Ruzhdi Lata: Projekti Radika nuk realizohet

Projekti në Lumin e Radikës në Maqedoni, i cili ka qenë para disa muajsh në fokusin e politikës dhe të mediave shqiptare dhe maqedonase, nuk do të realizohet. Nga ana tjetër ndërtimi i rrugës së Arbërit në Shqipëri, do të ishte “frymëmarrja” e nevojshme ekonomike e komunës së Dibrës dhe do të sillte mundësi të thellimit të marrëdhënieve ekonomike në shkallë rajonale. Këto ishin pikat kyçe të fjalës së kryetarit të komunës së Dibrës, Maqedoni, gjatë një veprimtarie 2-ditore me gazetarë dhe operatorë turistik nga Shqipëria, të organizuar për herë të parë nga “Macedonia Invest” dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT), për të promovuar bashkëpunimin në fushën e turizmit nga të dyja anët e kufirit.

Radika 

Për projektin në lumin e Radikës, z. Lata është shprehur në mënyrë kategorike se nuk do të realizohet. Ai thekson se kjo gjë do të sillte dëme për shqiptarët. Ndërkaq, ai e ka cilësuar një fat të mirë për të gjithë faktin, se qeveria shqiptare ka dhënë mbështetjen e saj në lidhje me këtë problematike. Gjithashtu kryekomunari Lata është shprehur se bashkëpunimi i faktorëve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të shtetit shqiptar, është pozitiv, në lidhje me këtë çështje. “Sa i takon problematikës së lumit të Radikës, duhet theksuar në mënyrë taksative, se më së pari ky lum është një dhuratë e perëndisë për Dibrën dhe dibranët si dhe për trojet shqiptare, ngase buron nga trojet shqiptare dhe  derdhet në detin shqiptar. Radika është simbol i Dibrës për ujë të pijshëm dhe është i vetmi lum, ndoshta në Europë, që i tërë uji i tij të jetë i pijshëm, duke qenë se rrjedh nga themelet e Korabit në sasi të konsiderueshme, pa pësuar asnjë ndotje natyrore. Por ka edhe vlerat historike, se ai ujë ka shëruar dhe furnizuar të sëmurin, ka shëruar të plagosurin dhe ka ujitur fushën e Dibrës.

Përveç kësaj, lumi i Radikës furnizon me ujë 4 hidrocentrale: një në Dibër, atë të Shpillës, dhe tre të tjerë në Shqipëri. Kjo do të thotë se, po qe se dëmtohet diçka në lumin e Radikës, dëmtohen të gjithë shqiptarët. Ne jemi kategorik kundër devijimit të lumit të Radikës. Këtë e them me besim të plotë dhe premtime të sigurta se ky projekt nuk realizohet. Banka Botërore është tërhequr. Fatmirësisht, qëndrim shumë rigoroz ka edhe nga ana qeverisë shqiptare. Me vendosmëri mund të them se ky projekt më tepër se një projekt ekonomik është projekt politik dhe nuk realizohet. Këtë gjë dibranët e treguan. Ata protestuan në Dibër, në Peshkopi, në Tiranë, në Bruksel, në Romë edhe para OKB-së. Pra ka një ndjeshmëri absolute të popullatës dibrane, në lidhje me mosrealizimin e këtij projekti. Gjithashtu kemi një rast të mirë mirëkuptimi të faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe të shtetit shqiptar. Prandaj Radika mbetet rrjedhë, për të furnizuar shqiptarët dhe tokat shqiptare më ujë të pijshëm”, – nënvizoi kryekomunari i Dibrës, Ruzhdi Lata.

Si të bëhesh dibran pa qenë i tillë?

Kreu i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, tregon për një takim privat me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, tek i cili ai i tregon, kreut të qeverisë sonë, se si mund të bëhet dibrani më i madh edhe pa qenë dibran. Kjo lidhej me ndërtimin e rrugës së Arbrit, për të cilën kryeministri Rama, u shpreh se një prononcim zyrtar për këtë do kishte në fund të muajit qershor. “Ishte para 2-javësh në  Dibër kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, në një vizitë private. Në një bisedë të lirë, unë i them: “Zotëri ju dibran nuk jeni, por mund të bëheni dibrani më i madh”. Më pyet se si bëhet. I them se kush e ndërton rrugën e Arbërit mbetet dibran i përjetshëm. Ai më tha: “Ruzhdi tani nuk mund të them gjë, por në fund të qershorit do të prononcohem për këtë”, – tregon kryekomunari Lata.

Diçka për të mësuar më tepër nga dibranët 

Dibra është një qytet i vogël ku pjesa më e madhe e banorëve janë shqiptarë. Ky qytet është i rrethuar nga malet dhe ka një bukuri të veçantë natyrore, duke e bërë atë një destinacion të përshtatshëm për t’u tërhequr për pak kohë nga rutina e vrullshme e një metropoli. Nga ana tjetër, nëse do të krahasohej me qytete të të njëjtave përmasa, të cilat ndodhen në Shqipëri, mund të vihet re se nga ana arkitekturore Dibra është më e rregullt dhe e strukturuar. Njerëzit në këtë qytet janë shumë miqësor, por ajo që vihet re më shumë është se pavarësisht disa vështirësive ekonomike me të cilat përballet Dibra, ata mbeten pozitiv dhe me një mendësi më të prirur ndaj punës se në zona të caktuara në Shqipëri. Ajo që bën përshtypje në Dibër janë zonat bujqësore. Edhe në ditë të shtunë atje punohet dhe ajo që mund të theksohet për mjetet rrugore është fakti se zonat bujqësore kanë më shumë mjete bujqësore të motorizuara se sa autovetura.

Të rinjtë dibranë, si shumë të rinj në Shqipëri janë të prirur për të kryer studimet e larta, por fatkeqësisht edhe në qytetin e tyre papunësia është e lartë. Mjafton një bisedë të shkurtër me ta për të krijuar një peizazh të larmishëm të gjërave të mira dhe problematikave të qytetit ku ata jetojnë. Kjo bisedë bëhet më e këndshme kur merret në konsideratë se ajo zbukurohet nga shprehjet lakonike dhe ironike të dibranëve, për të cilat ata njihen më së mirë dhe që do të vinin në vështirësi edhe oratorin më të mirë, të trajnuar nga metodat më bashkëkohore të komunikimit. Për të përmbledhur me pak fjalë të rinjtë e Dibrës, të vetëdijshëm për probleme, që ka qyteti i tyre, vënë në pah edhe gjërat pozitive të tij. Ata kërkojnë që Dibra të mos pasqyrohet vetëm më anët negative të saj, por edhe për ato vlera që ka. Nga ana tjetër, si shumë shqiptarë që jetojnë në troje, mbështetja kryesore që duan nga Shqipëria është një mbështetje morale. Përpos kësaj, mendoj se të rinjtë në Shqipëri kanë diçka për të mësuar nga pozitiviteti i të rinjve dibranë.

Turizmi dhe sipërmarrja në Dibër të Madhe

Edhe pse një komunë e vogël, Dibra është e prirur për të promovuar vlerat e saj, në mënyrë që të tërhiqnin turistë dhe investitorë. Ajo për të cilën shquhej më shumë kjo komunë janë ujërat termalë të saj, të cilat kanë efekte kurative për sëmundje të ndryshme. Ujërat termalë në këtë zonë janë përdorur, që në kohën e romakëve, por do të ishte gjatë sundimit osman, që do të ndërtohej një hamam, për të frekuentuar atë në mënyrën e një banjoje apo hamami. Përpos ujërave termalë, ekzistojnë edhe ndërtesa me një histori të veçantë. Një nga këto është edhe Xhamia e Sinqarit. Në vitin 1468, sultan Mehmet II ose Mehmet Pushtuesi, siç njihet në histori për fushatat e shumta luftarake të ndërmarra, ndërtoi në zonën e Dibrës, Xhaminë e Sinqarit. Nga emri kjo do të thotë pendim.

Sipas të dhënave historike, kjo xhami u ndërtua në shenjë pendimi nga ana e sulltanit, për shkak të luftës së egër të zhvilluar në këtë zonë, duke u marrë jetën shumë dibranëve. Një tjetër ndërtesë interesante është edhe manastiri i Shën Gjergj Ngadhënjimtarit , i cili ka një kopsht të bukur me trëndafila, dhe brenda tij besohet se janë një pjesë e eshtrave të Shën Gjergjit. Për sa i përket pasurive natyrore, Dibra është vendi i parë në Europë për mineralin gips më cilësor me pastërti 99.9%. Vetëm dy zona ekzistojnë në botë, të cilat kanë gips me cilësi të tillë: njëra është në Dibër, ndërsa tjetra në Meksikë. Sipërmarrjet kryesore në Dibër janë ato bujqësore, prodhimi i të cilave është i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e zonës. Ndërkaq, një tjetër sipërmarrje e zonës është edhe prodhimi i jufkave, për të cilat mund të themi se janë makaronat tradicionale shqiptare, dhe për të cilat Dibra është e famshme për këtë prodhim të vetin. Ndërkaq, sipërmarrësit e Dibrës shprehin nevojën për ndërtimin e rrugës së Arbërit, për të thelluar shkëmbimet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Këtë gjë e thekson edhe përfaqësuesi i “Invest Macedonia”, z. Fatos Mustafa, i cili në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, zhvilloi një tur historik në Dibër, për të thelluar bashkëpunimin turistik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. “Kjo është një arterie shumë e rëndësishme që i nevojitet së tepërmi dhe finalizimi i saj do të shërbente si një frymëmarrje e madhe për ekonominë e këtij rajoni që ka shumë vlera turistike, kulturore, ekonomike, etj”, – shprehet ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button