Shefi i OSBE-së në vend: Kam respekt të lartë për ekipet në Vjenë dhe në Shkup për kryesimin e RMV-së me OSBE-në

Shefi i Misionit të OSBE-së në vend, në manifestimin “Maqedonia e Veriut dhe OSBE: 30 vite partneritet”, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani, foli për rëndësinë e punës së OSBE-së në vend në 30 vitet e fundit, por edhe për prioritetet e ardhshme të Maqedonisë së Veriut, si kryesuese e ardhshme e Organizatës, transmeton Portalb.mk.

“Kam respekt shumë të lartë për ekipin në Vjenë dhe për ekipin këtu në Shkup për të punuar së bashku në kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në”, tha shefi i misionit të OSBE-së në vend, Clemens Koja

Koja, i cili drejtoi Këshillin e Përhershëm kur Austria kryesonte OSBE-në në vitin 2017, këtu në Shkup, përcolli përvojën e tij tek autoritetet për të pasur një presidencë më të suksesshme të Organizatës.

Koja u rekomandoi autoriteteve të vendit që fokusi duhet të jetë në theksimin e ndikimit dhe përfitimeve që ka puna e OSBE-së për vendet anëtare dhe qytetarët që jetojnë në to.

“Nuk kam asnjë dyshim se ata do të bëjnë një punë të shkëlqyer në drejtim të kryesimit të një mjedisi shumë të vështirë dhe të komplikuar”, tha Koja.

Duke folur për 30-vjetorin e punës së Misionit në vend, Koja theksoi se anekset në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit përfshijnë detyra specifike për OSBE-në dhe disa nga aktivitetet më të rëndësishme të Misionit ishin të lidhura me ato detyra.

Koja theksoi se Misioni ka zbatuar një gamë të gjerë programesh që synojnë përmirësimin e përmbushjes së zotimeve që Maqedonia e Veriut ka marrë si anëtare e OSBE-së.

Lidhur me situatën aktuale të sigurisë në Evropë dhe se cila është e ardhmja e OSBE-së, ai shprehu besimin se OSBE-ja, si e vetmja organizatë rajonale në Evropë me një numër kaq të madh anëtarësh, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në lidhje me ngjarjet për shkak të luftës në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, theksoi se mundësia që Maqedonia e Veriut të kryesojë OSBE-në në vitin 2023 është njohje e sukseseve të vendit që i ka arritur qëllimet e tij strategjike përmes modelit unik të zhvillimit, në kontekst të vështirë rajonal.

Osmani tha se është obligim, por edhe privilegj që do t’ia tregojmë botës imazhin tonë të vërtetë, kush jemi, cilat janë vlerat tona si paqja, stabiliteti, sundimi i ligjit dhe demokracia përmes dialogut dhe kompromisit.

Maqedonia e Veriut e merr presidencën në vitin 2023 nga Polonia dhe sipas formatit të vendosur, këtë vit kryeson me Grupin Mesdhetar të partnerëve të OSBE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button