Sociologji e së keqes: “Rasti Prishtinë” si shkas (II)

Janë disa teori që në përgjithësi zbërthejnë krimin. (1) biologjike: disa njerëz janë të lindur me prirje kriminele (Lambroso), (2) teoria psikologjike: disa njerëz nuk e kanë ndjenjën e moralitetit, janë tipa psikopatikë ose pa emocione dhe kënaqen me dhunën (Freud), (3) sociologjike: përvojat shoqërore të njerëzve, grupet në të cilat ata bëjnë pjesë, përvojat brenda grupeve, ndikojnë në sjelljen e tyre (Carrabine et.al, 2009), (4) e çorganizimit social: institucionet formale dhe informale nuk ndikojnë efektivisht në socializimin e të rinjve dhe në vendosjen e ruajtjen e rregullit dhe respektimin e normave sociale (Bursik & Grasmick, 1992) e të tjera.

Sipas Araji dhe Filkenhor (1985) etiologjia e pedofilisë mund të lidhet me zhvillimin e ndaluar (mospjekurinë), nivelin e ulët të vetërealizimit, identifikimin me agresivitetin, vetëpëlqimin, socializimin mashkullor me bazë dominimin, zgjimin seksual, abnormalitetin hormonal, socializimin me pornografi fëminore, bllokimin social (mosqasjen te femrat e rritura), anksiozitetin seksual, normat represive lidhur me seksualitetin, çrregullimin e  impulseve, retardimin mental, alkoolizmin, tolerimin kulturor, stresin situacional, normat patriarkale etj.

Në librin e fundit që jemi duke e shqipëruar, Hatice G. Aydoğan, Nëna e epokës digjitale, ndër stimuluesit jonormalë të kohës sonë përmendet edhe zëvendësimin i  seksualitetit natyror dhe legjitim me erotizmin dhe pornografinë (2021:60). Në kohën e sotme reklamat e seksualitetit shfaqen nga bilbordet deri te ato të webfaqeve ku ju lexoni një artikull mbi ekologjinë (pop-ups), sportin, inteligjencën artificiale… Të mos diskutojmë skenën muzikore dhe video-klipet vendore që Madonën dhe Lady Gaga-n i kanë lënë shumë pas, që sfidojnë turbo-folk ikonat serbe. Seksualizim masovik kemi edhe nëpër TV: prezantueset, madje edhe ato debative, të edicionit të sportit, parashikimt të kohës, theksojnë atraktivitetin e tyre trupor e pamor. Është koha e emërtimeve të çuditshme si Sin Boy (Djali i Mëkatit): një këngëtar shqiptar që jeton në Greqi. Shënjimi është i qartë dhe s’do koment. Për këtë trend të shqetësuar janë edhe vetë pjesëtarët e spektrit artistik-muzikor. “Po qëndroja një ditë në shtëpi dhe TV ishte tek një kanal televiziv muzikor. Mu desh të ndryshoja kanalin sepse vajza ime 9-vjeçare ishte aty. Nuk jam fanatik, por mendoj se disa imazhe nuk janë fare të përshtatshme për fëmijët” – është shprehur Gary Barlow, lideri i grupit muzikor “Take That”.

Shumë e pakuptimtë është që disa analistë, në rastin e fundit e akuzojnë traditën ose një dimension të saj që “afirmon maskilizmin, e objektivizon trupin e femrës patriarkalizmin e mësuar që nga djepi”. Në fakt tradita si ajo fetare (përkundër qasjeve ekstreme të vajzave 6-vjeçare me shami përligjur në rrjetet sociale me “My choice”) ashtu edhe ajo kombëtare e mbron femrën. Në kulturën tonë nënë, hallë, motër nuk ju thuhet vetëm atyre biologjike por edhe atyre në rrugë, në shitore, në pazar… Bile bile, në zakonin tonë me sy shumë të keq shihet edhe sharja e femrës, jo cënimi fizik apo intim i saj që cilësohet si mëkat.

Të shpresojmë që rasti i Prishtinës të jetë një ekces e jo një trend shoqëror. Ndërkohë që të gjithë ne, si qytetarë, prindër, medie, aktivistë, politikanë, akademi duhet të kontribuojmë në vetëdijësimin e rinisë dhe të tjerëve për shenjtërinë e fëmijës, për vijën e kuqe të seksualitetit. Lënda e etikës duhet të jetë nga shkolla fillore deri në katedrat universitare. Ajo ndihmon ndërtimin e personalitetit, mëson standardet e asaj që është dhe që s’është e pranueshme, ndërkohë që mësimdhënësit duhet të veprojnë si mentorë që ndikojnë në zhvillimin dhe sjelljet personale të fëmijëve. Mësimbesimi duhet të jetë pjesë e kurikulave shkollore gjithashtu ngase feja si burim i udhëzimit moral dhe mbështetjes sociale mund të na mbrojë dhe t’i reduktojë sjelljet deviante si alkoolizmi, përdorimi i drogës, delinkuenca dhe probleme të tjera në shkollë (Regneurs, 2008: 13). Po, është e vërtetë që ka edhe kuadro (teologë) që e ideologjizojnë këtë lëndë, që shpërfaqin pikëpamjen e tyre ekstreme për fenë, por ama imagjinoni sikur të mos ishte agjenti dhe balancuesi social i quajtur fe, në çfarë gjendjeje do të ishim? Natyrisht që s’duam afganiztanizim e as ISIS-zim, por jo edhe shoqëri ultra-permisive e perverse. Një nga pllakatat e shfaqura në protestën e mbajtur në Prishtinë, organizuar nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” ishte edhe “Nuk ka dështu nana, ka dështu shteti”. Ne themi: Kemi dështuar të gjithë, andaj duhet mobilizim i mirëfilltë për ringritje nga ky “shok” që jemi kah e përjetojmë këto ditë. Përndryshe siguria jonë do të cënohet edhe më tepër dhe që siç u shpreh një qytetar i Shqipërisë “edhe për të blerë bukë do duhet të dalim me jelekë antiplumb”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button