Një stuhi e re në Ballkan

Kaluan një shekull që kur Lufta e Parë Botërore mori fund. Revolucioni rus solli mjerim dhe tragjedi për shumë kombe në Evropën Lindore, Azi dhe padyshim në Ballkanin e atëhershëm. Njëqind vite pas, Lufta në Ukrainë tregoi për vendimet e padrejta të marra gjatë periudhës së komunizmit rus. Disa dekada pas, gjërat përsëri po funksionojnë mbi baza të rrymave politike të cilat kanë ngjyrime ende të kuqe ose janë të llojit të ekstremit të djathtë. Sot ende në Ballkanin Perëndimor kemi parti dhe shtete që mbajnë anë të qeverive pushtuese që përhapin ideologji dhe bëjnë propagandë. Sot, jemi dëshmitarë të ideologjive që pas vetes kanë një sistem të fortë informacioni të rremë që po shpërndahet dhe po zë vend në shtresat e qytetarëve që ju takojnë feve dhe kulturave të ndryshme.

Kur Lenini u nis nga Zvicra për në Gjermani për të ndaluar përfundimisht në Rusi, e cila njëkohësisht kishte dalë e shkatërruar nga LPB-ja dhe ushtria gjermane, askush nuk e kishte menduar se një ditë revolucioni i tij me shokë i quajtur si Revolucioni i Tetorit (1917), do të sillte gjakderdhje në tërë Evropën, duke infektuar popujt të vegjël që sapo kishin dalë nga LPB-ja dhe konfliktet rajonale. Bolshevizmi i dha një fytyrë tjetër botës, Evropës dhe padyshim edhe Ballkanit. Është e dokumentuar se me vendosjen e pushtetit komunist në Rusi dhe në Ukrainë, dhe pas vrasjes së perandorit rus, ngjarjet nuk prodhuan një ekonomi të hapur dhe as më pak një shoqëri të lirë. E gjithë toka dhe prona private u nacionalizua pas vdekjes së Leninit. Stalini me planin e tij të marrjes së tokës më dhunë nga pjesa fshatare, nuk solli gëzim, por dhunë dhe vuajtje, deri në vdekjen masive të popullatës së pa mbrojtur. Të njëjtat praktika vazhduan në RSFJ dhe vendet e ndara nga “Perdja e Hekurt”, nën sundimin sovjetik.

Historia na mëson se shumë procese nga e kaluara mund të përsëriten në formë tjetër. Kur çështja e Bosnjës dhe e Kosovës ende nuk kanë marrë fund, bëhet e nevojshme që të gjithë aktorët shtetërorë dhe jashtë të kenë rol të drejtë dhe të barabartë në luftën kundër ideologjive që burimin e kanë qoftë rajonal apo më larg. Më e rëndësishmja është që Ballkani Perëndimor njëherë e përgjithmonë të largohet nga ndikimet e jashtme. Edhe pse kjo duket mjaft e vështirë, qeveritë mund të bëjnë më shumë në drejtim të identifikimit të faktorëve dhe neutralizimit të të njëjtëve. Në dy shekujt e fundit ka qenë e vështirë të bëhet një gjë e tillë qoftë nga qeveritë kombëtare dhe ato të përkohshme, pasi mercenarë dhe grupe ushtarake të mbështetura nga shtetet fqinjë dhe fuqitë evropiane, kanë bërë destabilizimin e shteteve të sapoformuara.

Në këtë dekadë duhet të marrim mësim nga e kaluara dhe të kemi në konsideratë dëmet që solli bolshevizmi rus dhe lloji i enverizmit shqiptarë. Kur jemi tek hapësira shqiptare, pasojat e regjimit enverist ndjehen edhe sot, në demokraci duke lënë pas vetës drejtues në politikën shqiptare. Pasi vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dëshirë të bëhen anëtare të BE-së dhe të jenë shtete të përparuara, atëherë mbetet që ideologjitë dhe rrymat e ndryshme që paraqiten qoftë në politikë dhe në fe të përjashtohen nga aktiviteti publik. Disa qeveri ballkanike kanë njoftuar se janë duke dhënë maksimumin për të mos depërtuar filozofi të tilla në shtetet e përziera. Megjithatë, duhet pranuar se është vështirë të parandalohet aktiviteti njerëzorë dhe as më pak idetë. Mbetet gjithnjë në vetëdijen e qytetarëve që të mbrohen nga aktorë të huaj dhe paralelisht institucionet të kryejnë punën ashtu siç duhet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button