.

Komuna Qendër dhe Kavadar janë institucionet më të motivuara për bashkëpunim

Banka e Ushqimit Maqedoni mund të shpërndajë nga 10 deri në 12 tonelata ushqime në muaj. Themeluesi i saj veçon dy komuna në vend – Qendrën e Shkupit dhe Kavadarin, me të cilat bashkëpunojnë pa probleme dhe në vazhdimësi për një kohë të gjatë.

“Në Komunën Qendër kemi dhënë 150 pako që nga viti 2018, që do të thotë se është viti i katërt apo i pestë”, shpjegon Hristov për pako mujore ushqimore që i pranojnë qytetarët e rrezikuar në aspektin social nga qendra e Shkupit.

Produktet ushqimore të dhuruara që janë klasifikuar; Foto: Meta.mk
Produktet ushqimore të dhuruara që janë klasifikuar; Foto: Meta.mk

Përveç në Shkup, një bankë lokale ushqimore është hapur edhe në Kavadar, ku dhurohen nga 2 deri në 3 tonelata ushqime në baza mujore dhe në funksionimin e saj janë të përfshirë edhe vullnetarë vendas.

“Ka diku rreth 100-150 familje në muaj janë në shpinën e tyre, kurse kryetari i komunës Mitko Jançev dhe Këshilli i Komunës së Kavadarit na dhanë hapësirë ​​dhe një automjet që donacionet e pranuara t’i shpërndajmë deri tek shfrytëzuesit e fundit”, shpjegon Dushko Hristov.

Ai shton se për bashkëpunim u janë drejtuar pothuajse të gjitha komunave në Maqedoni, ndërsa me 11 komuna kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi, por deri më sot nuk janë krijuar kushte konkrete për fillimin e punës. Në periudhën e kaluar është krijuar bashkëpunim solid edhe me komunat e Jegunovcës, Novacit, Shtipit dhe Manastirit, ndërsa në pjesën e kompanive Hristov përmend Tinex, Stocomak, VERO, Ramstor, Vinçini dhe Vitaminka.

Klasifikimi i ushqimit që ka arritur; Foto: Meta.mk
Klasifikimi i ushqimit që ka arritur; Foto: Meta.mk

Falë bashkëpunimit me ENVIRUM, në 11 qytete të vendit çdo ditë, për përdoruesit fundorë përmes organizatave partnere shpërndahen, bukë dhe pasta nga marketet e kompanisë TINEX.

Hristov thotë se bordi drejtues i Bankës së Ushqimit Maqedoni ka vendosur që në pesë vitet e ardhshme të themelojë banka shtesë ushqimore në vend, për të mundësuar formimin e Federatës së bankave të ushqimit të Maqedonisë. Tashmë i kanë 19 organizata partnere të përkushtuara në qytetet në mbarë vendin, me të cilat është krijuar bashkëpunimi profesional.

Banka e Ushqimit Maqedoni, e ka deponinë në Shkup, e cila është në dispozicion të tyre për të gjashtin vit, nëpërmjet kompanisë Trgojug. I kanë dy vetura për shpërndarje të ushqimit në Shkup dhe Kavadar, si dhe hapësirë ​​shtesë prej 65 metrash katrorë në Kavadar.

Hristov shpjegon se mbështetësit e tyre aktualë janë Bashkimi Evropian, Civica Mobilitas dhe Shoqata e Kishës Baptiste në Maqedoni, ndërsa ata janë të hapur për bashkëpunim me subjektet që do të shfaqin interes në të ardhmen.

Dhe më e rëndësishmja, i kanë 47 vullnetarë, të cilët me vetëmohim ndihmojnë në ruajtjen, ambalazhimin dhe shpërndarjen e ushqimeve, pa të cilat funksionimi i bankës ushqimore as nuk mund të imagjinohet.

Listat e qytetarëve në rrezik social nuk i përpilon banka e ushqimit, por Sektori për Çështje Sociale në Komunën Qendër dhe Qendra për Punë Sociale në Kavadar dhe në bazë të këtyre listave bëhet edhe shpërndarja transparente e ushqimit. Kur ushqimi i tepërt mbetet në Shkup, Kavadar, Manastir dhe Shtip, ai shpërndahet në organizatat partnere.

Banka e ushqimit ofron mundësi për të rinjtë

Banka e Ushqimit e Maqedonisë u dërgon mesazh të veçantë të rinjve në vend që të përfshihen në aktivitetin e tyre. Krahas mundësisë për punë vullnetare në përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimeve, të rinjtë duhet të dinë se nuk punojnë vetëm për këtë, por kanë edhe shumë aktivitete të tjera.

Dushko Hristov informon se janë iniciatorë për hartimin e Ligjit të posaçëm për dhurimin e ushqimeve të tepërta, janë pjesë e grupit punues për donacione dhe sponsorizime, se planifikojnë të iniciojnë ndryshime dhe plotësime në Ligjin për mbrojtje sociale dhe janë pjesë e këshillave sociale në nivel lokal. Në aktivitetet që i ndërmerr banka ushqimore mund të përfshihen të rinj dhe studentë të juridikut, ekonomisë, për punë sociale, bujqësisë, por edhe të profesioneve të tjera.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

“Të gjithë ata që mendojnë se kanë nevojë dhe mundësi për të dëshmuar veten në fushën në të cilën punojnë, sigurisht që jemi të hapur”, thotë Hristov, duke shtuar se u japin mundësi të rinjve vullnetarë të hartojnë projekte dhe të gjejnë veten.

Si anëtare e Federatës Evropiane të Bankave të Ushqimit, të rinjtë nëpërmjet tyre kanë mundësinë të përfitojnë përvoja të veçanta në fushën e bankingut të ushqimit. Kështu, në Gjermani organizata e tyre simotër ka një akademi të veçantë, e cila është unike në botë dhe ku tre ose katër studentë tanë të rinj mund të shkojnë në një program të punës praktike dhe të marrin njohuri për bankingun e ushqimit. Nëpërmjet Federatës Evropiane të Bankave të Ushqimit, katër deri në pesë module trajnimi mbahen çdo vit në të gjithë Evropën, në të cilët mund të dërgohen të rinjtë që janë të etur për të mësuar diçka të re.

“Banka e ushqimit është materie e gjallë, për të cilën them, dhashtë Zoti t’ia vendosim çelësin në derë, sepse kjo do të thotë se s’ka varfëri dhe s’ka uri. Uria është lloji më i keq i varfërisë”, është porosia nga Dushko Hristov për të rinjtë.

Disa javë më parë Meta.mk vizitoi bankën më të vjetër ushqimore në Portugali, nga ku përgatitëm edhe një reportazhë për funksionimin e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button