Shumica e sllovakëve duan që Rusia të fitojë luftën në Ukrainë

Më shumë se gjysma e sllovakëve do të mirëprisnin një fitore ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës, ka zbuluar një sondazh i ri i publikuar të mërkurën, transmeton Euractiv.
Sondazhi përfaqësues i quajtur “Si je Sllovaki?” është kryer nga agjencitë MNFORCE dhe Seesame dhe Akademia sllovake e shkencave.
Të anketuarit duhej t’i përgjigjeshin sondazhit duke përdorur një shkallë 10-pikëshe, sipas së cilës 1 do të thotë fitore e qartë për Rusinë dhe 10 për Ukrainën.
Përafërsisht një e pesta e të anketuarve thanë se dëshirojnë për fitore të qartë për Rusinë, me më shumë se gjysma që thonë se janë të prirur drejt një fitoreje ruse.
Ndërkohë, vetëm një e treta thanë se priren drejt Ukrainës dhe vetëm 18% nuk shprehën asnjë preferencë.
Ndarjet janë qartë të dukshme në nivel partiak. Për shembull, shumica dërrmuese e votuesve të SMER-SD të ish-kryeministrit Robert Fico janë në anën ruse.
Fico është një kundërshtar i zëshëm i sanksioneve anti-ruse dhe madje festoi përvjetorin e Kryengritjes Kombëtare Sllovake me ambasadorin rus. SMER-SD është ende anëtare e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES).
Sa i përket dallimeve gjeografike, vetëm popullsia e Bratislavës ka shumicën e njerëzve që dëshirojnë që Ukraina të fitojë.
Sllovakia ka qenë prej kohësh një nga vendet më pro-ruse në BE, krahas Bullgarisë.
Një sondazh i kryer në verën e vitit 2021 tregoi se 55% e sllovakëve kishin opinion të favorshëm për presidentin rus Vladimir Putin. Ndër vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, vetëm bullgarët mendojnë më mirë për Putinin (75%).
Në shkurt 2022, para pushtimit, 44% e njerëzve fajësuan NATO-n dhe SHBA-në për tensionin në kufijtë e Ukrainës, ndërsa vetëm 33% fajësuan Rusinë.
Sa i përket anëtarësimit në NATO, vetëm 45% e kanë mbështetur atë në sondazhin e vitit 2021. Menjëherë pas pushtimit, mbështetja është rritur, por ka filluar të bjerë sërish kohët e fundit.