MASH u bëri thirrje studentëve të vitit parë të aplikojnë për në konvikt studentor, ueb-faqja pesë ditë nuk funksionon

Tashmë pesë ditë ueb-faja e Ministrisë për Arsim dhe Shkencë (MASH) nuk funksionon pas sulmit kibernetik që ndodhi të premten në mbrëmje, sulm pas të cilit gjoja qëndron ekip i hakerëve grekë. Nga e shtuna është pamundësuar qasja në ueb-faqen e kësaj ministrie, ndërsa deri në këtë moment MASH nuk ka zbuluar informacione shtesë lidhur me sulmin, përveç se për disa media, gjatë fundjavës ka informuar që rasti është paraqitur në institucionet kompetente dhe që është duke punuar në drejtim të përforcimit të sigurisë së ueb-faqes, raporton Portalb.mk.

Meta.mk disa herë gjatë periudhës që kaloi ka shkruar për sulmet mbi ueb faqen e MASH-it, e cila për here të parë u bë e paarritshme më 18 gusht, që pastaj gjatë ditëve në vijim faqja disa herë “binte” dhe kthehej në funksion.

Agjencia e lajmeve Meta.mk edhe atëherë, sikurse edhe dje dërgoi pyetje në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për atë se cilat janë shkaqet për mosfunksionimin e shpeshtuar të ueb-faqes së tyre, por edhe nëse është e njohur kush qëndron pas sulmit të fundit kibernetik, i cili shkaktoi që ky organ shtetëror të mos ketë ueb-faqe funksionale tanimë pesë ditë. Pyetëm edhe kush e mirëmban sistemin e tyre, që është dukshëm i lëndueshëm, por edhe ku studentët dhe nxënësit mund të marrin informacione për aktivitete dhe konkurset aktuale të ministrisë, duke i pasur parasysh afatet që këto ditë skadojnë, sikur afati i Konkursit për akomodim në konviktet studentore për studentët e vitit të parë.

MASH nuk iu përgjigj pyetjeve tona as një herë, por sot ka dërguar komunikatë për publikun nëpërmjet të cilit ka informuar që akomodimi për konviktet studentore për studentët e viti të parë është në rrjedhë e sipër.

Sipas informacioneve nga MASH, aplikimi bëhet në formë elektronike, nëpërmjet portalit “e-shërbime” („е-услуги“), ndërsa afati përfundimtar për të aplikuar është dita e premte, 16 shtator.

Në këtë portal, studentët e vitit të parë mund ta gjejnë edhe Konkursin që nga sot është në dispozicion edhe aty si dhe dokumentet e duhura që duhet të shkarkohen, të plotësohen dhe sërish të ngarkohen në aplikim.

Lista përfundimtare e studentëve të pranuar do të shpallet më 30 shtator në tabelat e shpalljeve në konviktet studentore dhe në ueb-faqen e MASH-it, ueb-faqe e cila momentalisht nuk është në funksion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button