Maqedonia e Veriut është në një linjë me standardet evropiane në fushën e mediave, vlerësoi Qeveria pas takimit me Ribeiron

Qeveria e Maqedonisë së Veriut theksoi që në takimin ndërmjet kryeministrit Dimitar Kovaçevskit me përfaqësuesen e OSBE-së për lirinë e mediave, Tereza Ribeiro, vendi është duke shkuar në drejtim të duhur në lidhje me lirinë dhe të drejtat e mediave, transmeton Portalb.mk.

“Në takim u konstatua që Maqedonia e Veriut është në rrugë të duhur në raport me lirinë dhe të drejtat e mediave, në linjë me standardet ndërkombëtare në fushën e mediave”, raportoi Qeveria.

Në takim mori pjesë edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja.

“OSBE ka bashkëpunim të rregull, të hapur dhe parimor me institucionet e sistemit në të gjitha fushat që prekin liritë dhe të drejtat e njeriut, përfshirë edhe fushën e mediumeve”, raportoi Qeveria, duke theksuar që në takim u diskutua edhe për sigurinë e gazetarëve.

Kryeministri Kovaçevski vlerësoi që Qeveria e Maqedonisë së Veriut respekton lirinë e mediave, ndërsa mbështet gazetarët.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani një ditë më parë u takua me përfaqësuesen e OSBE-së për lirinë e medias, Treza Ribeiro. Në takim u shkëmbyen mendime për situatën lidhur me lirinë e medias në rajonin e OSBE-së. Ribeiro takim pati edhe me ministrin e Brendshëm.

Njëherazi u konstatua se agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës ka implikime serioze mbi lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në të gjithë rajonin e OSBE-së.

Ribiero takoi edhe ministrin e Brendshëm, Oliver Spasovskin. Siç njoftojnë nga MPB-ja, bashkëpunimi mes gazetarëve dhe MPB-së është zgjeruar përmes punëtorive të përbashkëta dhe aktiviteteve të tjera, dhe në një pjesë të madhe të këtyre aktiviteteve merr pjesë edhe Misioni i OSBE-së në Shkup.

Spasovski theksoi prezantimin e rezultateve të vlerësimeve për hapjen e institucioneve e cila është realizuar nga Fondacioni Metamorfozis, ku siç tha ai MPB është një nga institucionet më të hapura.

Ribeiro nga takimi me Spasovskin theksoi rëndësinë e lirisë së medias për zhvillimin e një shoqërie dhe në këtë drejtim është veçanërisht e rëndësishme është siguria e gazetarëve.

Ajo u shpreh e kënaqur me gjithçka që është bërë në këtë fushë në periudhën e kaluar, me shpresën se do të vazhdojë në të njëjtin drejtim dhe për këtë është e nevojshme të forcohet korniza ligjore për mbrojtjen e gazetarëve.

Ndryshe, të gjithë ata që do t’i censurojnë gazetarët apo në forma të ndryshme do të pamundësojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, do të rrezikojnë të dënohen me burgim, nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kjo do të bëhet në bazë të Kodit të ri Penal, që tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare.

Para vizitës së saj në vend, Treza Ribeiro pati edhe brifing me mediat për gjendjen e lirisë së mediave në vend, pjesë e konsultimeve ishte edhe kryeredaktorja e Portalbit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button