RMV, marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot janë miratuar dy vendime përmes të cilave, sipas ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi synohet tu dilet në ndihmë kompanive sa i përket furnizimit me energji elektrike, njofton Portalb.mk.

“Vendim që tu dalim në ndihmë kompanive që janë në tregun e lirë, sa i përket furnizimit me energji elektrike dhe definuam marzhën të cilën ata mund ta implementojnë në momentin që bëjnë kontrata për furnizim me energji elektrike e cila nuk mund të jetë më shumë se 10 për qind, duke u referuar në çmimin e bursës HUPX (Hupex) e cila është bursë referente për Republikën e Maqedonisë së Veriut sa i përket energjisë elektrike”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Bekteshi gjithashtu njoftoi se është dërguar propozim deri te Komisioni Rregullator për Energjetikë që të zvogëlohet marzha e furnizuesit me energji elektrike nga 50 në 20 për qind.

“Si propozim ndaj KRRE-së kemi dërguar që të zvogëlohet marzha e furnizuesit nga 50 në 20 për qind. Për fat të keq një numër i konsiderueshëm i institucioneve publike pavarësisht nëse janë në kuadër të pushtetit lokal apo qendror, ende edhe pse jemi në muajin shtator nuk kanë lidhur marrëveshje për tu furnizuar me energji elektrike që në mënyrë automatike e rëndojnë buxhetin e të njëjtave institucione dhe në vend që ai buxhet të shfrytëzohet për përmirësimin e kualitetit të arsimit, për projekte infrastrukturore në kuadër të komunave dhe pushtetit qendror ai buxhet paguhet në mënyrë të papërgjegjshme nga drejtuesit e këtyre institucioneve për furnizim me energji elektrike”, tha Bekteshi.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Ditë më parë nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Nga ana tjetër, termocentralet e Maqedonisë së Veriut (ESM) kanë për detyrë të aktivizojnë të gjitha kapacitetet prodhuese dhe të prodhojnë 25 për qind më shumë energji elektrike se vitin e kaluar, në mënyrë që vendi të kapërcejë krizën energjetike. Gjithashtu, kompania private “TE-TO” duhet të përfshijë plotësisht kapacitetet e saj dhe të bëjë energji që do t’u shitet kompanive nën çmimet e bursës, të cilat tani janë shumë të larta dhe siç thonë kompanitë nuk mund t’i mbajnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button