BDI: Nuk mund të shpenzohen 8 milionë euro për referendum

Grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim duke folur mbi iniciativën e organizimit të Referendumit theksuan se kjo iniciativë nuk duhet pranuar pasi është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e njëjta është refuzuar pasi që Kushtetuta siç thonë është shumë e qartë, transmeton Portalb.mk.

Nga BDI thonë se është e palejueshme të shpenzohen 8 milionë euro për të organizuar referendum, vetëm për t’u bërë pjesë e mashtrimit të madh të opozitës.

“Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje opozitës të pranojë dhe të mbështesë Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Republikën e Bullgarisë, e cila është marrëveshje ndërkombëtare dhe sipas Kushtetutës dhe efekti juridik i saj nuk mund të ndryshohet”, thonë nga BDI.

Nga atje theksuan se nisma e opozitës synon të pengojë rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Tani që kemi nisur zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian, ne bëjmë thirrje për formimin e një fronti të gjerë pro-europian të partive politike, OJQ-ve, mediave, qytetarëve”, thanë mes tjerash nga BDI.

Ndryshe, Iniciativa e VMRO-DPMNE-së planifikon mbajtjen e referendumit për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë. Nisma për referendum nënkupton fillimisht mbledhjen e jo më shumë 100 nënshkrimeve për të paraqitur nismën në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), dhe më pas mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve që pastaj Kuvendi të shpallë datën për daljen e qytetarëve në referendum.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dje njoftoi se i ka dërguar letër kryeopozitarit Hristijan Micskoski në lidhje me nismën e tij për mbajtjen e Referendumit në gjithë vendin, ku thuhet se e njëjta nuk është në përputhje me nenin 118 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si edhe me nenin 8, paragrafi 1, alineja 11 e kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Theksuan që marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, nuk mund të ndryshohen me ligj.

Maqedonia e Veriut e ka fituar statusin e shtetit kandidat në vitin 2005, por për nisjen e bisedimeve ne BE-në ka pritur 17 vjet, për shkak të kontesteve të pazgjidhura me shtetet fqinje – fillimisht me Greqinë për çështjen e emrit, e tani me Bullgarinë për gjuhën dhe identitetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button