“Rruga e Ukrainës” u hap në qendër të Shkupit

Ambasadorja e re e Ukrainës në vend, Larisa Dir, nga qendra e Shkupit ku sot u mbollën pemë të dhuruara nga Ukraina dhe u hap ekspozita e quajtur “Rruga e Ukrainës”, tha se Ukraina ka mbështetje jashtëzakonisht të rëndësishme nga shoqëria e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Ajo tha se Rusia vazhdon politikën e saj të përgjakshme sulmuese, duke marrë jetë civile dhe duke shkatërruar trashëgiminë kulturore të Ukrainës.

“Maqedonia e Veriut mbështet dhe ndihmon Ukrainën në të gjitha sferat e mundshme. Ju jeni miqtë dhe aleatët tanë të besueshëm, ne po luftojmë së bashku me ju për të ardhmen demokratike të botës”, tha ambasadorja Dir.

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, në ceremoni theksoi se “Rruga e Ukrainës” do të jetë kujtim i përjetshëm i mbështetjes që qytetarët dhe Komuna Qendër i japin Ukrainës dhe popullit ukrainas.

“Komuna Qendër tashmë në disa raste ka ofruar mbështetje të jashtëzakonshme në këta muaj të vështirë për Ukrainën. Banorët tanë tashmë janë përkujdesur për disa familje, përfshirë një nënë me një të porsalindur. Vazhdojmë të jemi njerëzorë dhe të hapur për ndihmë dhe përkrahje për të gjitha familjet dhe individët që vijnë nga zonat e shkatërruara nga lufta”, tha Gerasimovski.

Përfaqësuesi i shoqatës “Lesja Ukrainka”, Oleksandr Urbanovich, tha se përveç manifestimit të sotëm, ku tregohet trashëgimia kulturore e shkatërruar e Ukrainës, një ditë në Ukrainë do të mbillet edhe “Rruga e Maqedonisë”.

Ndryshe, në mars të këtij viti, qytetarët e Maqedonisë së Veriut patën mundësinë t’i bashkohen peticionit “Rruga Ukraina”, e cila do të inkurajonte autoritetet e qytetit që rrugën Pirinska, ku ndodhet Ambasada e Federatës Ruse në Shkup, ta emërtojnë në Rruga e Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button