Procesi i Bërdo-Brionit: Integrimi i plotë dhe i përshpejtuar i Ballkanit Perëndimor në BE është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Evropën

“Integrimi i plotë dhe i përshpejtuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Evropën”, ka njoftuar presidenti Stevo Pendarovski, nga  takimi i 11-të iliderëve të Procesit Bërdo-Brioni, me ftesë të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor dhe Presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq, transmeton Portalb.mk.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian, theksoi presidenti Pendarovski, kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, në përmirësimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, prandaj është e nevojshme të përshpejtohet proceset integruese të të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Presidenti Pendarovski theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për qasje sa më parë në mekanizmat e BE-së, si mbështetje për përballimin e krizës së ardhshme energjetike, dhe theksoi se kriza ekonomike dhe sociale mund të shkaktojë një krizë politike shumëvjeçare dhe të gjenerojë jostabilitet. Për të zbutur efektet negative të luftës në Ukrainë, presidenti Pendarovski apeloi për zgjerimin e bashkëpunimit dhe dialogut.

Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski shprehu pritjen se takimi i ardhshëm i Bashkësisë Politike Evropiane, i cili duhet të mbahet në fillim të tetorit, do të kontribuojë në përshpejtimin e mëtutjeshëm të integrimeve.

Në kuadër të diskutimit, presidenti Pendarovski theksoi se Bosnja dhe Hercegovina e meriton statusin kandidat për në BE, kurse Kosova regjimin pa viza dhe shprehu pritjen e tij për mbështetje të mëtejshme të fuqishme nga Sllovenia dhe Kroacia në proceset integruese evropiane të vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat. Pahor i bëri komentet në fund të samitit.

Në takimin që mbahet në Bërdo të  Kranjit, marrin pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari dhe dy anëtarët e Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, Milorad Dodik dhe Zheljko Komshiq, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq dhe ai i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Procesi Bërdo-Brioni, si nismë e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë, u krijua në vitin 2010, me qëllim përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke zgjidhur çështje të hapura politike dypalëshe dhe rajonale, dhe është një nga nismat më të rëndësishme politike në Evropën Juglindore, të cilat i hapën rrugën edhe formimit të procesit të Berlinit.

Ndryshe, në Samite të tilla si ai i Bërdos nuk merren vendime për zgjerimin, megjithatë pasqyrojnë tablonë e madhe të marrëdhënieve midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button