Shkrimtari që lëvroi shkëmbin

I formuar në qendrat më të njohura të Evropës, i paprekur nga hatri i rremë dhe konformizmi ballkanik, Faik Konica pati guximin të shkruajë mbi temat e nxehta të kohës së tij, duke sfiduar prapavitë e pushtuesve dhe mendësinë delikate të parësisë së atdheut dhe të disa krijuesve bashkëkohanikë. Guximi dhe stili i të shprehurit të gjërave, ironitë e holla dhe sarkazmat therrëse e bënë për një kategori njerëzish shumë të dashur, kurse për disa të urryer e të kontestueshëm. Ata që e gjenin veten në ato shkrime ia denigronin personalitetin, ndërkaq pushtetarët e dënonin me vdekje. Jo të gjithë e dijnë se  Faik Konica është i dënuari i shumëfishtë i mendimit të lirë. Për shkak të shkrimeve të tij, qeveria turke e ka dënuar dy here me vdekje, kurse Austria, pas pajtimit me projektin gjerman për ndarjen e tokave shqiptare mes Serbisë dhe Greqisë (1915), e shpalli persona non grata. Për paradoks, një dënim i rreptë për të, më 1922, u kërkua madje edhe në Parlamentin shqiptar.

Konica i ka fshikulluar më fort se çdo krijues tjetër të metat e kombit të vet, duke prekur kësisoj përjetësisht në sedër midelijntë, të cilët, hiq ca përjashtime të njohura për publikun lexues, janë bërë kritikë, jo të veprave letrare, po “të metave” njerëzore të tij. Në letërsinë shqipe, për asnjë letrar tjetër nuk janë shkruar e nuk shkruhen kapituj të tërë mbi gabimet e bëra në planin e përditshmërisë njerëzore. Përjashtim bën vetëm Faik Konica. Dhe, si për të dëshmuar tendencën e pashpjegueshme dhe energjinë negative ndaj tij, nuk mungojnë madje as “studiuesit” që, para se ta thonë një fjalë të mençur për veprën unikate, merren zhurmshëm, madje dhe me përcaktimin seksual dhe shtratin e Konicës, duke tentuar me ankth që edhe në këtë plan të sajojnë dëshmi diskredituese për ta nxjerrë në total të dështuar njeriun më të ditur e më të kompletuar që ka pasur ndonjëherë bota shqiptare.

Mjeti që zgjodhi Konica ta thotë çiltas atë që kishte në mendje e në shpirt ishte shkrimi, ishte vepra e veçantë që u përket llojeve të ndryshme letrare, tharmin e të cilave e përbën eseja – zhanri që ia mundësoi të mbetet përjetësisht, jo vetëm në historinë e kulturës dhe letërsisë shqipe e ballkanike. Parashtrohet pyetja: përse Konica zgjodhi për të komunikuar me shqiptarët dhe me botën pikërisht zhanrin e esesë, të cilin e themeloi vetë – zhanrin që në Shqipërinë e kohës së tij ishte gati i panjohur? Përse nuk veproi si krijuesit e tjerë bashkëkohanikë, që kultivuan me ngulm krijimtarinë letrare në vargje?

Përgjigja është e qartë, e logjikshme dhe e thjeshtë: rrethanat në të cilat nisi të krijojë Ai nuk ishin të favorshme për zhanret letrare si poezia, sepse nuk e kishin forcën e esesë, të cilën Ai e njihte më mirë se cilido krijues tjetër i Rilindjes. Formimi në shkollat më të mira franceze e kishte bërë ta kuptojë në moshë fare të re se qenë eseistët e kalibrit të Montenjit e Volterit ata që hapën dyert e arsyes njerëzore, që propaguan qëndrimin kritik ndaj fenomeneve dhe ngjarjeve shoqërore, që nxitën frymën antifanatike dhe shkundën nga themelet mendësinë mesjetare të Evropës. Po këtë Konica u përpoq ta arrijë në një kontekst tjetër kohor e hapsinor, duke e shfrytëzuar shkrimin si mjet me të cilin iu fut gati i vetmuar lëvrimit të shkëmbit, ndriçimit të mendjes së kombit dhe gjetjes së kodit të humbur evropian të shqiptarëve, që sakaq u bë motoja e jetës së tij dhe e Rilindjes Kombëtare. Përvoja i thoshte se vetëm forca e esesë mund ta xigëlojë ndërgjegjen e fjetur shqiptare dhe ta çlirojë atë nga kllapia e kultivuar me sistem prej armiqve të vjetër e të rinj, të cilët, krahas planeve për shpëtimin e vendeve të tyre nga kthetrat otomane, kishin përgatitur dhe planet për copëtimin e Shqipërisë së katandisur nga luftërat e pareshtura dhe prapambetja me përmasa oqeani.

Përveç pragmatizmit dhe interesit kombëtar ishte dhe natyra e trazuar ajo që e bëri Konicën të jetë eseist në të gjitha shkrimet: edhe në skica e tregime, edhe në romanin e tij të vetëm, edhe në publicistikë, edhe në letërkëmbim, edhe në polemikat e zjarrta, edhe në shkrimet e karakterit historik, politik, gjuhësor, religjioz…, madje një eseist shumë të parakohshëm në kulturën dhe letërsinë shqiptare – një eseist që i bën nder edhe kulturës e letërsisë evropiane, duke qenë se e gjejmë të inkuadruar me vepër konkrete në mendimin dhe idetë më përparimtare perëndimore, të cilat i përkapi më mirë se cilido krijues bashkëkohanik nga Ballkani, përfshirë këtu dhe krijuesit shqiptarë, si: Jeronim de Rada, Pashko Vasa a Elena Gjika, që ngjashëm si Ai patën relacione interesante e të frytshme me kulturën dhe me letërsinë evropiane.

Në këto raporte të shtrira përgjatë tërë jetës, Konica arriti të ruajë të pacënuar personalitetin e tij – vijat identitare të etnisë dhe tiparet më të zgjedhura të temperamentit mediteran e lindor, pjesë e të cilëve ishte dhe kosmopolitizmi i lindur e gati gjenetik, i shprehur pa hezitim e me çiltërsi në çdo situatë, pavarësisht keqkuptimeve që mund të kishte nga të vetit dhe ata të tjerët. Kjo është ajo që e bën të veçantë këkë institucion prej njeriu, që si rrallë ndonjë bashkatdhetar tjetër arriti të depërtojë thellë në gjuhën e të tjerëve, të shkrihet në një mentalitet tjetër e përsëri t’i mbetet besnik të vetit…

Konica është i vetmi krijues evropian që në dy gjuhë të ndryshme u shërbeu dy kulturave të ndryshme. I lidhur me avangardistët francezë – Apolinerin, Remi de Gurmonin, Alfred Zharinë…, ky aristokrat tipik i artit, siç e quan Kadareja, edhe botën shqiptare e shihte përmes kritereve estetike evropiane, gjë që i solli shumë telashe e i hapi shumë fronte polemikash interesante, të cilat, edhe përkundër keqkuptimeve, rezultuan më emancipuese, më vetëdijësuese, më domethënëse e më dobiprurëse se vjershat e cilitdo poet të romantizmit tonë të vonuar, të shkruara në një kohë kur shqiptarët barkëboshë dhe të mbetur analfabetë, pa fajin e tyre, nuk e kishin ngenë e ushqimit të shpirtit me metafora.

Ngjashëm si Mishel Montenji që me esetë e tij u përpoq të pajtojë kundërthëniet e thella ndërmjet mesjetës dhe rilindjes së madhe evropiane, Konica tentoi të ndërlidhë botën e tëhuajsuar shqiptare me atë perëndimore, në një kohë kur kjo betejë dukej shumë donkishoteske. Eseja i përshtatej më së miri natyrës së trazuar të shpirtit univers dhe i përgjigjej betejës jetësore koniciane për të riparuar kontinuitetin e ndërprerë të gjuhës e të kulturës shqiptare nga aziatizimi gati pesëshekullor dhe për t’i kthyer atje ku e kishin vendin – në gjirin e gjuhëve dhe kulturave indoevropiane. Ky ishte synimi më madhor, ndoshta ideali qendror i jetës së tij, të mbetur peng mes frakturës evro-aziatike, mes orientit e oksidentit, mes dy botësh që aso kohe ngjanin të largëta e të papajtueshme. Ndjeshmëria e tij e dyzuar xigëlonte publikun evropian, sepse përbënte simbiozën e dy temperamenteve që shpërfaqeshin mu në qendrën sizmike të vlimeve kulturore evropiane. Ky fakt i bënte të dyzuara dhe qëndrimet e tij, që shpesh binin ndesh me njëri-tjetrin.

Faik Konica nuk ka shkruar shumë libra, mirëpo, çfarëdo që shkroi pena e tij, ka brenda vetes aromën e artit të mirëfilltë, figurën artistike dhe dellin e mjeshtrit të spikatur të fjalës së shkruar, nga i cili duhet të marrim mësimet e domosdoshme për të shkuarën dhe për të ardhmen tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button