Manipulimi i zyrtarëve serbë me rastin e dhunës ndaj 84 vjeçares

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë vazhdon të pretendojë se sulmet ndaj serbëve në komunat më shumicë serbe kryhen me qëllim të frikësimit dhe dëbimit të serbëve nga Kosova, duke aluduar në gjoja një ‘fushatë spastrimi etnik’ të popullates serbe të udhëhequr nga institucionet e Kosovës, shkruan Sbunker.net.

Në njoftimin e kësaj zyre thuhet se një grua 84 vjeçare është rrahur brutalisht mbrëmjen e së enjtes dhe të premtes në shtëpinë e saj në veri të Mitrovicës, dhe se ajo është viktimë e ‘banditëve dhe kriminelëve më të këqinj dhe e atmosferës së dhunës që është krijuar nga Prishtina kohëve të fundit’. Pa asnjë dëshmi lidhur me identitetin e personave që e kanë shkaktuar këtë sulm, kjo zyrë ka aluduar në përkatësinë etnike shqiptare të dhunuesve.

“Presim që autorët e këtij sulmi të tmerrshëm, të cilët sipas dëshmisë së viktimës kanë folur shqip, të dalin para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përcaktohet nëse motivi i sulmit ndaj Bozhana R. ka qenë vetëm interes personal, apo nëse motivi i sulmuesit ishte edhe frikësimi i serbëve në veri të Kosovës. Ky lloj sulmi ndaj serbëve dhe pronave të tyre zakonisht mbetet i pashpjeguar, veçanërisht në jug të Ibrit, ku Policia e Kosovës, në vend që të frikësojë popullin serb, duhet të përballet një herë e përgjithmonë me akuzën e madhe të ekstremizmit shqiptar drejtuar çdo gjëje serbe”, thuhet në këtë deklaratë.

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar Policia e Kosovës, ku në një sqarim për media ka thënë se kjo zyrë vazhdon të mashtrojë dhe të keqinformojë opinionin lidhur me raste specifike të ndodhura në Kosovë, dhe në raportin 24 orësh të policisë është thënë se ky rast është evidentuar si grabitje dhe se janë duke hetuar intensivisht lidhur me incidentin, por që deri më tash, motivi duket të ketë qenë përfitimi pasuror, andaj nuk mund të ndërlidhet si rast me elemente ndëretnike.

“Rr. Qeta e Minatorëve, Mitrovicë 25.08.2022 – 22:40. Viktima femër kosovare ka raportuar se gjersa ajo ishte duke qëndruar në shtëpinë e saj, aty kanë hyrë dy të dyshuar të maskuar dhe duke kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën kanë kërkuar nga ajo paratë. Si pasojë e sulmit fizik viktima ka pësuar lëndime trupore për çka dhe është dërguar në tretman mjekësor. Nuk raportohet për të arrestuar, rasti në hetime”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button