Ministria e Drejtësisë në Kosovë heton rastin Dehari në aspektin administrativ

Ministria e Drejtësisë (MD) në Kosovë, konkretisht Inspektorati i kësaj ministrie, ka kryer inspektim në aspektin administrativ rreth rastit të vdekjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se për hetimin e rastit është kompetente Prokuroria, ndërsa ministria që ajo udhëheq vetëm ka bërë inspektim administrativ.

Haxhiu tha se para 10 ditësh kanë pranuar raportin e këtij Inspektorati që ka evidentuar disa shkelje që janë bërë në procesin e Astrit Deharit në të cilin ende nuk janë bërë të qarta rrethanat e vdekjes së tij.

Për rastin Dehari i cili vdiq më 5 nëntor 2016, ishin publikuar disa pamje brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ndërsa, kjo është njëra nga shkeljet penale që është evidentuar.

“Marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga komisioni tjetër përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave”, theksoi Haxhiu.

Ajo tha se incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë dhe zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, janë marrë para se ato t’i merrte policia, e cila ka autoritetin për t’i poseduar e para incizimet.

Sipas ministres Haxhiu, tjetër shkelje nga ana e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2016 ishte bërë duke e cilësuar rastin Dehari si vetëvrasje.

“Kryeinspektori dhe inspektorati i MD-së nuk ka të drejtë që të cilësojë nëse është vrasje apo vetëvrasje, ai merret vetëm me rrethanat e rastit. Pra, ne vlerësojmë se i njëjti ka tejkaluar kompetencat ligjore si kryeinspektor”, theksoi Haxhiu, e cila shtoi se raportin e Inspektoratit të MD-së në fjalë bashkë me dokumentet përcjellëse do t’i dërgojnë te Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, qëndroi në qeli për 68 ditë pa u marrë në pyetje zyrtarisht nga organet kompetente, ndërsa vdiq në rrethana të cilat ende nuk janë zbardhur më 5 nëntor të viti 2016-të. Ai mbahej i arrestuar së bashku me pesë aktivistë të tjerë të Vetёvendosjes që akuzoheshin për sulm me mjet shpërthyes mbi godinën e Kuvendit të Kosovës, pas përpjekjes së parlamentit për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Me kërkesë të familjes Dehari, rasti për zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit i ishte bartur Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, e cila në tetor të vitit 2018, kishte ardhur në përfundim se “gjasat janë të vogla që Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, ta ketë vrarë veten në burg”.

Më shumë për rastin e Astrit Deharit lexo KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button