Shqipëri, është rihapur çështja e financimit të PD-së nga Rusia

Grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike i kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi sot (14.09) të rihapen hetimet e nisura në vitin e zgjedhjeve parlamentare 2017 për 500 mijë dollarë që firma lobuese amrikane “Muzin Capitol Partners” ka raportuar se i ka dhënë PD-së së atëhershme, me kryetar Lulzim Bashën. Hetimet në fjalë u mbyllën pas tri vitesh pasi akuza për financimin rus u konsideruan “pa fakt penal”, DW.

Kërkesa vjen pas publikimit të martën (13.09) nga Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASH) në të përditshmen “New York Times” të një raporti të shërbimeve sekrete amerikane lidhur me financimet e Rusisë gjatë viteve të fundit. Sipas raportit të tilla financime u bënë në më shumë se 24 vende të botës, mes të cilave edhe në Shqipëri.

“Në Shqipëri, Rusia i dha gjysëm milion dollarë PD në vitin 2017 përmes kompanive fantazëm” citohet të ketë zbuluar raporti i shërbimeve inteligjente të SHBA.

Përpjekje për të manipuluar demokracitë

Mediat e Tiranës citojnë zëdhënësin e DASH të ketë thënë në një konferencë shtypi të martën, se ndërhyrja ruse në zgjedhje parlamentare është “një sulm ndaj ndaj sovranitetit të këtyre vendeve, i ngjashëm me luftën e Rusisë ndaj Ukrainës për të ushtruar ndikim politik, ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve dhe përpjekur për të manipuluar demokracitë nga brenda.”

Gjetjet e sapo publikuara të raportit të shërbimeve sekrete të SHBA përkojnë në kohë me hetimet që u hapën në Shqipëri në 2017 ndaj PD , bazuar në të dhënat e publikuara nga kompania lobuese amerikane amerikane “Muzin Capitol Partners”sipas të cilave ajo ka marrë 500 mijë dollarë nga PD.

Mbyllja e hetimeve në vitin 2020 u shoqërua edhe me hedhjen poshtë të akuzave ndaj ish-kryetarit të PD, Lulzim Basha, nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë. Gjykatësit e kësaj gjykate arritën në konkluzionin që për pohimin e kompanisë lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” se ka marrë 500 mijë dollarë nga PD, “nuk ekziston fakti penal”

Zëdhënësja e Grupit të Rithemelimit, Florian Garo, tha sot në deklaratë e saj publike për këtë ꞔështje se “ajo u mbyll me ndërhyrjen e kryeministrit Rama tek gjyqtarët e korruptuar . Rruga tipike mafioze që u gjet për ta mbyllur ishte mosdërgimi i dosjes në Gjykatën e Lartë, në kundërshtim të hapur me ligjin.”

Basha mohon financimet nga Rusia

Ish-kryetari i PD, anëtar i grupit parlamentar të kësaj partie, hodhi poshtë akuzat për marrjen e financimeve nga Rusia në vitin elektoral 2017.

“PD nuk ka marrë asnjë financim të huaj aq më pak nga Rusia. Ajo i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë, çdo pretendim për financime të huaja” deklaroi ai përmes një postimi në twitter.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button