Është vonuar ndërtimi i dy kilometrave të parë të autostradës Shkup-Bllacë për shkak të problemeve me shpronësimin e parcelave private

Për shkak të problemeve me shpronësimin e parcelave private, është vonuar ndërtimi i dy kilometrave të parë të autostradës Shkup-Bllacë, informoi drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Ejup Rustemi, transmeton Portalb.mk.

Përveç ndërtimit të kësaj autostrade, Rustemi gjatë vizitës në fillimin e rindërtimit të rrugës ndërmjet fshatrave Robovë dhe Murtino të Strumicës, foli edhe për autostradat tjera në vend.

Duke iu përgjigjur pyetjes se cili është çmimi i ri për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, Rustemi tha se sipas marrëveshjes aktuale të miratuar në Kuvend, çmimi është vendosur në dollarë, ndërsa për shkak të ndryshimit të raportit mes euros dhe dollarit, si dhe për shkak të rritjes së çmimit të materialeve të ndërtimit, nuk dëshiron të spekulojë me çmimet dhe shuma do të dihet në fund të ndërtimit.

“Sipas amendamentit është deri në fund të vitit 2023 dhe tani mund të them se po punohet intensivisht në të gjithë itinerarin nga Kërçova deri në Ohër dhe është futur edhe ndërrimi i dytë. Pra, deri më tani nuk është punuar kaq intensivisht në këtë seksion”, theksoi Rustemi.

Sa i përket çështjes së rehabilitimit të unazës rreth Bogdancit, Rustemi tha se ky projekt nuk ka ngecur dhe se është zgjedhur kontraktori. Lidhur me miratimin e projektit lindën probleme, por siç tregoi ai tashmë është tejkaluar dhe pritet që shumë shpejt të nisin punimet atje.

Ndryshe, nëntëdhjetë për qind do të duhej të ishin kryer, por deri më tani janë realizuar rreth 65 për qind e punëve për dy kilometrat e para të rrugës Shkup-Bllacë.

Portalb.mk ka shkruar për nevojën e përshpejtimit të procedurës për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, duke pasur parasysh faktin se Kosova tashmë ka përfunduar pjesën e saj të punës, ndërsa kilometrat e mbetura nga pika kufitare “Bllacë” deri në Shkup aktualisht zhvillohen vetëm në një korsi për secilin drejtim. Rruga është plot gropa dhe nuk është e rrafsh, megjithëse në të ka frekuencë të zmadhuar të automjeteve.

Kosova është partneri ynë tregtar në të cilin ne eksportojmë më shumë sesa importojmë mallra në vit, ndërsa shumë banorë të këtij vendi shpesh vijnë për të blerje dhe për shërbime të tjera dhe lënë mjete të konsiderueshme financiare në vendin tonë. Përveç përfitimit ekonomik, autostrada përmes Kosovës aktualisht është lidhja më e shpejtë rrugore me portet e Tivarit dhe Durrësit për kryeqytetin e Maqedonisë dhe pjesët veriore të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button