Do të kërkohet sërish ekstradimi i Gruevskit dhe të dënuarve për rastin “Monstra”, për herë të fundit është kërkuar në vitin 2018

Pas refuzimit të Hungarisë, përkatësisht Kosovës, njëherë për të ekstraduar të arratisurit Nikolla Gruevski, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, Ministria e Drejtësisë do të paraqesë kërkesa të reja për këta të dënuar, më të kërkuarit në vendin tonë, transmeton Portalb.mk.

“Në periudhën e ardhshme Ministria e Drejtësisë do të paraqesë kërkesa të reja për ekstradimin e Nikolla Gruevskit, Afrim Ismailoviqit dhe Alil Demirit. Deri më tani për Nikolla Gruevskin është dërguar një kërkesë për ekstradim nga nëntori 2018 dhe një shtesë në kërkesën për ekstradim nga qershori 2019. Është kërkuar ekstradim për të gjitha rastet për të cilat kemi ditur se janë duke u zhvilluar procedura para organeve të drejtësisë maqedonase, përkatësisht për të gjitha procedurat për të cilat është lëshuar urdhër. Hungaria ka refuzuar kërkesën për ekstradim më 05.08.2019 me arsyetimin se Nikolla Gruevskit i është dhënë azil dhe sipas ligjit të tyre personi nuk mund të dorëzohet në vendin nga i cili ka ikur. Situata me të gjitha proceset gjyqësore po monitorohet me kujdes dhe Ministria e Drejtësisë do të veprojë në përputhje me rrethanat dhe do të paraqesë një kërkesë të re për ekstradim”, thonë nga Ministria.

Për personat Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq është kërkuar ekstradim nga Republika e Kosovës për herë të parë më 15 mars 2013.

“Kërkesa për ekstradim është refuzuar me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga tetori i vitit 2015, i konfirmuar nga Gjykata e Apelit e Kosovës në janar 2016. Për të dy u kërkua sërish ekstradim më 5 shtator 2018. Më datë 08.10.2021 është marrë njoftim nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës se Ismailoviqit i është refuzuar ekstradimi, ndërsa për Demirin nuk ka përgjigje. Në procedurë është dorëzuar gjithçka që është kërkuar nga autoritetet e Kosovës”, pohon Ministria e Drejtësisë.

Përgjigje zyrtare, me të cilat refuzohej ekstradimi i Ismailoviqit, autoritetet e Kosovës dërguan dy herë, në shkurt 2016 dhe në tetor 2021. Për Demirin, përgjigje zyrtare nga Kosova erdhi vetëm në shkurt të vitit 2016.

Gjykata e Apelit në Shkup nxorri aktgjykim me të cilin vërtetohet vendimi i shkallës së parë për rastin “Monstra” me të cilin Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë dënuar me burgim të përjetshëm. Për këta persona, Ministria e Drejtësisë do të bëjë sërish kërkesë të re për ekstradim.

Ekstradimi i Ismailoviqit dhe Demirit u kërkua në seancën gjyqësore të “Monstrës” që u mbajt më 4 tetor të 2019-s.

Siç kumtuan nga Kabineti i ish-ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska, sa ka qenë ajo në pushtet, te ministri i Drejtësisë të Kosovës, Abelard Tahiri janë dërguar tre shkresa. Një kërkesë për ekstradim, dhe dy urgjenca për prononcim ndaj kërkesës.

Përndryshe, Gruevski u arratis në Hungari në nëntor 2018, kur duhej t’i dorëzohej vendimi për t’u dërguar në burg për ta vuajtur dënimin me burg për lëndën “Tank”.

Ndërkohë, Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button