fbpx

Hapja e negociatave, mundësitë dhe sfidat e Maqedonisë së Veriut për të përfituar ekonomikisht

Maqedonisë së Veriut pas hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian në korrik të këtij viti, i janë hapur mundësi për zhvillim më të madhe ekonomik, por edhe e presin sfida për një zhvillim të tillë. Ajo që duhet të ndodh sa më parë është përshpejtimi i proceseve të përmirësimit të kushteve të të bërit biznes dhe stimulimit të konkurrueshmërisë si shtytës i natyrshëm i zhvillimit dhe rritjes ekonomike, vlerëson Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore për Portalb.mk.

Drejtori ekzekutiv i OEMVP, Drilon Iseni thotë se këtë e thonë pasi duhet t’i paraprijmë anëtarësimit në BE me një ekonomi më të konsoliduar por edhe me rregullativë ligjore të përshtatshme dhe komfor atyre të shteteve të BE-së me qëllim që ekonomia jonë të mos pësojë nga inkuadrimi eventual në tregun e madh të Evropës ku konkurrenca është e fuqishme.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore nënvizon se anëtarësimi në BE si proces tani më është nevojë e domosdoshme duke pasur parasysh se viteve të fundit jemi përballur me sfida të llojllojshme të cilat vinin si pasojë e krizave të ndryshme të cilat goditën ekonomitë në nivel global.

Drilon Iseni – OEMVP

“Ne vlerësojmë se në rrethana të tilla, shteti duhet të stimulojë dhe të drejtojë biznesin dhe ekonominë në drejtim të rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese ngase kjo është mënyra e duhur e përfitimit ekonomik si dhe në stimulimin e sipërmarrësisë e cila nuk ka arritur nivelet e duhura në vendin tonë për sa i përket numrit të subjekteve afariste”, thotë Iseni.

Për sa i përket investimeve të huaja direkte, ai thotë se pa mëdyshje janë të rëndësishme për ekonomitë e vogla, e sidomos ato në tranzicion, mirëpo duhet të kihet parasysh se ata vetëm zbusin papunësinë në përmasa jo aq të konsiderueshme dhe se investitorët e huaj shumë rrallë kanë plane afatgjate dhe se pothuajse asnjëherë nuk i ri-investojnë fitimit e tyre në vendin përkatës por në fakt, ata i dërgojnë fitimet në vendin amë.

“Këtu bëhet e qartë se Bashkimi Evropian përpos përparësive të cilat i sjellë, ajo gjithashtu sjell edhe një grumbull të madh sfidash me të cilat vendet kandidate duhet të përshtaten dhe të përballen me të njëjtat”, konsideron Iseni.

Nga ana tjetër, afaristi dhe profesori universitar në Biznis Akademia Smilevski- BAS, Taip Jakupi, thotë se tranzicioni i cili stërzgjati në Maqedoni, më shumë se 30 vite pati implikacione në ekonominë e vendit. Shumica e këtyre ishin negative, por ka edhe një mundësi që u dha, që ekonomia e Maqedonisë të jetë e zhdërvjellët me hapjen e negociatave me BE-në.

“Mendoj se mundësitë për të depërtuar me një treg më të madh siç është BE do të jenë shumë më të mëdha, për ato që ekonomia e vendit duhet të pregatitet. Këtu unë pik së pari shoh mundësi që shteti të investojë pak më shumë në mundësitë për zhvillim të ekonomisë dhe ngritjen e pragut konkurrues të ekonomisë, sepse e dimë që kompanitë tona nuk i kanë mundësinë që të barten me konkurrencën e brendeve të mëdha, BE-së dhe vendeve që vijnë nga ekonomitë e zhvilluara, prandaj unë mendoj që shfrytëzimi racional i IPARD fondeve për ngritjen e kapacitetit të prodhimtarisë së vendit me të cilat ne do të penetronim në tregjet e BE-së dhe më gjërë do të ishte mundësi, e cila do të mund tëshfrytëzohej nga kompanitë”, vlerëson Jakupi.

Ai shton se hallin të cilin e kanë sot kompanitë vendore janë shumë të mëdha duke nisur nga sfidat e kohës, siç janë problemet me energjensat, problemet me teknologjitë, problemet me know-how, ajo që bisedohej para 30 vitesh, që është një prej problemeve të mëdha.

Taip Jakupi, foto printscreen
Taip Jakupi, foto printscreen

“Ajo që është sfidë që mundësia e një tregu më të madh ku barrierat doganore do të mund të lehtësoheshin do të ishin mundësi shumë e madhe për ekonominë vendore. Ajo që off rekords nuk flitet, a do ishte mirë të flitet është korrupsioni. Ne sigurisht kemi legjislacion që është në përputhje me një përqindje shumë të lartë me BE-në, mirëpo implementimi i tyre është shumë i rëndë. Shifni se ç’po ndodh kohëve të fundit me mundësinë e ngritjes së centraleve fotovoltaike, ku shteti ka jë sfidë shumë të madhe, presim që dimër ku të gjithë flasin, për peripecitë që mund t’i bëjë kriza energjetike. Mundësitë për të investuar në këtë lami janë të vogla për shkak të barrierave të ndryshe, edhe pse të gjitha institucionet në vend, nga pushteti vendor deri te ai qendror flasim për lehtësime, ne lehtësimet nuk i njohim”, thotë Jakupi.

Sa i përket iniciativës Open Ballkan, ai thotë se është shumë herët të flitet për impaktin e saj.

“Ajo që shihet, perceptohet momentalisht nga kompanitë transportuese në një përqindje shumë të vogël është lehtësuar qarkullimi. Psh maunet qarkullojnë pak më lehtë në pikat kufitare, mirëpo akoma nuk kemi ndonjë impakt nga i cili do të mundeshim të konstatojmë për lehtësimet që ka bërë Ballkani i Hapur dhe mundësia e lëvizjes së ideve, kapitalit dhe njerëzve që është një nga postulatet e BE-së, do të mundeshte të jepte efektet e veta. Une shpresoj se kjo mundësi e cila mbështetet fuqimisht nga ShBA do të jetë mundësi e mirë, por asnjëherë nuk kisha dashur ta besoj se do të jetë pandan i BE-së”, tha Jakupi.

Ndryshe, Bashkimi Evropian në raportin e vitit 2021, vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka bërë disa përparime dhe është në një nivel të mirë të përgatitjes për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale.

“E goditur rëndë nga pandemia, ekonomia ra në vitin 2020. Një rimëkëmbje graduale filloi nga pranvera e vitit 2021. Qeveria zbatoi një përgjigje të fortë fiskale për të zbutur ndikimin e krizës tek amvisëritë dhe kompanitë. Deficiti fiskal u rrit në 8.2% të PBB-së në vitin 2020 ndërsa niveli i borxhit publik u rrit ndjeshëm në 60.2% të PBB-së, pasi duheshin mbuluar nevojat shtesë për financim. Shpenzimet kapitale u shkurtuan në një rishikim buxhetor për të krijuar hapësirë për pagesat e transfertave të lidhura me krizën, megjithatë ato ishin ende shumë të nënekzekutuara. Autoritetet morën disa masa shtesë për të përmirësuar transparencën fiskale, megjithëse një regjistër plotësisht funksional i ndihmës shtetërore ende nuk është zhvilluar”, thuhet në raportine  BE-së.

Në të më tej shtohet se është bërë pak progres në përmirësimin e mobilizimit dhe mbledhjes së të ardhurave, si dhe në menaxhimin e investimeve publike, duke përfshirë një kornizë më të fortë për partneritetet publiko-private.

Eurointegrime BE Bashkimi Evropian
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button