RMV, kalorimetrat janë të mira për qytetarët, por të padëshirueshëm për shpërndarësit e energjisë termike

Vendosja e kalorimetrave në gypat e ngrohjes është mënyra më korrekte për arkëtimin e energjisë së konsumuar nga amvisëritë, siguron kreu i KRrE-së Marko Bislimoski. Sektori i OJQ-ve thekson se këto pajisje për matje janë zgjidhje jopopullore për operatorët e energjisë termike, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Vendosja e kalorimetrave për ngrohje është zgjidhje nga e cila mund të përfitojnë si qytetarët ashtu edhe shteti, pajtohen ekspertët për energjetikë. Këta matës të saktë të energjisë termike nuk janë shpenzim i madh dhe mund të kontribuojnë në uljen e faturave të ngrohjes dhe kursimin e energjisë.

Më shumë se dy vite më parë, Komisioni Rregullator për Energjetikë i propozoi operatorit të atëhershëm BEG që të blejë kalorimetra për përdoruesit e ngrohjes, me mundësi që të paguhen me këste.

Dy vjet më vonë, kalorimetrat rrallë gjenden diku. Kreu i KRrE Marko Bislimoski thotë se propozimi është ende “në lojë” dhe është mënyra më korrekte për të arkëtuar energjinë e shpenzuar për ngrohje në çdo familje.

“Unë ende i qëndroj propozimit tim për të vendosur kalorimetra në të gjitha shtëpitë ku ka sisteme tubacionesh horizontale. Me to do të përllogaritet saktë se sa ka shpenzuar çdo apartament. Sipas informacioneve të mia, problemi është çmimi i lartë i kalorimetrave, pasi ato do të bien në shpinë të konsumatorëve. Sugjerimi im është që operatori i qendrës së shpërndarjes, që duhet të vendosë ata kalorimetra, t’i marrë kalorimetrat aty ku ka interes nga konsumatorët, sepse kur të bëhet një blerje e madhe çmimet e kalorimetrave do të jenë më të ulëta dhe kjo kosto mund të ndahet më vonë në 36 apo 48 këste me qëllim që konsumatorët të mos e ndjejnë koston aq të lartë”, thotë Bislimoski.

Ai thekson se vendosja e kalorimetrave do të vlente vetëm për ato banesa ku ka një instalim horizontal të tubave të ngrohjes. Aty ku ka sisteme vertikale, procesi është jofitimprurës sepse nevojitet numër më i madh kalorimetrash në çdo radiator, kështu që do të ishte investim shumë më i shtrenjtë.

Instalimi i kalorimetrave është mënyrë e mirë për të kursyer edhe buxhetin familjar, thotë Marjan Nenov, menaxher për energjetikë dhe kryetar i OJQ-së “No Pasaran“. Por sipas tij, kalorimetrat nuk janë të përshtatshëm për kompanitë që merren me prodhimin dhe furnizimin me energji termike.

“Vendosja e kalorimetrave nuk u shkon për shtat kompanive të prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji termike sepse do të kenë rënie të të ardhurave. Përse nuk na lejojnë të shkëputemi nga rrjeti? Sepse do t’ua shkurtojmë të ardhurat. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me këtë instalim. A do të shkyçen tre ose 15 apartamente, do ta ulin nivelin e ngrohjes, është e njëjta gjë për kompaninë, do të thotë ulje e të ardhurave”, thotë Nenov.

Ndërsa Profesor Konstantin Dimitrov beson se kalorimetrat nuk do të kontribuojnë në zvogëlimin e ndjeshëm të faturave të ngrohjes, sepse, siç thekson ai, çmimet e energjisë janë vazhdimisht në rritje.

“Problemi është se çmimi është i lartë, do të jetë dy herë më i lartë se çmimet e sotme të energjisë. Dikush individualisht mund dhe do të kursejë 5 apo 10 për qind, por nëse çmimi i energjisë është 100 për qind më i lartë, nuk do të ketë asnjë përfitim”, thotë Dimitrov.

Përvojat nga vendet e tjera janë pozitive. Në Republikën Çeke, për shembull, përdoruesit e ngrohjes kanë kalorimetra. Secili përdorues menaxhon konsumin e tij, pra ndez ose fiket ngrohjen në varësi të faktit nëse është në shtëpi apo jo. Bislimoski siguron se është mënyra më korrekte për të matur energjinë termike për çdo amvisëri veç e veç.

Sipas Ligjit të ri për Energjetikë, vendosja e kalorimetrit është e detyrueshme vetëm për çdo ndërtesë të re, por jo edhe për ndërtesat e vjetra. Ata do të vendosen atje vetëm nëse të gjithë banorët bien dakord.

“Nuk mendoj se do të ketë banor që nuk do ta pranonte këtë, sepse atij i jepet mundësia të menaxhojë konsumin e energjisë elektrike dhe ngrohjes”, thotë Bislimoski.

Krahas serisë së rritjeve të çmimit, faturat e ngrohjes janë bërë një barrë shtesë për qytetarët. Nga 1 gushti çmimi i ngrohjes është rritur me 14,18 për qind. Te një faturë mesatare të energjisë termike prej 1800 denarë, rritja është rreth 250 denarë.

KRRE njoftoi dje se faturat e gushtit për ngrohje, për të cilat qytetarët reaguan se janë më të larta për rreth 40 për qind, do të anulohen dhe se përdoruesit do të marrin fatura të reja të korrigjuara.

BEG më parë reagoi se ende nuk janë paguar subvencionet që kompania i ka llogaritur në faturat e energjisë termike në shkurt, mars dhe prill të këtij viti, në vlerë prej 99,6 milionë denarë, sipas vendimit të qeverisë, gjegjësisht konsumatorët e energjisë termike deri në këtë moment janë barrë e kompanisë.

Ndryshe ga janari i këtij viti, EMV ka marrë përsipër operimin e BEG dhe Ngrohtoren Shkup – Veri, pasi më parë Distribuimi i energjisë termike Balkan Energy SHPKNJP “Furnizimi me ngrohje Ballkan Energy” SHPKNJP Shkup kanë mbetur pa licencë për shpërndarjen e energjisë termike nga një prodhues i rregulluar.

Kjo erdhi pasi BEG raportoi shpenzime serioze për vitin e kaluar. Si arsye janë përmendur çmimet e larta të lëndëve energjetike, për të cilat kompanitë nuk kanë mundur të sigurojnë financa për sezonin e ngrohjes pa ndihmën e shtetit.

Problemet me furnizimi me energji elektrike dhe për ngrohje e arritën kulmin këtë dimër, kur çmimet e energjisë elektrike në bursat evropiane u rritën në mënyrë drastike, kështu që vendi blen energji elektrike disa herë më të shtrenjtë se sa paguajnë konsumatorët.

Çmimet e energjisë elektrike në bursa janë rritur për shkak të reduktimit të hidro potencialit që është shkaktuar nga thatësira dhe ndryshimet klimatike, si dhe pasigurisë së madhe në furnizimet me gaz për shkak të invazionit ushtarak rus të Ukrainës.

Ndryshe, rekomandimet për komunitetin e biznesit janë që të fikin ndriçimin dekorativ në fasadave, në objektet e prodhimit, salla dhe zyra, temperatura e kondicionerëve në sezonin e ngrohjes të mos jetë më e lartë se 20 gradë, të fiken të gjithë kompjuterët, të ndërrohen rregullisht filtrat e elementeve të ngrohjes, nëse kompania ka nevojë për ujë të ngrohtë sanitar, të instalohen kolektorë diellorë.

Për institucionet publike, megjithatë, Qeveria ka nxjerrë detyrime.

Poashtu, Qeveria ka obliguar të gjitha institucionet në nivel qendror që nga radhët e punonjësve të tyre të përcaktojnë personat të cilët do të kujdesen për uljen e konsumit të energjisë, në përputhje me rekomandimet e përmendura, duke aplikuar kontrolle të shpeshta gjatë orarit të punës, e veçanërisht pas përfundimit të orarit të punës me synim uljen e konsumit me 15 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button