Përvjetori që zgjon kujtime të trishta

Kanë kaluar 31 vite që kur Maqedonia e shpalli pavarësinë. Për brezin tim ajo kohë është kujtesë. Për brezin e ri është histori që nuk e njohin, sepse nuk ua kemi rrëfyer.

Atë periudhë kohe e kujtoj në detaje, sepse ndodhën shumë gjëra të trishta. Në kujtesë na fiksohen ose ndodhitë e trishta, ose të bukura.

Ishte koha kur RSFJ, ky shtet artificial, po çmendej dhe shkatërrohej. Kishte qenë si një fshat Potemkini. Kosova vuante nën terrorin e egër shtetëror. Retë e luftës e kishin mbuluar Kroacinë dhe Bosnjën.

Pak para shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë, ushtarët rioshë, që shërbenin me detyrim në të ashtuquajturën APJ, i sillnin në arkivolë të blombuar. Shuheshin ëndrra dhe iluzione rinore. O ju korba që më hani!

Pasi studentëve të disa fakulteteve u lejohej ta kryenin shërbimin ushtarak pas diplomimit, dërgonim vërtetime nga fakulteti në njësinë e ministrisë së Mbrotjes për t’i ikur ushtrisë. Ndodhte që burokratët nuk i pranonin, me qëllim që të paguanim qindra marka gjermane te “sekserët”. Im atë shqetësohej kur më refuzohej kërkesa. Zihej me zyrtarët e pacipë. Kurrë nuk e kisha parë kaq të nevrikosur.

Për shkak të reagimeve të shumta, Maqedonia solli vendimin që rekrutët mos ta kryenin shërbimin ushtarak në republikat tjera. Ishte lehtësim për ne që e dinim se mund të vriteshim për kauza të huaja edhe pse askush s’mund të garantonte se retë e luftës nuk do ta mbulonin edhe këtë nënqiell…

Maqedonia e shpalli pavarësinë nëpërmjet një referendumi që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, të cilit i parapriu Deklarata për Pavarësi, e miratuar më 25 janar 1991 nga Parlamenti i parë i Maqedonisë. Pyetja e referendumit hapte shteg për rikthimin e Maqedonisë në një aleancë të ardhshme jugosllave. Ajo ishte komplikuar qëllimisht sa për shkak të frikës nga Serbia, po aq nga frika e dështimit të referendumit, sepse në Maqedoni kishte më shumë pro – jugosllavë se sa pro – maqedonas. Në mesin e pro – jugosllavëve ishin disa akademikë të sotëm “antikomunistë”, që kishin shkruar poezi për Titosllavinë.

Referendumi u bojkotua nga shqiptarët, që kërkonin një autonomi politike dhe territoriale në Maqedoni. Shqiptarët e bojkotuan edhe miratimin e kushtetutës më 17 nëntor 1991. Maqedonia u pranua si anëtare e OKB më 8 prill 1993 dhe u bë anëtare e saj me emrin IRJM, për shkak të kundërshtimeve greke…

Pas pavarësisë vazhdoi arroganca ndaj shqiptarëve nga ana e elitave politike maqedonase, që ishin formuar sipas terkut të Beogradit. Ato nuk e respektuan karakterin shumetnik të shtetit. Shqiptarët, juridikisht dhe praktikisht, mbetën qytetarë të rendit të dytë. Maqedonia funksiononte si filialë e Serbisë. Protestat e shqiptarëve për barazi kombëtare u shtypën me dhunë dhe hekur. Ishin vite të një diktature kundrejt shqiptarëve, por ishin edhe vite të mbushura me entuziazëm dhe gatishmëri për sakrificë. Shumëçka mbeti ëndërr, dëshirë, utopi…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button