Tetovë, “ping-pong” me kuadrot arsimore, pritet konkurs i ri

Përafërsisht për mbi 20 mësimdhënës në shkollat fillore në Komunën e Tetovës më 31 gusht kanë përfunduar kontratat e punës dhe ato nuk u janë vazhduar. Nga Komuna e Tetovës nuk tregojnë numrin e saktë se për sa mësimdhënës bëhet fjalë. Jozyrtarisht bëhet fjalë për mësimdhënës të cilët kanë qenë në prag të marrjes së vendimit për punë. Mësimin aktualisht e mbajnë mësimdhënës që janë në rolin e zëvendësit. Në tre shkolla inspektorati shtetëror i arsimit ka kryer kontroll të jashtëzakonshëm, shkruan Portalb.mk.

Mos-vazhdimi i kontratave të punës të mësimdhënësve në shkollat fillore të Tetovës bëri bujë mediatike, madje në një prej shkollave prindërit dhe nxënësit bojkotuan edhe mësimin, duke kërkuar rikthimin e mësimdhënësve të vjetër.

Komuna e Tetovës nuk e tregon saktësisht se sa është numri i mësimdhënësve të cilëve nuk u janë vazhduar kontratat.

Për të njëjtën Portalb.mk sot në Komunë dorëzoi kërkesë përmes Ligjit për qasje në informata të karakterit publik. Për të parë situatën faktike se si qëndron nëpër shkolla, gazetari i Portalb.mk vizitoi disa prej tyre.

Në shkollën fillore “Liria” ishim të mërkurën dhe sot, por drejtoreshën nuk e gjetëm aty.

Në shkollën fillore “Naim Frashëri”, të mërkurën drejtori na tha se në shkollën e tyre bëhet fjalë për pesë mësimdhënës të cilëve nuk u është vazhduar kontrata dhe janë zëvendësuar me të rinj. Ndërkaq për detaje të tjera na udhëzoi të flasim me sekretaren, por që të njëjtën sot nuk e gjetëm në zyrë.

Në shkollën fillore “Istikball”, drejtori na njoftoi se nuk ka raste të tilla aty. Na informoi se aty ka pasur 18 mësimdhënës të cilëve ju ka mbaruar kontrata, por që të njëjtëve ju është vazhduar, për të njëjtën na tregoi edhe kontratat.

Ndërsa në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi”, drejtoresha gjatë ditës së protestës tha se “ka institucione ku mund të zgjidhen këto punë dhe se nuk është oborri i shkollës për këtë”.

Për rastin në fjalë, të mërkurën Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka kryer inspektim të jashtëzakonshëm në shkollat fillore “Naim Frashëri”, “Liria” dhe “Kirili dhe Metodi”. Ndërkaq, për gjetjet dhe procedurat e mëtejshme edhe pse nga ky Inspektorat për Portalb.mk konfirmuan se do japin informacione më të hollësishme, deri tani të njëjtën nuk e kanë bërë.

Këtë rast opinioni e konsideroi si veprim politik, por kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e mohoi këtë. Ai tha se nuk ka informacion se për sa kontrata bëhet fjalë dhe se kjo u takon shkollave dhe drejtorëve.

“Në asnjë moment ne nuk kemi intervenuar nëpër shkolla si është intervenuar nga komunat tjera me ndërrimin e drejtorëve ndërprerjen e kontratave të të punësuarve”, tha Kasami.

Mësimin aktualisht e mbajnë mësimdhënës që janë në rolin e zëvendësit

Mësimdhënësit që mbetën pa punë janë zëvendësuar me mësimdhënës që, sipas komunës, do të jenë të përkohshëm, pra deri në momentin e përfundimit të proceseve birokratike të konkursit të ri i cili pritet të hapet pasi të arrijë pëlqimi i Minstrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në këtë konkurs, për të njëjtin vend pune, do të mund të aplikojnë sërish ata të cilëve iu ka mbaruar kontrata.

“Në momentin që do të vijnë pëlqimet e financimeve të vjetra nga MASH këta vende pune do të dalin në konkurs dhe çdokush ka të drejtë të aplikojë. Drejtori është organi i cili vendos për punësimet e kuadrit arsimor dhe kuadrit joarsimor. E vetmja gjë që komuna dhe kryetari i Komunës që mund të bëjë është dhënia e pëlqimit deri në tre muaj. Kryetari është i obliguar që të ju jep pëlqim shkollave vetëm për zëvendësim në tre muaj deri në momentin e hapjes së konkurseve”, tha Nazmi Dauti, nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.

Megjithatë shtrohet pyetja: pse nuk kanë vazhduar të njëjtit mësimdhënës por u desh të ndërrohen me të tjerë? Për këtë nuk kemi përgjigje nga palët e përfshira në këtë rast.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës konfirmoi për Portalb.mk se për shkak të procesit zgjedhor për këshill i cili filloi në Komunën e Tetovës, pëlqimet janë dërguar pas përfundimit të të njëjtit, konkretisht më 25 gusht, dhe se bëhet fjalë për shkollat veç e veç.

“Të gjitha pëlqimet për shpalljen e konkursit për përzgjedhjen e kuadrit arsimor në arsimin fillor janë dërguar në Komunën e Tetovës”, thanë nga MASH.

Nga Komuna e Tetovës, informojnë jozyrtarisht se të njëjtat janë lëshuar me postë ditën e mërkurë dhe se presin të ju mbërrijnë, dhe pastaj të vazhdohet me procedurat e mëtejme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button