Izraeli thotë se Irani po përdor ndërtesa ushtarake në Siri për të prodhuar armë

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Benny Gantz, tha se Irani po përdor mbi 10 ndërtesa ushtarake në Siri për të prodhuar raketa të avancuara dhe armë, transmeton REL.

Për vite me radhë, Izraeli ka kryer sulme në Siri ndaj atyre që i përshkruan si shënjestra të lidhura me Iranin.

Duke folur në një konferencë në Nju Jork, Gantz prezantoi një hartë që ai tha se paraqesin ndërtesat ushtarake të Centre D’Etudes et de Recherches Scientifiques (CERS), agjenci qeveritare siriane, që sipas tij është e përfshirë në prodhimin e raketave dhe armëve për Iranin.

“Irani e ka shndërruar CERS-in në vend për prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, në prodhimin e raketave precize dhe armëve, që i jepen Hezbollahut dhe grupeve të afërta me të. Me fjalë të tjera, CERS është bërë një fabrikë për armë të avancuara dhe strategjike të Iranit”, tha Gantz.

Sulmet ajrore, që i janë atribuuar Izraelit, së fundmi janë intensifikuar në aeroportet siriane, me qëllim që të pengojnë Teheranin që të përdorë linjat ajrore për dërgimin e armëve tek aleatët në Siri dhe Libi, përfshirë edhe Hezbollahun, kanë thënë për Reuters burime rajonale diplomatike dhe të inteligjencës.

Sulmet ajrore izraelite vazhdimisht kanë goditur zonën e Masjafit, në veriperëndim të Sirisë, ku sipas Gantzit, gjenden ndërtesat nëntokësore për prodhimin e armëve. Sipas ministrit izraelit, këto armë kërcënojnë Izraelin dhe rajonin.

“Masjafi veçanërisht përdoret për prodhimin e raketave të avancuara”, tha ai.
Gantz shtoi se Irani po ashtu po punon për të ndërtuar industri të prodhimit të armëve dhe raketave në Libi dhe Jemen.

“Nëse nuk ndalet ky trend, brenda një dekade do të ketë industri të avancuara iraniane në mbarë rajonin, të cilat do të prodhojnë armë dhe do të shpërndajnë terror”, tha ai.

As Irani dhe as Siria ende nuk kanë komentuar për këto deklarata të bëra më 12 shtator nga ministri izraelit. Por, në të kaluarën Damasku ka refuzuar të komentojë akuza të ngjashme dhe Teherani po ashtu ka mohuar se ka ngritur ndërtesa për prodhimin e armëve në mbarë Lindjen e Mesme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button