Rruga e “UÇK”-së në Reçicë të Vogël u harrua pas vërshimeve, mbetet në gjendje të mjerueshme (VIDEO)

Rruga “101” apo e njohur si “Rruga e UÇK-së”, në Reçicë të Vogël e cila lidh më shumë se dyqind shtëpi banuese është lënë pasdore pas dëmtimit të saj në dy vërshimet e fundit. Banorët kërkojnë zgjidhje nga autoritetet qendrore dhe lokale duke kërkuar nga ata t’u shmangen “lojërave politike”, sepse ndjehen të rrezikuar kur ka vërshime. Por, veprimet e pëgjegjësve deri më tani janë tregues se ato nuk e kanë prioritet këtë rrugë, shkruan Portalb.mk.

Gurrë, truall, degë pemësh, gypa të dëmtuar dhe begatona të dalë nga vendi i tyre duke e prishur nivelin e rrugës, janë këto vetëm disa nga pasojat e reshjeve të kaluara.

Banorët shprehen të shqetësuar pasi vetëm në dy muajt e fundit, u përballën me sfida siç thonë “të papara për shekullin 21”.

Rrezik në vete përbën edhe shtrati i lumit i cili nuk është i rregulluar dhe i nivelizuar. Madje gjatë kohës që ishim në terren, aty takuam një banor i cili me vetë-iniciativë po pastronte shtratin e lumit.

Siç tha ai, ndihmë nga autoritetet nuk ka.

Problemi për banorët e kësaj lagjeje filloi me vërshimet e vitit 2015, kur rruga u dëmtua keq. Udhëheqësia e atëhershme zgjodhi që problemin ta zgjidh me gypa 1.20 metra.

“U desh të realizohet shtrati i lumit njëjtë si në fshatin Reçicë e Madhe, por paratë i shfrytëzuan për qëllime tjera. Sido që të jetë, do i ishim mirënjohës udhëheqësisë aktuale nëse merren seriozisht me problemin tonë, të çelet kanali i përoit dhe të rregullohet me gurë ose me beton kanali, sepse gypat janë dëmtuar herë pas here”, thotë një banor.

“Përhapeni, bëjeni të madhe të vijnë ta rregullojnë. Rruga është kështu që nga vërshimet, askush nuk ka ardhur, vetëm njëherë ka ardhur kryetari. Kështu është rruga e bllokuar”, tha një banor.

“Duhet të pastrohet ky lumi, s’kanë ardhur. Prej atje lartë duhet. Kur ka vërshime del uji nga ky shtrat edhe ja rezultati”, tha një banor.

Ata kërkojnë nga Komuna të rregullohet rruga nga rreth-rrotullimi poshtë nga shkolla e re e deri lart te fillimi i gypave, pasi thonë se nuk është diçka shume e madhe për komunën të rregulloj një kanal 300 metra me gjerësi prej së paku tre metrave.

Ata madje nuk i kursejnë kritikat edhe për pushtetin qendror.

“Kjo rrugë është shfrytëzuar edhe nga vetë kreu i BDI-së, gjatë konfliktit të vitit 2001. Kërkojmë që edhe qeveria të ndajë mjete apo të jetë bashkë-financuese me komunën. Mos të realizojnë lojëra politike në kurriz të qytetarëve”, tha banori nga kjo lagje.

Autoritetet heshtin ose shfajësohen.

Komuna e Tetovës edhe pse e pyetur për gjendjen aktuale në këtë rrugë, vendosi të heshtë duke mos u përgjigjur në pyetjet gazetareske.

Ndërsa nga Qeveria, të pyetur kohë më parë për të njëjtin rast thanë se ndihmojnë në fatkeqësi të tilla, por rezultatet nga terreni thonë të kundërtën.

Kujtojmë që, në mbledhjen e fundit ë shtabit të krizës të komunës u miratua vendim që në mesin e rrugëve tjera të ndërhyhet edhe në rrugën e UÇK-së. Po në këtë mbledhje u vendos që të kërkohet ndihmë nga Qeveria për dëmet e shkaktuara, por kjo e fundit nuk e pranoi një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button