Inflacioni i gëlltiti vaktet e ushqimit në Maqedoninë e Veriut

Do të jetë vështirë, por duke kursyer dhe duke heqë dorë nga shumë gjëra do të mbijetojmë, thonë qytetarët e Maqedonisë pas paralajmërimeve për dimrin e paparashikueshëm ekonomik dhe energjetik. Shumica thonë se do të hanë më shumë gjella pa yndyrë ose pa mish dhe do të veshin rroba të vjetra pasi shporta e konsumit ka “kërcyer” në 48 000 denarë, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Më pak mish, lëngje, ushqime të lehta ose ëmbëlsira të tjera. Nuk do të blejnë rroba të reja, kurse udhëtimet apo shëtitjet në fundjavë as nuk do të diskutohen. Këto janë përgjigjet më të shpeshta të qytetarëve në pyetjen se nga cilat nevoja elementare dhe shprehi jetësore do të detyrohen të heqin dorë për të mbijetuar më lehtë dimrin që po vjen.

Pensionistin Stojan Ackovski e takuam në tregun e gjelbër në Shkup. Sipas Ackovskit, çantat po bëhen gjithnjë e më të lehta, se rritja e çmimeve tashmë është reflektuar në buxhetin e tij familjar. Do të kursej nga ajo që mund të kursehet, thotë Ackovski.

“Nëse dëshiron të marrësh 3 kilogramë mish, nuk është patjetër tre, do të marrësh një kilogram, kjo duhet të frenohet. Edhe buka është e shtrenjtë. Ndërkohë për stajlingun, njeriu mund të kalojë një kohë të gjatë me një këmishë, por nuk mundet pa bukë. Kjo është jonormale. Nëse njeriu dëshiron të shkojë në shëtitje, kjo nuk është e mundur sepse nafta është e shtrenjtë”, thotë Acevski.

Kush sa ka aq do të hajë, thotë Marija nga Shkupi.

“Rroba nuk do të blejmë fare, do të kursejmë edhe energjinë elektrike, më shumë nën jorgan etj. Mishi mund të blihet një herë në muaj dhe minimalisht, vetëm një copë për ta provuar, veç t’ju them se gjithçka është e shtrenjtë. Qumështi është tmerrësisht i shtrenjtë, personat e  sëmurë nuk mund të blenë një litër qumësht për të ngrënë. Edhe kosi është shumë i shtrenjtë, vërtet”, na tha Marija.

Sipas përllogaritjeve të fundit të Lidhjes së Sindikatave, vlera e shportës minimale të sindikatave në gusht, e përshtatur me inflacionin, arriti në 48.234 denarë, që është shuma minimale për një familje me katër anëtarë e cila jeton në shtëpi prej 50 metrash katrorë dhe nuk posedon veturë.

Për ushqime dhe pije, ku përfshihen 63 produkte, të cilat nuk i shprehin nevojat e plota ushqimore, por i shprehin mundësitë, shprehitë dhe traditën në mënyrën e ushqimit, nevojiteshin 18.324 denarë, ose 324 denarë më shumë se paga minimale.

Mirëmbajtja dhe shëndeti përfshin shpenzimet elementare për barna (paracetamol, analgin, kafetin etj.), pastaj ilaçet për sëmundjet kronike dhe për to nevojiteshin 786 denarë, thonë nga LSM.

Qytetarët thonë se nuk do të heqin dorë nga shpenzimet e terapisë së rregullt mjekësore, si dhe shpenzimet e përgjithshme mujore

“Ilaçet duhet blerë patjetër, do të kursejmë në garderobë, madje edhe në ushqim, faturat – më pak energji elektrike. Patate të skuqura, akullore, pa këso gjëra mund të kalohet, por vështirë se mund të heqim dorë nga nevojat elementare”, thotë Bllagica Llambevska.

“Ilaçet për mua janë në vend të parë. Personalisht marr shumë barna dhe i ndaj parat për to, ndërsa për të tjerat nëse kam, mirë, nëse nuk kam, nuk kam”, thotë Vesna Georgieva nga Strumica.

Disa nga bashkëbiseduesit tanë thonë se tashmë janë mësuar të kursejnë, ndërsa me rritjet e reja të çmimeve ata thjesht do të vazhdojnë atë shprehi.

“Unë kursej në gjithçka, nuk e di se për çfarë nuk kursej.” Pensionet nuk na u rritën fare dhe nuk e di se çfarë do të bëjmë. Rrobat e mia janë të njëjta, mund t’i vesh akoma, nuk i rinovoj rregullisht, vetëm aq sa kam, i ruaj ato që i kam”, thotë një qytetare.

“Do të kursej ushqim, rrymë, gjithçka”, thotë Zlatko Krstevski.

“Mund të heq dorë nga vaji. Për shembull, për rreth dhjetë ditë do të përdor një kilogram vaj dhe miell. Unë do të blej bukë është 52 denarë, do të blej dy kilogramë bukë për katër persona, diçka e tillë”, thotë Aleksandar Stolevski.

“Çfarë mishi, sot fasule, nesër thjerrëza, pasnesër lakra, kjo duhet bërë”. Do të jetë dimër i vështirë, kam frikë që tani”, thotë një pensioniste e shqetësuar nga Shkupi.

Saveski: Pa gatishmëri për ndryshime, goditja mbi qytetarët do të jetë me e keqe

Aktivisti për drejtësisë sociale Zdravko Saveski thotë se dimri i vështirë mund të kalohet më lehtë duke i ndryshuar shprehitë e jetës dhe duke kërkuar mënyra alternative të sjelljes.

“Ajo që është gjithmonë këshilla më e mirë është që qytetarët të shohin se për çfarë “u fluturojnë” paratë dhe të gjejnë mënyra alternative për t’i pasur ato gjëra, por me më pak para të shpenzuara. Kjo gjithmonë mund të arrihet. Dihet se dimrit goditja do të jetë kryesisht në ushqimin dhe karburantin dhe këtu duhet të merren parasysh mënyra alternative të transportit si përdorimi i biçikletës apo transporti publik, ndërsa në lidhje me ushqimin këshillë e mirë për të ulur shpenzimet është gjithmonë blerja të bëhet me listë të produkteve kur të shkojnë në treg, gjegjësisht të mos blejnë gjëra që realisht nuk u nevojiten”, sugjeron Saveski.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, disa herë deri tani ka paralajmëruar masa për të lehtësuar tejkalimin e krizës. Por masat nuk janë publikuar ende. Saveski nuk ka pritshmëri të mëdha nga ndihma e mundshme shtetërore.

“Për ndihma nevojiten dy gjëra, së pari vullnet, e më pas mjete. Fondet mund të gjenden duke i ndalur shpenzimet luksoze të zyrtarëve. Është një burim i vogël financimi. Mënyra e dytë, përndryshe e preferuar ishte huamarrja, por periudha e huamarrjes së lirë ka mbaruar dhe gjatë pandemisë tashmë kemi bërë një kërcim rekord në huamarrje. Dhe së treti, duhet ndryshim i politikës tatimore, gjegjësisht taksat e më të pasurve të rriten dhe prej atyre mjeteve shteti, nëse ka vullnet, të ndihmojë më të rrezikuarit”, thotë Saveski.

Ndryshe, gjatë përllogaritjes së shportës për konsum të gushtit nuk janë përfshirë shpenzimet për një nxënës, për blerjen e materialeve të nevojshme për fillimin e vitit shkollor, të cilat sipas llogaritjeve të SSM-së, arrijnë në 6000 denarë shtesë. Shpenzimet për rekreacion, arsim, hotele dhe restorante, kremtime familjare, sepse në shportë llogariten vetëm shpenzimet e domosdoshme, kështu që nëse do të llogariteshin edhe këto kosto, vlera e saj do të ishte shumë më e lartë.

LSM ka përllogaritur se qytetarëve për banim u nevojiten 12.493 denarë, ndërsa për higjienë 2.808 denarë. Për transport janë të përfshira shpenzime minimale, përkatësisht dy bileta mujore për transport, për punëtore dhe nxënëse apo studente dhe nevojiten 3600 denarë. Për veshmbathje dhe këpucë janë paraparë se nevojiten saktësisht 2.197 denarë, ku përfshihet blerja e një cope rrobe dhe këpucësh për çdo anëtar të familjes sipas sezonit.

Në këtë përllogaritje janë përfshirë shpenzimet për kulturë për tre produkte, përkatësisht për të shkuar rregullisht në kinema një herë në muaj dhe për të blerë nga një gazetë ditore. Për këtë nevojiten 1.067 denarë.

Nga Lidhje e Sindikatave theksojnë se me këtë përllogaritje, shporta minimale sindikale arrin në 41.295 denarë, ndërsa kur rritet për 16,8% inflacion ajo arrin në 48.234 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button