Në lëndën e matematikës janë regjistruar 12 studentë, në fizikë dhe kimi mezi nga një: Maqedonia do të mbetet pa kuadër mësimor

Të dhëna shqetësuese të institucioneve të arsimit të lartë pas periudhës së parë të regjistrimit për studimet universitare. Kuotat nuk do të plotësohen as me afatin e dytë të regjistrimit më 15 dhe 16 shtator dhe as me atë të tretë në fund të këtij muaji. Punonjësit e çështjeve studentore nga disa departamente në UKM konfirmojnë për Faktor se prej kohësh kanë harruar turmat me rastin e dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm, pasi numri i të interesuarve për studime, veçanërisht për shkencat natyrore, po zvogëlohet nga viti në vit. Në një bisedë për Factor, situatën aktuale e ka konfirmuar një prej profesorëve më të njohur në vend, prof. Zoran Popovski nga Fakulteti i Shkencave bujqësore dhe ushqimit, si dhe ish dekani i FMN-së dhe profesor aktual i Katedrës së biologjisë, prof. Icko Gjorgoski, transmeton Portalb.mk.

Ata vlerësojnë se Maqedonia shumë shpejt do të mbetet pa personel mësimdhënës në shkencat kyçe. Në disa qytete, edhe tani, nuk ka mësues për fizikë, kimi, matematikë.

“Bëhet fjalë për një situatë shumë serioze dhe shqetësuese në disa katedra të Fakultetit matematiko-natyror në UKM, edhe pse më duhet ta pranoj se ne në Katedrën e biologjisë, sidomos në katër vitet e fundit, kemi një interes të shtuar. Maturantët tregojnë një interes të madh për studimet universitare në biologji molekulare dhe gjenetikë dhe nutricionizëm, që në fakt është një trend në botë, prandaj kemi rritur kuotat. Por nga ana tjetër, është paradoksale që të vetmet katedra që marrin bursa shtetërore deri në 300 euro në muaj dhe që paguhen rregullisht, regjistrojnë maksimumi një deri në pesë studentë. Për shembull, pranojmë 20 deri në 25 studentë për programet studimore të matematikës, fizikës dhe kimisë, por përveç interesit për matematikën, i cili është minimalisht më i madh, thjesht nuk ka studentë për shkencat e tjera. Në afatin e parë të regjistrimit të lëndës së matematikës janë vetëm 12 studentë. Ndoshta me dy afatet e tjera të regjistrimit do të plotësojmë kuotën, por për lëndën e fizikës apo  të kimisë nuk jam i sigurt, por mendoj se ka mezi nga një student. Këto janë vërtet të dhëna shkatërruese. Jemi para një problemi që nuk do ta zgjidhim kurrë, sepse nuk ka interes për ato vende që praktikisht duhet të prodhojnë kuadro të reja dhe cilësore mësimore”, thekson profesor Gjorgoski.

Ai konsideron se për këtë kontribuojnë disa faktorë, por sipas tij, problemi kryesor është në punësimin e mësuesve të ardhshëm në lëndët matematikë, fizikë, kimi, biologji.

“Studentët e dinë që për vendin e tyre të punës vendos dikush tjetër, pra kryetarët e komunave të njërës apo tjetrës parti. Ky është problemi themelor pse sallat e leksioneve të këtyre katedrave janë bosh, pa studentë. Edhe nëse dikush zë një vend mësues në një nga shkollat, në shumicën e rasteve pas katër vitesh mbetet pa orë. Këtë e konfirmojnë edhe studentët tanë. Unë marr emaile nga ata që flasin hapur për këto situata. Në vend që pozita e mësuesit të kimisë, p.sh., t’i jepet një studenti që ka mbaruar mësimin e kimisë dhe ka marrë titullin profesional Profesor i diplomuar i kimisë, pozicioni i jepet dikujt që ka përfunduar kiminë analitike, pse? Sepse është më afër grupit aktual. Tashmë kemi qytete ku nuk ka staf mësimdhënësish dhe cilësia e arsimit është në nivelin më të ulët sepse lënda nuk jepet nga ata që kanë studiuar për të. Matematikën, për shembull, e japin mësues të diplomuar në njërin nga fakultetet teknike, elektrik, mekanik…, ndaj për të dhënë mësim japin disa provime si metodologjia e mësimdhënies, pedagogji etj. Këto janë anomali që lënë pasoja të mëdha dhe të pariparueshme në Maqedoni dhe janë një argument plus që të rinjtë të largohen edhe më shumë. Ata thjesht duan një arsim shumë më të mirë. Kur nuk ka mësues cilësor në arsimin fillor dhe të mesëm për këto lëndë, nxënësit nuk janë as gati dhe as kanë afinitet për ta studiuar më tej. Ndërsa dashuria për një disiplinë të caktuar rrënjoset pikërisht nga mësues cilësorë që dinë të transferojnë njohuri. Është një rreth, proces nga i cili varet zhvillimi i mëtutjeshëm”, thotë profesor Gjorgoski.

Njëkohësisht, edhe, profesori Zoran Popovski thekson se në vitet e fundit Fakulteti i shkencave bujqësore dhe ushqimit ka pranuar rreth 70 studentë, për dallim nga vitet e kaluara kur në këtë Fakultet ishin regjistruar edhe 400 studentë. Dhe sipas tij, janë disa faktorë që janë vendimtar për zvogëlimin e numrit të studentëve në vend.

“Vitet e fundit po përballemi me procese të mëdha demografike. Në kohën kur unë isha sekretar shteti, në shkollat ​​fillore dhe të mesme ishin mbi 400 mijë fëmijë, tani kemi rreth 280 mijë. Është normale që kjo të reflektohet  edhe në numrin e atyre që do të regjistrohen në fakultete. Në 20 vjet, numri i studentëve është ulur me 30 për qind. Kjo është një arsye. Arsyeja tjetër është se nuk jemi mjaftueshëm të mobilizuar si staf akademik për të tërhequr një numër më të madh studentësh dhe kjo për faktin se jemi profesorët universitarë më dobët të paguar në rajon. Dhe arsyeja e tretë që  është se në çdo fshat është hapur ndonjë universitet. Studimet e shpërndara kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë cilësinë e arsimit. Në një vend me dy milionë banorë, ne kemi pesë fakultete shtetërore të bujqësisë, Holanda ka vetëm një universitet bujqësor. Kush dëshiron ta studiojë, do të shkojë atje dhe do të mësojë pikë, kurse këtu studentët e kanë më të lehtë të kalojnë, e nuk duan të studiojnë në UKM”, thotë profesor Popovski.

Situata është serioze, shqetësuese, alarmante, katastrofike, paralajmëron ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button