fbpx

Kovaçevski: Jemi dakorduar që Greqia të sigurojë eksportin e qymyrit dhe naftës për prodhimin e energjisë elektrike

Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski në Athinë të Greqisë, pati një takim tet-a-tet me Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Micotakis. Në takimin në kuadër të vizitës së punës të Kovaçevskit në Athinë, kryeministrat diskutuan për pasojat e krizës energjetike në botë dhe rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike. Kryeministrat konfirmuan angazhimet e tyre për të pasur një furnizim me gaz nga Greqia më së voni deri në mesin e vitit 2024, siç ishte planifikuar, njoftojnë nga Qeveria, transmeton Portalb.mk.

Kovaçevski dhe Micotakis diskutuan për situatat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen vendet në përballjen me krizën botërore energjetike.

Dy Kryeministrat theksuan se bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie të madhe me theks të veçantë në rëndësinë e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, për të cilin ranë dakord se ka potencial të madh, nëse merren parasysh projektet e përbashkëta për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm të naftës (LNG) në Aleksandropoli , si dhe lidhja e gazit mes dy vendeve. Ndërlidhësi me Greqinë së bashku me terminalin e gazit të lëngshëm (LNG) në Aleksandropoli janë projekte jo vetëm ekonomike, por edhe me rëndësi strategjike.

Kryeministrat konfirmuan angazhimet e tyre për të pasur një furnizim me gaz nga Greqia më së voni deri në mesin e vitit 2024, siç ishte planifikuar. Terminali i ri i gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Aleksandropoli do të thotë pavarësi energjetike, lirim nga gazi rus dhe diversifikim i burimeve.

Kryeministrat konkluduan se projektet strategjike janë të një rëndësie të madhe për pavarësinë afatgjatë energjetike për një furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me gaz të lëngshëm në një kohë jashtëzakonisht krize.

Delegacioni i Maqedonisë u takua dhe me përfaqësuesit e dikastereve të energjisë

Në takim, nga ana maqedonase morën pjesë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, drejtorët e EEM-së Vasko Kovaçevski dhe MEPSO-s, Orhan Murtezani, kryetari i Odës Ekonomike Branko Azeski, si dhe Viktor Andonov, bashkëpunëtor për energjetikë. Në përbërje të delegacionit të Greqisë morën pjesë Kostas Fragojanis, zëvendësministër i Diplomacisë Ekonomike dhe Punëve të Jashtme, Nikos Cafos, këshilltar për çështje të energjisë i Kryeministrit Micotakis, Konstantini Zifaras, drejtor i kompanisë shtetërore për gaz natyror DEPA, Georgios Tacic, kryetar/drejtor ekzekutiv i Public Power Corp SA, si dhe përfaqësues të tjerë të sektorit.

Në takim u diskutua për temën më të rëndësishme si për shtetin ashtu edhe për ekonominë, ndërsa ajo është zbutja e pasojave të krizës më të madhe globale të cilën  e mbajmë mend në historinë e fundit.

Gjithashtu, u bisedua edhe për projektet e përbashkëta që  realizohen për pavarësinë energjetike në afat të mesëm dhe afatgjatë.

Në takim u theksua se në vitet e fundit, një nga kompanitë më të mëdha greke, “Mitilinoes”, e cila është me rëndësi të madhe për ekonominë greke, shpreh interesim për ndërtimin e termocentralit me gaz kogjenerues në Shkup,  i cili do të prodhojë edhe energji elektrike edhe energji termike, si dhe për një nga projektet strategjike të Maqedonisë së Veriut në sektorin energjetik, ndërtimi i  hidrocentralit të akumulimit me pompë “Çebren”, në Cërna Reka (Lumi i Zi), për të cilin është marrë ofertë nga kompania greke e energjisë PPC, si dhe disa kompani të tjera  evropiane.

Maqedonia me masa për kursim të energjisë elektrike

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Ditë më parë nga Qeveria njoftuan se do të zvogëlohet marzha e furnizuesit me energji elektrike nga 50 në 20 për qind.

Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button