fbpx

Prit gomar, sa t’del bar!

Kosova në dy takimet e fundit të ndeshjeve miqësore në futboll, kundër Turqisë, e cila gjendet në vendin e 39-të në listën FIFA-s, dhe Senegali në vendin e 63-të, për përzgjedhësin Albert Bunjaku pati bilanc pozitiv! Ai me paraqitjen si dhe lojën e lojtarëve ishte shumë i kënaqur! Këtë edhe e deklaroi në media pas humbjes kundër Senegalit. Ata që sipas vokacionit do duhej që të jenë opozitë konstruktive në sport, janë gazetarët sportivë, por mjerisht me rastin e këtyre tri ndeshjeve pati edhe asi biçim gazetarësh që nuk u sollën në nivelin e profesionit.

Disa nga mosdija e disa tjerë si argatë të Federatës, që për detyrë e kanë të lëvdojnë e apllaudojnë edhe atë që në sport quhet disfatë, e për udhëheqjen e Federatës vazhdimisht thurin tirada, duke i shitur këtij mileti “dushk për gogla”. Për habi të njohësve të futbollit, por edhe mbarë opinionit, këta gazetarë në emisione e përkrahën deklaratën e selektorit, i cili deri më tash, sipas disa biçim gazetarëve, na paska bë punë kolosale!

T’ju kujtoj: kundër reprezentacionit të Turqisë, reprezentacioni i Kosovës humbi me rezultat 6 me 1; kurse kundër atij të Senegalit 3 me 1. Nëse kësaj ia shtojmë edhe ndeshjen e parë “historike” kundër Haitit 0 me 0, një reprezentacion i cili gjendet në vendin e 77-të në ranglistë, na del se Kosova nga 3 takimet e zhvilluara jo që ende s’e ka shijuar gëzimin e fitores (!?), por me 9 gola të pësuara u korit, dhe goxha e ka dëmtuar imazhin ndërkombëtar.

Sidomos mendoj se i zhgënjeu ata miq ndërkombëtarë që lobuan për çështjen tonë, sepse ata i besuan euforisë dhe optimizmit të tepruar të njerëzve të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe politikës ditore, e cila në këto ndeshje ndërkombëtare bëri fushatë të paparë deri më tash. Bile ministri në largim i Sportit, Memli Krasniqi, në media shpesh mori rolin e ekspertit, duke konstatuar se gjoja Kosova ka potencial të lojtarëve që menjëherë të kyçet në garat për kualifikime për kampionatet evropiane dhe ato botërore, sapo të pranohet në FIFA dhe UEFA.

Mirëpo, sipas rezultateve të tri ndeshjeve që zhvilloi Kosova, na doli se ishte “fontanë dëshirash” dhe fushatë parazgjedhore e partisë në pushtët.

Në sport, pra edhe në lojën e futbollit, vetëm cilësia dhe rezultati pozitiv krijon vend në familjen evropiane dhe botërore. Arsyetimet tjera dhe justifikimet për vështirësi apo pengesat eventuale janë kaqapordhica. Ka qenë e ditur se Turqia është kafshatë e madhe për Kosovën, mirëpo nuk kemi pritur që turqit, me ekip të formacionit të dytë (me përjashtim të dy lojtarëve), t’i shënojnë 6 gola dhe të fitohej përshtypja se “kardashët” turq mund të shënonin kur të donin.

Megjithatë, i falënderojmë vëllezërit tanë turq për rahmetin që patën dhe na qëndisen gjashtë yjet e flamurit, me të cilin në ndeshjet ndërkombëtare të futbollit e kemi të ndaluar të identifikohemi. Nëse jemi pa flamur, gajle e madhe! Në vend të tij e kemi fusnotën “hedije”, që na e sollën bisedat e Brukselit, me në krye hanëmabllan, Edita Tahiri. Mirëpo, kjo askujt s’po i pengon, me rëndësi është të bëhet gjurulldi.

Është me rëndësi që dikush të përfitojë në emër të shtetit, të cilin e kanë bërë leckë të çerepit. Për çudi, na doli se edhe selektori na qenka i kënaqur me rrjedhën e deritashme, dhe se nuk paska dashur ta bëjë “punën e autobusit”, që domethënë, të shmang lojën e fortë në mbrojtje. Arsyetimi i tij është ky: tifozët kanë ardhur për ta shikuar lojën e jo mbrojtjen! Se një taktikë e këtillë na qenka e demoduar!?

Ka harruar selektori se edhe mbrojtja është pjesë e lojës dhe taktikës, sepse loja e hapur dhe ofensive me këta lojtarë na dhuroi një thes gola dhe besoj se selektori e di se rezultati pozitiv është imperativ i çdo sportisti dhe çdo shteti që lufton për rejting. Është e saktë se inkorporimi i lojës individuale në atë kolektive kërkon periudha më të gjata stërvitore, mirëpo nuk mund ta kuptoj se si 35 lojtarët që i përzgjodhi (me disa përjashtime) vrapimin në fushë e patën të shpejtësisë së breshkës.

Margaritari tjetër i tij na ishte deklarata se për rezultate pozitive të kësaj përfaqësuese, selektori i reprezentacionit të Kosovës, zoti Bunjaku (i cili na erdhi nga Skandinavia, ku deri më tash ka qenë vetëm ndihmëstrajneri në tri skuadrat e ligës së parë suedeze në Kalmar, Orebro dhe Allsvenka), duhet të presim vitin 2016 dhe nëse Kosova pranohet në familjen ndërkombëtare të futbollit, të jetë e gatshme për kualifikimet në kampionatin botëror të 2018. Kësaj i thuhet “prit gomar sa t’del bar”! Apo, që të jem edhe më i saktë, ky është yrnek tipik i premtimeve shtatëvjeçare të pushtetit në largim.

Ky formacion, i komponuar me këta lojtarë, të cilët ishin kryesisht nga shtetet skandinave, por pati edhe nga vendet tjera të Evropës, janë lojtarë të moshës së mesme, me dy përjashtime, që domethënë se më 2018 do të jenë mbi 30-vjeçare, ndërsa lojtari i cili na gëzoi me golin që shënoi kundër Senegalit, Albert Bunjaku, sot i ka 31vjet.

Strategjia e reprezentacioneve ndërtohet me planin dhe programin afatgjatë, me forcat e ekspertëve kosovarë të cilët janë në përcjelljen e formës së lojtarëve, kryesisht të Kosovës, të cilët prej tash duhet të seleksionohen dhe të zhvillojnë punën në kampet futbollistike që duhet të themelohen në Kosovë. Për t’u arritur kjo, se pari duhet që sporti krejtësisht të jetë i pavarur nga politika, të ndalet turri dhe të reduktohen ndeshjet miqësore të cilat kanë kosto të lartë financiare. Sipas disa burimeve, Senegalit për ndeshjen që e zhvilloi kundër Kosovës, iu paguan 50.000 dollarë, plus 10.000 dollarë i mori ndërmjetësuesi.

Tri herë më shumë kanë kushtuar dy ndeshjet tjera. Mos të harrojmë se në Kosove futbolli luhet dhe njëkohësisht përcillet nga tifozeria me disa dekada. Duhet kujtuar se Kosova me 2007 në Ankara shënoi fitore në takimin miqësor kundër pjesëmarrësit të katërfishtë në kampionatet botërore, Arabisë Sauditë, me rezultat 1 me 0. Ekipi i udhëhequr nga selektori Edmond Rugova dhe kapiteni i ekipit kosovar Besnik Hasi, sot trajner i parë i ekipit të Anderlehtit, me këtë fitore që mbeti e vetmja deri sot, habitën botën e futbollit dhe e ngritën rejtingun e futbollit kosovar.

Pastaj emrat e mëdhenj të futbollit evropian, që janë kosovarë që po bëjnë nam në ekipet më të forta evropiane, e për të cilët Kosova nuk dha kurrfarë kontributi, dhe vullneti i tyre për të luajtur për Kosovën, do varet nga vendimi i tyre personal. Fama e tyre dhe loja që po e bëjnë në ekipet që po luajnë, beri që ekspertët e kësaj loje Kosovën ta radhisin si vend që ka talentë të rralle të futbollit.

As këtyre tri ndeshjeve të pafavorshme, interesim për të luajtur me Kosovën do të kenë ato vende që kërkojnë “sparing’, si në thesin e boksit. Federata e Futbollit Kosovar duhet ta dijë se sidomos gjatë periudhës kur u zhvilluan këto tri ndeshje miqësore, ishte me tepër se ç’duhet në përqafim të pushtetit në largim. Ministri i Sportit, në largim, Memli Krasniqi, sa here iu dha rasti në mediume, të gjitha përgatitjet rreth futbollit i vlerësoi si sukses të kësaj qeverie, a thuajse nuk janë këto para të taksave të popullit!

Lajme të ngjashme

Back to top button