Kosova kundër vizitës së Irenejt: Turp për shtetin shqiptar!

Shqipëria ka zhgënjyer edhe një herë Kosovën. Pas zemërimit për pjesëmarrjen në një televizion privat në Tiranë të këngëtarit serb Zdravko Coliç, dje kosovarët janë ndjerë sërish të fyer nga pjesëmarrja në një ceremoni kishtare në prani edhe të zyrtarëve më të lartë shqiptarë të patriarkut serb, Irenej.

Mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë nuk kanë nguruar ta konsiderojnë pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e shenjtërimit të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, si një provokim që Shteti Amë, siç e konsiderojnë ata Shqipërinë, i bën Kosovës.

Më kritikja nga mediat ka qenë gazeta kosovare “Express”, e cila në një qëndrim redaksional të sajin shkruante dje se “Flamuri serb ka valuar në mes të Tiranës, ndërkohë që nga kryeqyteti i shqiptarëve, kryepeshkopi serb, Irenej ka thënë se “Kosova është dhe do të jetë serbe”.

Më tej kjo gazetë shkruan se “gjithçka ka ndodhur sot (dje) gjatë ceremonisë së shenjtërimit të Katedrales Ortodokse ‘Ngjallja e Krishtit’, e ku, tok me kryepeshkopin serb ka marrë pjesë gjithë lidershipi institucional e politik i Tiranës”. Sipas kësaj gazete, ky akt “lirisht mund të quhet si provokimi i radhës që vjen nga shteti amë, apo thënë më mirë, pakujdesia e radhës e Tiranës ndaj ndjenjave të kosovarëve; diçka që ndodh vazhdimisht, diçka që përsëritet kohë pas kohe – herë nga ndonjë televizion, herë nga një parti politike, nga ndonjë kryetar bashkie…”. Më tej “Express” kujton disa nga provokimet e tjera që shtetarët apo mediat shqiptare u kanë bërë ndjenjave dhe sakrificës së kosovarëve me veprimet e tyre.

Kështu ajo rendit se vite më parë, Goran Bregoviç mori ‘Çelësin e Tiranës’, ndërsa përmend si kumbar të bashkimit të PS-së dhe LSI-së ish-presidentin serb, Boris Tadiç, duke u nisur nga pjesëmarrja e tij në takimin e pajtimit të LSI-së dhe PS-së në Shkodër.

Gjithashtu, kjo gazetë përmend edhe incidentin e pak javëve më parë, ku sipas saj “shqiptarët në Tiranë u harbuan me Zdravko Coliçin”. Por kulmi sipas gazete ishte ceremonia e djeshme e shenjtërimit të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Ndaj nisur nga kjo, gazeta shtron pyetjen: pse duhet ftuar në një ceremoni kaq të rëndësishme për komunitetin ortodoks shqiptar (siç e quan ajo) “një fashist serb siç është Kryepeshkopi serb, Irenej?”.

“Si mundet, – shkruan më tej kjo gazetë, – që i gjithë lidershipi shqiptar; nga Presidenti Nishani, Kryeministri Rama, Kryeparlamentari Meta dhe lideri i opozitës, Basha, të marrin pjesë në këtë ceremoni dhe t’ia puthin dorën Irenejt? Kush ua lejoi atyre të rinjve të valojnë flamurin serb dhe të hedhin parulla kundër shqiptarëve?”, – pyet më pas kjo gazetë duke iu referuar pikërisht tubimit të disa të rinjve me flamujt serbë para hyrjes së Katedrales në Tiranë, ndërkohë që brenda saj ndodheshin veç drejtuesve më të lartë të kishës ortodokse në botë dhe krerët e shtetit shqiptar.

“Ky po që është një provokim. Ky po që është një turp i Shtetit Shqiptar”, – mbyll editorialin e saj gazeta “Express”.

Ndërkohë që kjo ngjarje nuk ka mbetur pa u pasqyruar edhe nga mediat e tjera si “Tribuna”, “Zëri” etj, ku binte në sy lajmi mbi tubimin e të rinjve me flamuj serbë.

Të ashpra kanë qenë dhe reagimet e qytetarëve kosovarë në rrjetet sociale lidhur me këtë zhvillim të ndodhur dje në Tiranë. Në shumicën dërmuese të tyre, prania e Irenejt dhe deklaratat e tij shihen si një tradhti që Shqipëria dhe klasa e saj politike i kanë bërë Kosovës.

Madje nuk mungojnë dhe përcaktimet e tilla se ‘Shqipëria është njësoi si Greqia dhe Serbia, ndërsa Kosova është më vete’. “Erdhi mu në zemër të tokës së shqiptarëve dhe volli helm mbi tokën tonë. Nuk është fajtor ai, faji është i yni, edhe për këtë arsye jemi ku jemi”, – shkruante një qytetar kosovar me emrin Xhavit Myrtaj në Facebook.

“Hiqq ndeti mos me ju shku se veq na ja u majna gjall turizmin e kta vllezerit po bohen vllezer me shkije tash”, shkruante Ylber Sadiku, një tjetër qytetar kosovar./ Mapo.al

Lajme të ngjashme

Back to top button