NATO e konfirmoi se Irani qëndron prapa sulmit kibernetik në Shqipëri

NATO-ja sot përmes një deklarate për media ka konfirmuar se aleatët kanë pranuar deklaratat e Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë që ia atribuojnë përgjegjësinë për sulmin kibernetik Qeverisë së Iranit, shkruan Portalb.mk.

Nga NATO thonë se dënojnë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve.

“NATO dhe aleatët mbështesin Shqipërinë në forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes kibernetike për të përballuar dhe zmbrapsur aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen”, theksojnë nga NATO.

Nga atje shtojnë se aktorët keqdashës kërkojnë të ndërhyjnë në shërbimet qeveritare, të nxjerrin inteligjencë, të vjedhin pronën intelektuale dhe të pengojnë aktivitetet ushtarake të aleancës.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim mbrojtjen tonë kundër aktiviteteve të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të penguar, mbrojtur dhe kundërshtuar spektrin e plotë të kërcënimeve kibernetike, duke përfshirë marrjen në konsideratë të përgjigjeve të mundshme kolektive”, thanë mes tjerash nga NATO.

Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nga ana e Shqipërisë me Iranin pas sulmeve kibernetike, sot u pasua me mbylljen e ambasadës së kësaj të fundit në Tiranë. Diplomatët para se të largoheshin dogjën dokumente.

Ky është rasti i parë kur një shtet shkëput marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër për shkak të sulmeve kibernetike.

Gjithashtu, për herë të parë një shtet i NATO-s fajësoi Iranin zyrtarisht për sulm kibernetik.

Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik në infrastrukturën digjitale të Qeverisë së Shqipërisë, sulm i ndodhur në muajin korrik të këtij viti.

Edi Rama dje njoftoi se u ka dhënë afat prej 24 orësh të gjithë diplomatëve iranianë që të largohen nga shteti.

Ministria e Jashtme e Iranit mohoi se shteti i tyre ka qenë prapa ndonjë sulmi kibernetik ndaj faqeve të Qeverisë së Shqipërisë, dhe vendimin e Ramës për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike e kanë cilësuar si të pamatur dhe të nxituar.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit u përkeqësuan pasi Shqipëria me kërkesë të Shteteve të Bashkuara pranoi rreth tre mijë pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) në 2013. Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button