Charles III u shpall edhe zyrtarisht mbret

Charles III është shpallur të shtunën edhe zyrtarisht mbret i Mbretërisë së Bashkuar, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta II më 8 shtator. Ceremonia është mbajtur në Pallatin Shën James në Londër, transmeton REL.

“Jam krejtësisht i vetëdijshëm për këtë trashëgimi të madhe dhe për detyrat e përgjegjësitë e sovranitetit që janë tani mbi mua”, ka thënë mbreti Charles III përgjatë ceremonisë.

Pas përfundimit të ceremonisë, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 200 persona, lajmi për mbretin e ri i është kumtuar publikut nga ballkoni.

Më pas kanë luajtur trumbetat dhe është lëshuar himni kombëtar.

Flamujt, që kanë qenë në gjysmë-shtizë, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta II, janë ngritur sërish lart, pas takimit të të ashtuquajturit Këshill i Aderimit.

Në një prej vendimeve të para, mbreti ka vendosur që dita e varrosjes së Mbreterëshës Elizabeta II, të jetë ditë pushimi në gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Përgjatë ditës, mbreti pritet të marrë edhe vendime tjera, para se flamujt të kthehen sërish në gjysmë-shtizë të dielën.

Ky njoftim vjen pasi mbreti është zotuar se do të ndjekë rrugën e “nënës së tij të dashur” për t’i shërbyer kombit. Ai i ka bërë këto deklarata, në një fjalim emocional më 9 shtator.

Përgjatë fjalimit televiziv, ai e ka kujtuar dashurinë dhe humorin e mirë të nënës së tij, e cila ka qenë në fron për 70 vjet. Charles është bërë mbret në momentin që i ka vdekur nëna, mirëpo sipas traditave, Këshilli i Aderimit mblidhet sa më shpejt që është e mundur për të shpallur pasardhësin.

Në këtë takim, mbreti ka mbajtur një fjalim për vdekjen e mbretëreshës dhe më pas është betuar për të mbrojtur Kishën e Skocisë – sepse në Skoci pushteti ndahet në mes të kishës dhe shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button