Udhëtarëve ju rrjedh ujë mbi kokë në autobusin Tetovë-Shkup (VIDEO)

Pas dhjetë minutash shiu pasditen e sotme ka rrjedhur ujë në autobusin e linjës Tetovë – Shkup. Pasagjerëve, siç dëshmojnë ata, u pikonte ujë në kokë , kështu që një pjesë e madhe e tyre u zhvendosën në sediljet e përparme, dhe ata për të cilët nuk kishte vend në pjesën e përparme, kur arritën në Shkup dolën të lagur, transmeton Portalb.mk.

“Uji pikonte në çdo karrige, të gjithë ishim të lagur. Është vërtet nën çdo dinjitet njerëzor që njerëzit të udhëtojnë në kushte të tilla, sidomos që disa prej nesh shkojnë në punë ose në takime në Shkup”, thotë pasagjerja nga Tetova E.L.

Biletat e autobusit në linjën Shkup-Tetovë kushtonin 120 denarë në një drejtim, pastaj u rritën në 160 denarë, ndërsa prej tre muajsh bileta kushton 200 denarë.

Autobusi është i kompanisë “Rule Tours”, e cila menaxhon edhe Stacionin e Autobusëve në Shkup.

Maser Omeragiq, drejtori i “Rule Tours”, ka thënë për “Meta.mk” se ka qenë një problem i vogël, për shkak të reshjeve të sotme.

“Tani kjo është tema juaj kryesore e ditës, pavarësisht gjithçkaje që po ndodh në vend? Kishte një problem të vogël, tani kontrollova, shiu hyri në sistemin e ventilimit dhe filloi të pikonte, jo gjë e madhe, nuk ishte përmbytje. Autobusi do të riparohet. Mirëpo, qielli dhe toka janë bashkuar, pritet që të lind problem”, tha ai.

Në vitin 2015, në tenderin publik për dhënien me qira dhe menaxhimin e stacionit të autobusëve në Shkup, Rule Tours u zgjodh për të menaxhuar stacionin e autobusëve për 15 vitet e ardhshme. Kjo kompani ka qenë më parë koncesionare e Stacionit të Autobusëve.

Faqja e Stacionit të Autobusëve nuk funksionon prej dy vitesh, ndaj qytetarët nuk mund të informohen online për orarin e udhëtimit. Omeragiq thotë se faqja e internetit ka dy vjet që nuk funksionon për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe se po punohet për zgjidhjen e problemit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button