U largua mbishkrimi në qendër të qytetit “E duam Tetovën”, por jo dhe parullat e VMRO-së dhe Levicës

Komuna e Tetovës ka larguar instalimin me mbishkrimin “E duam Tetovën” para Pallatit të Kulturës. Nga iniciativa qytetare e cila e vendosi të njëjtën, thonë se Komuna e ka larguar pa i njoftuar ato formalisht. Ndërkaq, nga Komuna thonë se pjesëmarrësit në zgjedhjet lokale janë lajmëruar që t’i heqin mjetet propaganduese, shkruan Portalb.mk.

Ky instalim edhe pse i vendosur gjatë fushatës parazgjedhore, i njëjti nuk përmbante ndonjë mbishkrim apo mesazh politik.

Nga “Më mirë për Tetovën” e konsiderojnë si standard të dyfishtë këtë veprim nga Komuna.

“Komuna aplikon standarde e të dyfishta, ata heqin instalimin dekorativ pa emblemë të subjektit, deri sa ende vazhdojnë të mbahen nëpër shtylla banerat e partive politike. Duhet theksuar që instalimi dekorativ E<3TE jo që nuk ka dëmtuar/shëmtuar ambientin po përkundrazi ka qenë një atraksion i shumë vizituar në qytet”, tha Elmedina Abdullai.

Nga Komuna njoftojnë se paraprakisht të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje kanë qenë të njoftuar që t’i largojnë materialet propaganduese parazgjedhore.

Por, nga “Më mirë për Tetovën” mohojnë se kanë qenë të informuar formalisht për këtë.

Kujtojmë që instalime të tilla ka edhe nëpër qytete tjera që shërbejnë si dekore, për shembull në Gostivar, Prishtinë, Tiranë, Sarajevë dhe të tjera.

Nga ana tjetër, në qytet ende ka materiale propaganduese nga paritë politike ndonëse shumica i kanë larguar. Për shembull, ende ka mbishkrime nga VMRO-DPMNE-ja dhe Levica.

Kontaktuam VMRODPMNE-në se përse nuk i kanë larguar të njëjtët, por përgjigje nuk morëm.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk 13.09.2022

Ndërsa, nga ana tjetër dje zëdhënësi i Lëvizjes Besa, partia e cila udhëheq me Komunën e Tetovës na njoftoi se komuna ka dërguar kërkesë deri te të gjitha partitë politike që t’i tërheqin materialet propaganduese.

“Afatet për të intervenuar partitë politike tashmë kanë përfunduar. Ndërkaq, deri më tani, asnjëra nga partitë politike nuk i është përgjigjur kërkesës sonë. Ne si institucion do të presim edhe një javë që partitë politike të ndërgjegjësohen dhe t’i mënjanojnë të gjitha billbordet dhe pamfletet nga pronat publike të uzurpuara dhe pas kësaj, ne si institucion do të organizojmë ekip që do ta pastrojë qytetin dhe fshatrat që gravitojnë në Komunën e Tetovës nga të gjitha materialet promovuese të partive politike”, tha Faruk Avdiu nga Lëvizja Besa.

Ndryshe, sipas Nenit 79 të Kodit Zgjedhor Organizuesi i fushatës zgjedhore obligohet që në afat prej 30 ditësh pas mbarimit të zgjedhjeve, ta heqë bërllokun nga afishet. Kodi Zgjedhor parasheh edhe dënime, konkretisht: Gjobë në shumë prej 2.500 euro në kundërvlerë me denarë i shqiptohet partisë politike të regjistruar, koalicionit respektivisht kandidatit nëse në afatin e përcaktuar në bazë të Nenit 79 nuk i mënjanon mbeturinat e posterave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button