Bllokohet rruga për në Haraçinë, banorët ankohen për faturat e rrymës

Banorët e Haraçinës sot kanë bllokuar rrugën për në fshat. Revoltë tek banorët e Haraçinës kanë shkaktuar faturat e rrymës, për të cilat thonë se nuk kanë para për të paguar.

Shkak për pakënaqësi sipas haraçinasve është shkalla e lartë e papunësisë në këtë fshat ose sipas thënieve të atyre të cilët ishin pjesë e protestës, madje 90 % e banorëve janë të papunë, dhe për këtë shkak nuk kanë mundësi të paguajnë faturat.

Nga EVN kanë shpjeguar se nuk kuptojnë protestën e haraçinasve, duke thënë se po implementojnë projekt për përmirësim të furnizimit me energji elektrike.

“Për një periudhë të caktuar është duke u zhvilluar projekt për përmirësim të furnizimit me energji elektrike në Haraçinë. Ky është projekt i njëjtë që po zbatohet  në shumë vende nëpër Maqedoni. Kjo do të thotë dislokim të mjeteve matëse në kufi me pronat siç është paraparë me dispozitat ligjore, ndërrim të kabllove të vjetra me kabllo të reja me diameter më të madh, etj. E gjithë kjo për të përmirësuar rrjetin e furnizimit të energjisë elektrike, dhe me një fjalë ndërtim dhe modernizim të rrjetit distributive për energji elektrike”, kanë njoftuar zyrtarët e EVN-së.

Ata pretendojnë se për realizim të këtij projekti kanë përkrahje edhe nga vetëqeverisja lokale e Haraçinës dhe nga banorët.

“Për këtë shkak çuditemi nga bllokada e sotme. Nuk bëhet fjalë për çkyqje ose aksione, nëse ka çkyqje ata janë sipas dinamikës së paraparë. Ose më saktësisht sikur për të gjithë shfrytëzuesit e tjerë ashtu edhe për banorët e Haraçinës, nëse në kohë nuk kanë paguar faturat dhe janë paralajmëruar një herë, pas kësaj ata hyjnë në grupin e shfrytëzuesve ku si masë e fundit e parandalimit përdoret çkyqja”, thonë në EVN.

Lajme të ngjashme

Back to top button