U mbyll ambasada iraniane në Tiranë, para se të largoheshin diplomatët u dogjën dokumente

Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nga ana e Shqipërisë me Iranin pas sulmeve kibernetike, sot u pasua me mbylljen e ambasadës së kësaj të fundit në Tiranë. Diplomatët para se të largoheshin dogjën dokumente, transmeton Portalb.mk.

Punonjësit dhe personeli diplomatik i ambasadës sot lëshuan hapësirat e objektit të ambasadës, e cila u mbyll. Diplomatët e dëbuar u nisën për në aeroport për të lëshuar vendin.

Ambasada më pas u rrethua me shiritin policor, të cilët vazhduan me kontrollin brenda objektit.

Ambasada e Iranit dje kishte kërkuar për të pasur  më shumë kohë në dispozicion për t’u larguar, por një gjë e tillë u refuzua nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Raportohet se gjatë natës së djeshme, në ambientet e ambasadës janë djegur dokumente të cilat, personeli diplomatik nuk ka mundur t’i merr me vete.

Ky është rasti i parë kur një shtet shkëput marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër për shkak të sulmeve kibernetike.

Gjithashtu, për herë të parë një shtet i NATO-s fajësoi Iranin zyrtarisht për sulm kibernetik.

Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik në infrastrukturën digjitale të Qeverisë së Shqipërisë, sulm i ndodhur në muajin korrik të këtij viti.

Edi Rama dje njoftoi se u ka dhënë afat prej 24 orësh të gjithë diplomatëve iranianë që të largohen nga shteti.

Ministria e Jashtme e Iranit mohoi se shteti i tyre ka qenë prapa ndonjë sulmi kibernetik ndaj faqeve të Qeverisë së Shqipërisë, dhe vendimin e Ramës për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike e kanë cilësuar si të pamatur dhe të nxituar.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit u përkeqësuan pasi Shqipëria me kërkesë të Shteteve të Bashkuara pranoi rreth tre mijë pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) në 2013. Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button