Arsovska shkarkoi drejtorin e ujësjellësit Perinski dhe sekretarin e Qytetit, thotë se manipuluan me tenderin për trajtimin e ujërave të zeza

Qyteti i Shkupit ka shkarkuar Zlatko Perinskin, ushtruesin e detyrës së drejtorit të Ndërmarrjes Publike Ujësjellësi dhe Kanalizim, për shkak, sip thonë nga Qyeteti, arbitraritetit dhe sjelljes së papërshtatshme në procedurën e tenderit milionësh, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të tentativave për ndikim, të cilat konsiderohen si tendencë që vërteton dyshimet e bazuara të Qytetit të Shkupit për arbitraritet dhe sjellje të papërshtatshme në procedurën për zgjedhjen e kontraktorit për tenderin prej 136 milionë eurosh, për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza, Perinski u shkarkua të premten, më 9 shtator 2022”, thuhet në kumtesën e qytetit të Shkupit. 

Ndërkohë edhe sekretari i përgjithshëm i Qytetit të Shkupit, Gjoko Velkovski, mëngjesin e sotëm ka njoftuar se largohet nga funksioni, i zhgënjyer, siç thotë ai, nga potenciali i dobët për punë dhe nga mosbashkëpunimi i kryetares Arsovska në realizimin e projekteve kapitale për qytetin e Shkupit. Në të njëjtën kohë, Velkovski ishte edhe këshilltar në Komunën e Çairit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ndaj nga Komisioni Antiorrupsion iu tha se duhet të heqë dorë nga njëra nga dy pozitat.

Nga kabineti i kryetares Danella Arsovska thonë se Velkovski të premten është shkarkuar nga posti së bashku me drejtorin e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, Zllatko Perinski. Nga atje shtojnë se arsyeja e shkarkimit është ndikimi i tyre në një procedurë tenderi të kontestuar për ndërtimin e një impianti për pastrimin në vlerë prej 136 milionë euro, mjete të siguruara nga BERZH dhe BEI.

“Velkovski u shkarkua të premten së bashku me u.d drejtor i NP Ujësjellësi dhe Kanalizim – Shkup Zllatko Perinski për shkak të tentativave për ndikim, të cilat konsiderohen si tendencë që vërteton dyshimet e bazuara të Qytetit të Shkupit për arbitraritet dhe sjellje të pahijshme në procedurën për zgjedhjen e një tenderi milionësh”, thonë nga zyra e Arsovskës.

Velkovski thotë se Arsovska tregon mbyllje, prioritete të ndryshme nga ato të premtuara, dinamikë të dobët në ritmin e realizimit ndërsa problemet akumulohen dhe në një situatë të tillë nuk është i mundur zhvillimi i qytetit të Shkupit.

“Këtë vendim e kam marrë për faktin se jam i zhgënjyer nga potenciali i dobët për punë dhe mosbashkëpunimi i kryetares Arsovska në realizimin e projekteve kapitale për qytetin e Shkupit. Premtimi për banorët e Shkupit ishte një metropol modern, ndërsa rezultatet të ishin të shpejta dhe të sigurta. Pas gati një viti në qytet, mund të them se punojnë individë dhe profesionistë të cilët prej dekadash kanë kontribuar në zhvillimin e qytetit dhe i falënderoj për bashkëpunimin, sakrificën dhe kontributin e tyre. Por në të njëjtën kohë, entuziazmi im dhe i tyre është i kotë kur Arsovska tregon mbyllje, prioritete të ndryshme nga ato të premtuara, dinamikë të dobët në ritmin e realizimit ndërsa problemet po grumbullohen. Në një situatë të tillë nuk është i mundur zhvillimi i qytetit të Shkupit, edhe pse me të drejtë qytetarët prisnin shumë më tepër pas marrjes  së funksionit”, ka shkruar ai në Facebook.

Perinski është anëtar i kuadrit të VMRO-DPMNE-së dhe deri në emërimin e drejtorit ishte shef i zyrës së Hristijan Mickoskit. Në kohën e Nikolla Gruevskit, ishte drejtor i sallës Boris Trajkovski.

Tenderi për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza është shpallur gjatë mandatit të kryetarit të komunës Petre Shilegov. Tenderi është hapur në mars të këtij viti dhe siç tha atëherë drejtori Perinski, janë pranuar dy oferta të cilat duhet të shqyrtohen dhe vlerësohen në 6 muajt e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button