RMV, specializantët e stomatologjisë ankohen se u janë ndërprerë fondet, autoritetet pa përgjigje konkrete se kur do të jepen paratë

Specialistët e stomatologjisë në vend ankohen se u janë ndërprerë fondet për të cilat kanë nënshkruar marrëveshje me Qendrën Klinike Stomatologjike për periudhën në të cilën do të jenë në specializim. Thonë se autoritetet i injorojnë kërkesat e tyre edhe pse ata gati dy muaj enden derë më derë duke marrë premtime se problemi do të zgjidhjet. Megjithatë, për premtimet boshe ata kanë reaguar me letër të hapur te kryeministri, por nga Qeveria për Portalb.mk thonë se e njëjta nuk ka arritur ende tek ata. Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor thonë se po punohet në zgjidhje të problemit, por afat konkret nuk ka, shkruan Portalb.mk.

Në letrën drejtuar kryeministrit thuhet se specialistët e stomatologjisë përballen me “refuzim mizor dhe injorim nga institucionet e larta”. Theksojnë se janë viktima të pagesës së parregullt të fondeve për të cilat iu takojnë, sipas kontratës së nënshkruar, ku thuhet se Qendra Klinike Stomatologjike “Shën Panteleimon”-i do të financojë gjithë specializimin e tyre.

“Pezullimi i pagesës është bërë pa asnjë njoftim apo arsyetim zyrtar. Ne si specializantë e bëjmë punën tonë duke ofruar shërbime profesionale për pacientët në Qendrën Klinike Stomatologjike “Shën Panteleimoni” në përputhje me marrëveshjen tonë me Universitetin dhe Klinikën”, thuhet në letër.

Më tutje ata theksojnë se gjatë dy muajve të fundit, në vend që të fokusoheshin në aktivitetin e tyre, disa kolegë kanë bërë punë administrative për tejkalimin e këtij problemi dhe u përpoqën të ishin një “urë” ndërmjet institucioneve përkatëse si Klinika Dentare, Fondi Shëndetësor, dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Për të përditësuar të dhënat tona si specializantë, ka persona përgjegjës të duhur që marrin pagë për punën e tyre. Lëshimet e tyre nuk duhet të reflektojnë negativisht në punën tonë klinike dhe pagesën tonë. Puna jonë si specializantë/mjekë është në klinikë me pacientë. Ka specializantë që kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës për të bërë specializim dhe nuk marrin asnjë fond përveç rrogës së specializimit, dhe me rritjen e inflacionit dhe kostove, a pyet njeri se si ia dalin mbanë ata mjekë pa asnjë të ardhur tjetër? Kështu do shteti të mbajë mjekët dhe specialistët e tij në vend?”, thuhet në reagimin e specializantëve.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk thotë se letra në fjalë ende nuk ka mbërritur në kabinetin e kryeministrit.

“Kjo, si dhe të gjitha kërkesat e tilla dhe të ngjashme nga grupe qytetarësh, individësh apo organizatash dhe institucionesh, do të trajtohen në atë mënyrë që të kërkohet mendim nga ministria përkatëse, në rastin e Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim për të ofruar një zgjidhje për problemin me të cilin përballen specializantët e stomatologjisë”, thanë nga Qeveria.

Ministria e Shëndetësisë thotë se në kuadër të mundësive ligjore dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente, po punon për zgjidhjen e kërkesës së këtij grupi të mjekëve specializantë në Qendrën Klinike të Stomatologjisë.

Jozyrtarisht, mësojmë se problemi pritet të zgjidhet në dy-tre javët në vijim.

Nga Fondi për Portalb.mk theksojnë se janë duke i shqyrtuar kërkesat e specialistëve të stomatologjisë të cilëve iu është zgjatur specializimi dhe se të njëjtëve do t’u paguhen fondet, por nuk precizojnë se kur.

“Pasi morëm informacion nga Qendra Klinike Dentare, Fondi kryen analiza për secilën prej tyre veç e veç për të skanuar situatën reale. Kjo do të thotë të shohësh se cili prej tyre ka hequr dorë nga specializimi, kush është transferuar diku tjetër, domethënë ka ndryshuar specializimin, sa prej tyre vijnë në punë, sa punojnë në formë aktive. Pas këtyre përllogaritjeve, Fondi do t’i paguajë fondet në Qendrën Klinike Stomatologjike, në formën e një buxheti që më pas duhet t’u shpërndahet specializantëve të punësuar me kontratë pune. Duke qenë se marrëveshjet janë përmes Ministrisë së Shëndetësisë, me ministrin aktual Bekim Sali do të diskutohet se në çfarë drejtimi do të ecin punët me specialistët me një marrëveshje në vend”, thanë nga FSSHRMV.

Ndryshe, mjetet financiare për muajin mars, prill dhe maj të vitit 2020 nuk janë paguar për shkak të pandemisë Kovid-19 kur praktikantët nuk kanë punuar, dhe një pjesë e Qendrës Klinike Stomatologjike ka funksionuar si Kovid qendër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button